Ekskluzive / Rrëfim i 75-vjeçarit Gjokë Dabaj nga Tivari, një nga ish-drejtuesit e organizata patriotike “Liria” në vitin 1962 në ish-Jugosllavi. Zgjerimi i radhëve të organizatës patriotike “Liria” në trevat shqiptare në Jugosllavi, sfida ndaj UDB-së, armatosja e anëtarëve të saj dhe plani i kontakteve me strukturat e shtetit shqiptar për ndihmë në realizimin e misionit të saj
75-vjeçari Dabaj: Pas zgjerimit të rradhëve në trojet autoktone shqiptare nën ish-Jugosllavi, një nga vendimet kryesore ishte armatosja e anëtarëve të saj. Ishte një vështirësi deri në kufijtë e pa mundësisë, por e domosdoshme. Armët do i përdornim nëse nuk kishte rrugë tjetër në përmbushjen e misionit, ose të vetëvriteshim nëse nuk kishim rrugë tjetër.
Pak kohë pas themelimit të shoqatës patriotike “Liria”, në konspiracion me zinxhirin e rekrutimit 1+3 (evitim i njohjeve të anëtarëve me njëri-tjetrin në grupe e nëngrupe), rradhët dhe aktiviteti i saj u shtua ndjeshëm. Anëtarët e saj, në bazë të nevojës së sanksionuar me vendim të kryesisë, anëtarët e saj duhet të armatoseshin, me qëllim realizimin e detyrave të misionit, por dhe për vetëvrasje nëse kapeshin nga agjentët e UDB-së. Këtë situatë dhe përgatitjet për kontakte (nëpërmjet arratisjes ilegale) me Shqipërinë, i rrëfen në intervistën e tij në vazhdim Gjokë Dabaj…
Si vazhdoi aktiviteti patriotik e ilegal i organizatës patriotike “Liria”?
-Diku në fillim të majit 1962 kemi bërë mbledhjen e dytë të organizatës “Liria”. Tubimi u bë në një bregore sipër Prizrenit të quajtur “Çezmia e Pashës”. Aty pranuam një të ri energjik, Liman Thaqin. Për të mos rënë në sy të agjentëve të UDB-së, si edhe herën e parë, ishim të pajisur me nga një trastë sportive. Kishim me vete edhe një top, hendbolli a volejbolli. Kemi luajtur një copë herë, me qëllim që, po të na shihte dikush, të mendonte se jemi të rinj të zakonshëm që kishim dalë për shëtitje. Gjoja të lodhur, jemi ulur në mënyrë të ç’rregullt dhe e kemi hapur mbledhjen. Bedrushi ka raportuar si jane zhvilluar ngjarjet në ditët që nga themelimi e këtej. Toni i tij ishte mjaft optimist dhe shpresëdhënës. Pas tij Haxhi Zyba mbajti një referat mbi problemet e organizimit. Materialet e shkruar duhej të ruheshin në vende sa me të sigurt dhe këtë duhej ta bënte Haxhi Zyba, i cili do të kryente rolin e sekretarit. Pas kësaj kemi folur për pseudonimet. Secili kish marrë detyrë që ta zgjidhte vetë një pseudonim dhe që atëherë, kur të flisnim njëri me tjetrin ose kur kishim për t’i ngarkuar ndonjë detyrë ndonjërit, duhej t’i përdornim ata pseudonime. Por në raport me nxënësit e tjerë dhe me këdo tjetër që na njihte, këta pseudonime nuk do të përdoreshin në asnjë rrethanë.
Në aktivitetin e organizatës “Liria”, anëtarët e saj u përballën disa herë dhe u bënë sfidë agjentëve të UDB-së, por pa mundur që t’i shpëtonin në fund zbulimit, arrestimit e dënimeve…
Si dhe ku do të përdoreshin pseudonimet e krerëve të organizatës “Liria”?
-Në materialet e shkruar do të përdoreshin gjithmonë pseudonimet. U dha edhe një alfabet sekret, të cilin e përpilova unë dhe Bedrushi, mbi bazën e të cilit do të shkëmbeheshin letra në rast nevoje dhe me të cilin në të ardhshmen mund të shkruheshin edhe raportet apo urdhrat. U vu si detyrë të mësojë secili prej nesh atë alfabet, në mënyrë që ai të bëhej i përdorshëm. Të gjithë e morën fjalën dhe thanë çfarë mendonin. Fadil Cukaj, duke folur, e përdorte shpesh fjalën “Vdekje” dhe mbas kësaj të gjithë shokët kërkuan që pseudonimi i tij të ishte “Vdekja”. Dhe ashtu mbeti. Bedrushi e kish pseudonimin Flamur. Të tjerët nuk po më kujtohen, sepse që nga ajo kohë, ka kaluar tashmë gjysmë shekulli.
