Duhej të vinte dorë i Plotfuqishmi e të merrte pranë vetes disa prej artistëve të njohur të vendit, njërin pas tjetrit, që të hapej edhe një herë një debat mbi vlerat dhe antivlerat, mbi regjimin e djeshëm dhe realitetin e sotëm, mbi lojrat e mendjes që na bën nostalgjia e rikthyer për ca gjëra të atij sistemi etj, duke na bërë të rivëmë në kandarin e debatit publik vlerat e vërteta që kishin pasur ose jo, emra si Vaçe Zela apo Skënder Sallaku, Ibrahim Madhi apo Laver Bariu. Sigurisht, më shumë lanë lakuar dy emrat e parë, edhe për vetë natyrën më direkte e në kontakt me publikun, të artit të tyre.
Tema e parë e kësaj përballjeje me të kaluarën tonë dhe ndjesitë që na ka lënë ajo epokë gri, përmes përjetimeve që patëm nga këto largime (duhet thënë, pak e shumë të pritshme për motive biologjike), padyshim rrodhi nga sjellja e të pushtetshmëve dhe zyrtarëve ndaj këtyre largimeve. Por le ta lëmë mënjanë këtë pjesë, me gjithë ditirambet stonuese dhe parakalimet e tapeteve të kuq. Politika, le ta mbledhim mendjen, kështu ka për t’u sjellë në raste të tilla; nga ana tjetër, do ishim ne ata që do ngrinim zërin nëse për ndonjë figurë të njohur shteti nuk do begeniste të organizonte diçka.
Ndaj le të ndalemi pak tek pjesa tjetër; tek vërtetësia ose jo e vlerave që ka prodhuar diktatura komuniste në art dhe raporti ynë i sotëm me to. Baze, Bushati, Lubonja e opinionistë të tjerë thanë të tyren, madje i fundit krijoi dhe një letër të Enverit nga Ferri, për Edi Ramën. Pra, a është i vërtetë e mandej, i shëndetshëm, veneracioni (me raste të rralla) apo thjesht vlerësimi e simpatia që kemi për krijues e artistë të socrealizmit, përderisa ata me apo pa dashje, duke bërë punën apo ushtruar talentin e tyre, në fakt i kanë shërbyer regjimit komunist? E që për më tepër, siç thotë Lubonja, kanë qenë fasada e bukur që pa pasur për mision ta bëjë më të lehtë, më pak gri, më të durueshëm atë realitet shtypës?
Me një logjikë “me çmim shumice”, mund të thuhet se kushdo që ka punuar e jetuar në atë sistem, duke shkëlqyer ose jo në shkencë, art, kulturë etj, në fakt i ka shërbyer regjimit. Në vazhdim të po kësaj logjike, pikërisht më të talentuarit duhet të kenë qenë shërbëtorët më të zellshëm, dhe këtu kthehemi sërish tek figura dhe vepra e Ismail Kadaresë. Teorema e anasjelltë e kësaj, nënkupton që nëse dikush shijon ende veprat e Kadaresë sot, është nostalgjik i diktaturës. Këtë lë të kuptohet Lubonja për këngët dhe zërin e Vaçe Zelës. Padyshim, Lubonja niset nga një premisë personale 100% e justifikuar: Nëse tekstet revolucionare të këngëve të Vaçes, të burgosurve politikë ua vinin çdo mëngjes në Spaç, ato e fjalë e tinguj do bëheshin gjëja më e urryer në këtë dynja. Jo në Spaç, por në Bahamas të jesh; jo Vaçen, por Beattles apo Dire Straits të dëgjosh çdo ditë dhe të shpifen. Dhe kjo është njerëzore.
Por sa i përket Vaçes, përveç zërit të padiskutueshëm, unë kam përshtypjen se fronin e “mbretëreshës” ajo nuk e mori për këngët me partizanë, por për diçka tjetër. Vaçe Zela shpërtheu në vitet “liberale” ‘60-70-të, kur këngë si “Djaloshi dhe shiu” apo “Lemza” etj, me ritmin dhe orkestrimin që nuk u linin gjë mangut Sanremos dhe idhujve italianë të kohës si Katerina Kazeli, Çelentano etj, ishin shija më e afërt që të rinjtë shqiptarë do të kishin për vite të tëra mbi Perëndimin dhe shoqërinë e lirë, këtu në vendin e tyre. Kur iluzioni mbaroi dhe grija e errët u bë e zezë, kur edhe Lubonja ra në burg të rëndë dhe disa më fatlumë morën baltrat e internimeve, dalja e Vaçes në skenë nuk kish më lidhje me ritmet false revolucionare të barkut bosh, por me kujtimin e asaj dritareje njerëzore ishte hapur për pak kohë. Nuk mund të përbëjë argument për të kundërtën, fakti që Nexhmije Hoxhës i vjen më në fund zëri dhe kapet pas Vaçes për të ilustruar “talentet që prodhoi diktatura e proletariatit” dhe të mirat e asaj epoke.
Në fund të fundit, krahasimet me një epokë nuk mund të bëhen me kutin e të sotmes, aq më tepër që në rastin shqiptar as kjo nuk është e vërtetë. Vërtet nuk e dimë sa cd mund të kishte shitur një Vaçe e sotme, a do kish kënduar ajo tallava apo jo, a do ekspozonte rastësisht pjesë të trupit në fotografi pushimesh, për t’i hedhur pastaj në facebook. Por dimë se ashtu siç pëlqejmë sot zërin e saj, shijojmë lojën e Sandër Prosit, Kadri Roshit, Tinka Kurtit dhe gjithë “shërbëtorëve të diktaturës”. Lubonja thotë megjithatë një të vërtetë të madhe: Katrahura dhe bjerrja e sotme është pasojë direkte e shkatërrimit të indit shoqëror e njerëzor që prodhoi diktatura. Por për këtë nuk na e ka fajin Vaçja.
Revista Klan