Shenja të tilla, si: rrufa, vështirësia në frymëmarrje, kolla e rënduar, etj, mund të jenë simptoma që tregojnë se jeni prekur nga infeksioni i shkaktuar nga koronavirusi. Pavarësisht përpjekjeve të bëra, koronavirusi jo vetëm që nuk mund të luftohet nëpërmjet një vaksine (pasi ende nuk ka një të tillë), por mund të trajtohet edhe me vështirësi, duke qenë se po ashtu nuk ka një mjekim apo trajtim specifik për të. Prekja nga ky virus, i cili mund të zhvillohet në forma të ndryshme, mund të nisë me simptoma të një rrufe të lehtë, e deri në stadet më të renduara të sëmundjeve respiratore. Ndaj kërkon edhe kujdes maksimal në diagnostikimin sa më të hershëm të saj. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, ajo që është edhe më problematike, ka të bëjë me lehtësinë e përhapjes së këtij infeksioni nga kontaktet që mund të kemi me persona të prekur nga ky virus, apo edhe nga kafshët në raste të caktuara. Ndonëse nuk ka një mjekim specifik, janë një sërë masash që kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin vetjak të higjienës, apo edhe regjimit ushqimor që mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të këtij infeksioni të shkaktuar nga koronavirusi. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik nëpërmjet pyetjeve të detajuara në vijim të shkrimit, kanë treguar gjithçka duhet të dini rreth njohjes së kësaj patologjie, shenjave dalluese, formave të transmetimit, si dhe masave që duhet të marrin për shmangien e ndërlikimeve të rënda, të cilat fatkeqësisht mund të çojnë deri në humbjen e jetës.
Çfarë është koronavirusi?
Koronaviruset janë familja e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda si Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome SARS).
Çfarë është një koronavirus i ri?
Koronavirus i ri është (nCoV) është një lloj (shtam) i ri i koronavirusit, i cili nuk është identifikuar më parë tek njerëzit.
A mund të infektohen njerëzit me koronavirusin e ri ku si burim infektimi janë kafshët?
Hetimet e hollësishme në Kinë në vitin 2002 kanë zbuluar se SARS-CoV u transmetua nga macet te njerëzit, kurse në Arabinë Saudite në vitin 2012 u zbulua MERS-CoV nga devetë te njerëzit. Njihen disa koronaviruse, të cilët po qarkullojnë në kafshë, por që akoma nuk kanë infektuar njerëzit. Ndërkohë që survejanca në të gjithë botën përmirësohet, ka të ngjarë që të identifikohen më shumë koronaviruse.
Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me koronavirus?
Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave. Mund të ndodhë që simptomat të rëndohen deri në masën që përbëjnë rrezik për jetën e pacientit, pasi mund të shkaktojnë edhe vdekje.
A transmetohet koronavirusi nga njeriu tek njeriu?
Po, disa koronaviruse mund të transmetohen nga njeriu tek njeriu, zakonisht pas një kontakti të ngushtë apo të afërt me një pacient të infektuar, në mjedisin e punës, ose në një qendër të kujdesit shëndetësor. Ndaj duhet të bëhet kujdes në të tilla raste në marrjen e masave të duhura mbrojtëse, kryesisht të higjienës, për të shmangur prekjen nga koronavirusi.
A ka vaksinë për këtë lloj të ri të koronavirusit?
Jo ende nuk ka një të tillë. Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re që mund të luftojë këtë patologji.
A ka një trajtim apo mjekim specifik për koronavirusin e ri?
Fatkeqësisht edhe në këtë drejtim nuk ka një mjekim, apo një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga një koronavirus i ri. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit. Sa më shpejt të merret ndihma e duhur mjekësore aq më shumë mund të reduktohen ndërlikimet që shfaqen në shëndet.
Çfarë masash mund të marrim për t’u mbrojtur?
Janë një sërë masash që mund të merren gjatë përditshmërisë për të shmangur prekjen nga viruset e kësaj familjeje. Rekomandimet standarde për të zvogëluar ekspozimin dhe transmetimin e një sërë sëmundjesh përfshijnë: ruajtjen e higjienës së duarve dhe të frymëmarrjes, praktikat e higjienës ushqimore, si dhe kur është e mundur shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si: kollë apo teshtitje.
A janë personeli shëndetësor i rriskuar nga koronavirusi i ri?
Po, ata mund të jenë të rrezikuar nga koronavirusi i ri, pasi personeli i kujdesit shëndetësor janë në kontakt me pacientët më shpesh sesa popullata e përgjithshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që personeli i kujdesit shëndetësor të zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme masat e duhura të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit.
Cilat janë rekomandimet për vendet?
Organizata Botërore e Shëndetit inkurajon të gjithë vendet të rrisin survejancën për infeksionet e rënda respiratore akute (SARI), të shikojnë me kujdes çdo model të pazakontë të këtyre infeksioneve ose pneumonisë dhe të njoftojnë këtë strukturë për çdo rast të dyshuar ose konfirmuar të infeksionit me koronavirusin e ri. Vendet inkurajohen të vazhdojnë të forcojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005).
Ja të ulni rrezikun për tu prekur nga infeksioni i koronavirusit:
- Lani shpesh duart me ujë dhe sapun, ose përdorini solucion të duarve me alkool. Kjo veçanërisht pas kontakteve që mund të keni pasur me persona të prekur nga ky virus.
- Kur kolliteni duhet të mbuloni hundën edhe gojën me shami, ose me parakrah nëse nuk keni një të tillë në moment. Kjo do të reduktojë rrezikun e përhapjes së virusit tek personat e tjerë që ndodhen në ambient.
- Këshillohet që të shmangni sa më shumë që të jetë e mundur kontaktet e afërta me persona të cilët kanë simptoma të gripit apo të rrufës.
- Kujdes duhet të tregoni edhe me përgatitjen e ushqimeve që konsumoni gjatë ditës. Ekspertët e ISHP-së sqarojnë se nuk duhet të neglizhoni praktikumin e rregullave bazë të higjienës gjatë gatimit.
- Jo vetëm nëse keni simptomat e përmendura më lart, por edhe në rastet e tjera rekomandohet që të shmangni kontaktin me kafshët e gjalla, pasi edhe këto të fundit mund të jenë një burim i transmetimit të virusit.
- Menjëherë sapo të vëreni simptomat e përmendura më lart duhet të paraqiteni për një kujdes më të specializuar tek mjeku specialist, i cili do të ndihmojë në vendosjen e diagnozës së saktë në kohë.
