Pranvera Kola -DITA
Pamundësia për të lindur fëmijë në kushte natyrale është një tjetër shqetësim që po haset në masë gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë. Shkaqet që çojnë në infertilitet janë të shumta, prej të cilave preken si gratë, ashtu edhe burrat. Mjekja Ilda Xhelili ndalet në detajimin e kushteve që shtojnë riskun për infertilitet, rëndësinë e diagnostikimeve të hershme të këtij problemi, si dhe trajtimet mjekësore, e ato natyrale që mund të ndiqen për të reduktuar këtë problem. Bluzat e bardha vënë theksin tek domosdoshmëria e kryerjes së kontrolleve mjekësore të hershme për të diagnostikuar sa më herët këtë shqetësim.
Çfarë është infertiliteti?
Me infertilitet kuptojmë paaftësinë për të mbetur shtatzënë, dhe shkaktarë për këtë mund të jenë si gruaja, ashtu edhe burri, në mënyrë të barabartë. Mjekësia e sotme moderne vë në dispozicion teknologji dhe metoda të shumta për trajtimin e infertilitetit. Të paktën gjysma e çifteve që sot i nënshtrohen trajtimit do të kenë mundësinë e shtatzanisë. Mbi tre milionë foshnje në të gjithë botën janë si rezultat i trajtimit të këtij problemi, i cili ka ardhur në rritje në ditët e sotme, krahasuar me dekadat e mëparshme.

Cilat janë simptomat kryesore të infertilitetit?
Simptoma kryesore e infertilitetit është pamundësia për të mbetur shtatzënë pas një viti marrëdhënie të rregullt seksuale dhe të pambrojtura ndërmjet çiftit. Për gratë mbi moshën 35 vjeç, të cilat nuk kanë mundur të kenë një shtatzani pas 6 muajve përpjekje, ose që nuk kanë cikle të rregullta menstruale, rekomandohet që sa më shpejt të konsultohen me mjekun specialist për të filluar trajtimin e infertilitetit.
Sa i shpeshtë është steriliteti mashkullor dhe nga se shkaktohet?
Steriliteti mashkullor është po aq i zakonshëm sa steriliteti femëror, prandaj është e rëndësishme që të vlerësohen të dy partnerët. Sipas statistikave, në rreth 40 për qind të rasteve, janë meshkujt shkaktarë të mungesës së shtatzanisë. Faktorët mund të përfshijnë numrin e vogël të spermatozoideve, apo kanalet e spermës, lëvizshmëria e dobët e spermatozoideve, apo kanalet e bllokuara, nëpër të cilat duhet të kalojë sperma.
Po tek femrat nga se shkaktohet?
Po sipas statistikave, në 40 për qind të rasteve edhe femrat janë shkaktare të infertilitetit (sterilitetit) dhe në 20 për qind të çifteve jopjellore nuk mund të gjendet asnjë shkak i veçantë se çfarë e shkakton. Tek arsyet e femrave mund të përmendim mungesën, ose çrregullimet e ovulacionit (pjekja e vezës), bllokim i tubave fallopiane (tubet nëpër të cilat kalon veza e pjekur), ose anomalitë e ndryshme në organet riprodhuese. Rreth një e treta e rasteve të infertilitetit lidhen me ovulacionin e parregullt.
Çfarë testesh duhen bërë për të përcaktuar kohën e ovulacionit?
Testet e ovulacionit mund të ndihmojnë femrat të kuptojnë kohën e ovulacionit (të çlirimit të vezëve të pjekura) dhe përcaktojnë kohën më të mirë për marrëdhënie efikase seksuale. Testet e veçanta masin nivelet e një hormoni që rritet 12-36 orë para ovulacionit, në jo pak raste, rezultatet e testimit janë të paqarta, ose vazhdimisht negative, prandaj gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj specialist.
A mund të trajtohet kjo problematikë nëpërmjet përdorimit të medikamenteve?
Sot janë shumë medikamente në dispozicion të grave që nuk ovulojnë rregullisht. Kjo është gjithashtu një metodë me efikasitet mbi 50 për qind, që do të thotë se gati gjysma e grave që e përdorin këtë trajtim, do të mund të marrin një shtatzani brenda tre cikleve menstruale. Këto medikamente mund të shkaktojnë lëshimin e më shumë se një veze në të njëjtën kohë, kështu që ekziston një rrezik në rritje i një shtatzënie të shumëfishtë (një shtatzani me dy, ose më shumë fetuse). Nëse gratë që përdorin medikamente, pas gjashtë muajsh nuk kanë konceptuar një shtatzani, mund të përdorin injeksione hormonale që nxisin ovulacionin.
Si ndikon në sterilitet bllokimi i tubave të fallopit?
Në jo pak raste, shkaktar mund të jetë bllokimi i tubave të Fallopit, prandaj këto raste kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale që të lirohen. Tubat e Fallopit mund të bllokohen si rezultat i endometriozës, operacioneve të mëparshme, apo edhe infeksioneve të ndryshme të mëparshme të legenit (baçinit).

