Gjoba pa apelim

anazapta

Rikthehet historia e ligjit të gjobave, por tashmë në një tjetër kontekst. Bizneset nuk duan të paguajnë detyrimin para apelimit në tatime, por në gjykatë.

Ligji i procedurave tatimore, miratuar rreth 4 vjet më parë, shkaktoi jo pak debate për të ashtuquajturin neni i gjobave, sipas të cilit biznesi duhet të paguante 15% të gjobës para se të ankimonte. Në atë kohë, bizneset lobuan fort për ta hequr si nen, deri sa u desh ndërhyrja nga Gjykata Kushtetuese, duke e ndryshuar.

Sot, me ligjin aktual, biznesi nuk ka të drejtë ta paguajë gjobën e marrë para se të ankimohet, por duhet të shlyejë paraprakisht detyrimin e nxjerrë nga rivlerësimi dhe interesat. Dakord! Për kohën që ishte, në 2008-n, subjektet private e pranuan këtë kusht, por në situatën e sotme, ata apelojnë për të tjera përmirësime.

Shoqatat e ndryshme të biznesit kërkojnë që të hiqet pagesa e detyrimit si kusht për të ankimuar në Drejtorinë e Apelimit te Tatimet, por të bëhet vetëm në gjykatë, si shkallë e dytë e ankesës.

 

Propozimet për ndryshime

Në këto kushte, Agim Binaj, ekspert kontabël, në emër të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, propozon ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore”, si masë e nevojshme, sipas tij, për çlirimin e biznesit nga reprezaljet e disa inspektorëve tatimorë dhe të administratave tatimore të papërgjegjshme dhe larg kapaciteteve profesionale.

Kështu, në ligjin “Për procedurat tatimore”, neni 106, “Ankimimi administrativ tatimor”, pika 1, të ndryshohet me   këtë përmbajtje: “Tatimpaguesi mund të ankimojë në DAT (Drejtoria e Apelimit Tatimor) kurdo çdo njoftim vlerësimi, çdo vendim që i ndikon në detyrimin e tij tatimor, çdo kërkesë për rimbursim ose lehtësim tatimor ose çdo akt ekzekutiv të posaçëm tatimor, në lidhje me tatimpaguesin, pa qenë nevoja të paguajë detyrimet që lindin nga këto akte administrative”.

Në nenin 107, “Pagesa e detyrimit tatimor, objekt ankimimi”, në pikën 1 të bëhet ndryshimi: hiqet fjala “të paguajë shumën e plotë të detyrimit tatimor të përcaktuar në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore”. Po ashtu, të hiqen pika 2, 3 dhe 4, e këtij neni, ose të riformulohen si më poshtë:

1- Tatimpaguesi që kërkon të ankimojë vendimin e Drejtorisë së Apelimit Tatimor të lëshuar nga Drejtoria e Apelimit në rrugë gjyqësore, duhet që së bashku me ankesën, të paguajë shumën e plotë të detyrimit tatimor, të përcaktuar në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore.

2 – Shuma e pagueshme, sipas pikës 1 të këtij neni përjashton gjithë gjobat e përfshira në vlerësimin tatimor të ankimuar.

3 – Ankimimi merret në shqyrtim në rrugë gjyqësore vetëm kur tatimpaguesi ka paguar detyrimin tatimor që është objekt i ankimimit.

4 – Akti administrativ i lëshuar nga administrata tatimore dhe për të cilin nuk është ankimuar në rrugë administrative, nuk mund të ankimohet në rrugë gjyqësore.

“Ne mendojmë se këto ndryshime në ligj do të sjellin risi në klimën e biznesit, administrata tatimore do të ndiejë më shumë përgjegjësi dhe Drejtoria e Apelimit do të zgjidhë çështjet më me kompetencë”, shton në fund Binaj. Prej kohësh, Bashkimi i Dhomave kërkon një zgjidhje nga Ministria e Financave, e cila tashmë ka marrë edhe propozimet nga biznesi dhe po shqyrtohen.

 

Share This Article
3 Comments
  • Me duket nje propozim shume i drejte. Do te ishte nje mase mjaft e rendesishme per te shmangur abuzimet e kontrollit tatimor. gjithashtu drejroria e apelit ne DPT TE JETE SA ME OBJEKTIVE DHE TE MOS FAVORIZOJE INSPEKTORET E KONTROLLIT TATIMOR:

  • Deri me sot Njoftim-Vleresimet e nxjera nga Drajtoreite Rajonale te Tatimeve ne pergjithesi nuk u bene objekt te ankimimit gjyqsor mbasi ishte prere rruga. Kuptohet, kur nje shoqeri paguan detyrimet dhe gjobat e mbyll ciklin dhe nuk meret me ankimimime me tej, vetem ne raste te vecanta.Gjithashtu, pothuajne ne 95 % te rasteve Drejtoria e Apelimit Tatimor nuk i jepte te drejte shoqerise sepse ekzistonte nje mareveshje gojore midis Drejtorive Rajonale dhe Drejtorise se Apelimit per te mbushur arken e shtetit nepermjet detyrimeve dhe gjobave.
    Ne pergjithesi administratoret kur binden me te drejte per shkeljet i paguajne detyrimet dhe gjobat pa u ankuar me tej. Por ne shumicen e rasteve Aktet e kontrollit nuk pranohen nga pergjegjesat e vegjel te zyrave te kontrollit, nga Drejtori i Kontrollit dhe nga vete Drejtori Rajonal pa vendosur detyrime dhe gjoba. Sipas tyre: Nuk ka akt-kontroll pa detyrime dhe gjoba> Puno si te duash.Puna e inspektorit vleresohet se sa leke i fut arkes se shtetit.
    Ne cilin vend te botes inspektori tatimor, kur nuk gjen shkelje te tjera i kthehet rivleresimit te shitjeve , duke aplikuar cmim mesatar te tregut per njesi.Kush e ka nxjere realitetin e ketij cmimi dhe se dyti shoqerite nuk jane detyruar te shesin per te njejtin artikull me te njejtin cmim si ne socializem.
    Artikujt e veshmbathjes jane te lidhura me stinen, me moden e tj. Kur nuk ecen shitja mjaft shoqeri detyrohen te shesin me kosto dhe nen kosto. Kjo e fundit nuk njihet nga tatimet.Si do behet.Kjo eshte nje realitet.
    U mundova te shtroj disa ane te ligjit. Qe te ndertosh nje ligj vec te tjerave duhet mare ne konsiderate edhe realitetin shqiptar, ku te gjithe jemi bere tregetare dhe per rjedhoje konkurenca eshte e fuqishme.

  • Me duket nje propozim shume i drejte. Do te ishte nje mase mjaft e rendesishme per te shmangur abuzimet e kontrollit tatimor. gjithashtu drejtroria e apelit ne DPT do jete me objektive ne vleresimet tatimore dhe nuk do te favorizoje inspektoret tatimore, pasi vete drejtoria e apelimit eshte pjese e drejtorise te tatimeve dhe si e tille qellimi i tyre final eshte i perbashket, realizimi me cdo kusht i te ardhurave tatimore, prandaj detyrimi tatimor duhet te paguhet vetem ne gjykate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *