50 mijë euro Interit për kore raciste ndaj Balotellit dhe për një frazë fyese ndaj tij, ndërsa Milani është gjobitur me 10 mijë euro për një pankartë ofenduese ndaj Cassano.
Gjithashtu, janë dënuar me nga një ndeshje skualifikim mbrojtësit Andrea Ranocchia (Inter) dhe Philippe Mexes (Milan), të cilët morën nga një karton të verdhë në derbi dhe plotësuan numrin e ndëshkimeve për një ndeshje pezullim.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, tifozët e Interit kanë fyer sulmuesin e Milanit, Mario Balotelli. Edhe pse në një komunikatë zyrtare para ndeshjes ata kishin bërë të ditur se do ta vërshëllenin ish-lojtarin e tyre, por nuk do të tregonin racizëm ndaj tij, interistët nuk e mbajtën fjalën.
Në pjesën e dytë, disa tifozë të zikaltërve nxorën tullumbace të mëdha në formë bananeje duke e krahasuar në këtë mënyrë sulmuesin e kombëtares italiane me majmunin.
Në mesin e pjesës së dytë, Balotelli nuk duroi dot më dhe iu drejtua tifozëve duke bërë gjeste ndaj tyre në mënyrë që të mbyllnin gojën. Menjëherë, kapiteni Zanetti e qortoi dhe e largoi, ndërsa Cambiasso i kërkoi tifozëve të Interit të qetësoheshin.
Këto ndodhën pasi në pjesën e parë Balotelli humbi dy raste të pastra shënimi, ndërsa një goditje e tij me kokë u prit në mënyrë të shkëlqyer nga Handanovic.
Tifozët e Interit nuk e falin Balotelli-n për faktin se në vitin 2010 hodhi në tokë me përçmim fanellën zikaltër pas një ndeshjeje me Barcelonën në Ligën e Kampioneve.
“Hodhe fanellën tonë, Balotelli mosmirënjohës, gjithmonë do të të ofendojmë”, shkruante një nga pankartat e tifozëve të Interit.