Si mund të trajtohet infertiliteti?
Për të trajtuar lloje të ndryshme të infertilitetit përdoret inseminimi intrauterin (IUI). Sipas kësaj teknike, spermatozoidet vendosen drejtpërdrejtë në mitër në kohën e ovulacionit, duke zvogëluar distancën që spermatozoidi duhet të përshkojë për të arritur vezën. Inseminimi intrauterin shpesh përdoret me barnat që stimulojnë ovulacionin. Kjo është një procedurë jo shumë e shtrenjtë dhe jo invasive, kështu që mund të tentohet që në fillim. Nëse partneri mashkull ka një përqindje të ulët sperme të shëndetshme, atëherë inseminimi intrauterin mund të bëhet duke përdorur spermë donatore, pra të dhuruar nga një mashkull tjetër. Natyrisht që kjo situatë kërkon një këshillim të kujdesshëm paraprak dhe duhet të pranojë vetë çifti (si gruaja, ashtu edhe burri), pasi fëmija që do të lindë nuk do të ketë lidhje biologjike me babanë. Kjo është një metodë shumë efikase për gratë pjellore (mbi 80 për qind rezulton pozitive).
Kur duhet të përdoret Fertilizimi in Vitro?
Në rastin kur të gjithë këto trajtime që përmendëm më lart kanë dështuar, mund të përdoret Fertilizimi in Vitro (IVF). Fertilizimi in Vitro, kombinon vezën dhe spermatozoidin në një laborator. Embrionet e krijuara në laborator vendosen brenda mitrës.
Fertilizimi in vitro përfshin injeksione hormonale dhe një procedurë kirurgjikale për të marrë vezë nga partneri femër dhe mund të jetë i kushtueshëm. Megjithatë, normat e suksesit janë të larta dhe po vijnë duke u përmirësuar. Shkalla e shtatzanisë varion për çdo cikël nga 10 për qind në gratë e moshës 43-45 vjeç, deri në 46 për qind në gratë e moshës nën 35 vjeç. Për këtë lloj trajtimi mund të jenë të nevojshëm disa cikle trajtimi.
Po ashtu, kjo metodë mund të aplikohet me vezë donatore, pra të dhuruara nga një femër tjetër e re dhe e shëndetshme. Fekondimi do të kryhet me spermatozoidët e partnerit të saj, kështu që foshnja në këtë rast do të rezultojë i lidhur biologjikisht me babanë, por jo me nënën, edhe pse ajo bart shtatzaninë. Kjo metodë, dukë përdorur embrione të freskëta nga vezët e donatorëve, ka një shkallë të lartë suksesi dhe rezulton në rreth 55 për qind lindje të gjalla dhe të shëndetshme.
Nëpërmjet kësaj metode është tipike që të vendosen në mitër 2-4 embrione për të rritur gjasat e shtatzanisë, por duke rritur kështu edhe gjasat e një shtatzanie të shumëfishtë. Është e rëndësishme që kjo të diskutohet me mjekun, sepse një shtatzani e shumëfishtë shoqërohet me komplikacione të tilla si lindja e parakohshme, tensioni i lartë i gjakut, anemia, aborti, si edhe të tjera komplikacione.

Si mund të rritet mundësia e fertilitetit me metoda natyrale?
Disa ndryshime të stilit të jetesës mund të rrisin mundësinë për një shtatzani të shëndetshme. Të dy partnerët nëse janë duhanpirës duhet ta ndalojnë atë, pasi dihet që duhani ul pjellorinë dhe rrjedhimisht ul normat e shtatzanisë. Një studim i spermës tregoi një rritje dramatike të aftësisë fekonduese të këtyre meshkujve pas lënies së duhanit.
Rol pozitiv luan edhe një ushqyerje e shëndetshme dhe e balancuar për rritjen e fertilitetit. Disa çifte kanë provuar akupunkturën për të rritur pjellorinë. Ka hulumtime që kanë treguar se akupunktura mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut në mitër, të ndihmojë në rregullimin e ovulacionit, të rrisë numrin e spermatozoidëve efikase dhe të përmirësojë shkallën e suksesit të inseminimit intrauterin.