Si do të kontaktonit me funksionarët në Shqipëri?
-Një nga pikat që diskutuam ishte edhe dërgimi i njërit prej anëtarëve tanë në Republikën e Shqipërisë, me qëllim që qeverisë së atjeshme t’i dorëzohej një mesazh mbi ekzistencën këtu të një organizate të këtillë si dhe një promemorie, ku të parashtroheshin programi ynë dhe kërkesat tona. Ky propozim u miratua prej të gjithëve. Shkuarja në Republikën e Shqipërisë ishte mbi baza vullnetare. Secili u shpreh i gatshëm për ta kryer këtë detyrë. Pas kësaj Bedrushi tha që personi i cili do të dërgohej ka për t’u caktuar më vonë dhe se anëtarët e tjerë nuk duhet ta dinë cili është ai, pasi duhej ruajtur kjo punë sa më sekret që ish e mundur. U vu një detyrë dhe për armatosjen…
Si do të armatoseshit dhe ku do të përdoreshin këto armë?
-Detyrë e secilit anëtar ishte që të siguronte ndonjë armë për mbrojtjen e vetes. Armët në atë kohë do të na duheshin vetëm për një qëllim: Të mund t’u bënim ballë sadopak rrethuesve eventualë ose në rastet pa rrugëdalje të mund të vetëvriteshim, me qëllim që të mos përjetonim torturat që e dinim si i praktikonte UDB-ja. Mbasi ka përfunduar mbledhja, nuk kemi ardhur të gjithë bashkë, por në 3 a 4 grupe, larg njëri-tjetrit, në mënyrë që të mos tërhiqnim vëmendjen.
Jeta në shkollë vazhdonte krejt normale. Në ambientet e konviktit apo në oborr të shkollës nuk mblidheshim kurrë rreth njëri-tjetrit, por përshëndeteshim si të njohur të zakonshëm… Ndodhi një rast që dua ta veçoj këtu, apo më mirë të them një eveniment që la gjurmë…
Cili ishte ky eveniment?
-Pra, ndodhi një rast nga ata që rrallë ndodhnin në ata vite në trevat shqiptare të pushtuara prej sllavëve. Dy nxënës të klasës sime kishin kaluar ilegalisht në Republikën e Shqipërisë. Këta ishin Ismail Abazi nga Opoja dhe Rafet Ademaj nga Zhuri. Rafet Ademaj kish mbetur atje, kurse Ismail Abazi ish kthyer këndej, ish kapur dhe ish burgosur. Situata ishte alarmante për pushtetin, sepse po shihej që ngjarjet po shkonin në të kundërt të asaj që propagandohej. Për këtë ngjarje të rëndë, na mblodhën në analizë…
Su u zhvillua analiza për arratisjen e dy shokëve tuaj dhe përfundimet e saj?
-Na mblodhën në kinema “Radnik”, arsimtarë edhe nxënës dhe na mbajtën fjalime. Folën disa nga arsimtarët, si dhe anëtarët sërbe të Komitetit të Rinisë. Haxhiu, Fadil Cukaj dhe unë e dinim se çfarë kish për t’u folur, çfarë do të thoshte, sepse ishim anëtarë të Komitetit të Rinisë. E hapi mbledhjen dhe foli i pari Ymer Arifi, që ishte kryetar i Rinisë. Prej profesorëve folën: Ajet Bytyçi, profesor i gjuhës shqipe, por edhe sekretar i organizatës së LKJ për shkollën, dhe Hysni Gashi, profesor i historisë. Foli edhe Bukurie Krasniqi prej Hoçës së Madhe, si dhe një profesor i rusishtes, që i kish mbaruar studimet diku në Çekosllovaki apo në Poloni. Të gjithë kritikuan regjimin e Republikës së Shqipërisë dhe e akuzuan që po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë…
Pati ndonjë reagim në këtë moment?
-Shumica e profesorëve ishin të pranishëm, por nuk folën. Nuk pat ardhur aty vetëm drejtori Ali Dida. Ai qe arsyetuar se kish një punë zyrtare në një vend jashtë Prizrenit. Për këtë rast pati debate midis nxënësve. Disa ishin kundër atyre fjalimeve që u mbajtën, disa i justifikonin. Shumica shpreheshin kundër, madje krejt ngjarjen e vlerësonin si një farsë qesharake. Profesori i rusishtes, i cili, siç thashë, kishte studiuar diku në Çekosllovaki apo në Poloni, tha se kish njohur atje disa studentë nga Republika e Shqipërisë dhe se ata i paskëshin thënë: “E jona është deri në Nish.” Sigurisht, nëse ishin të vërteta këto fjalë, të thëna prej njerëzve matanë kufirit, ne na bëhej qejfi. Duke komentuar të këtilla deklarata, vihej re një nënqeshje kuptimplote ne fytyrat e sllavëve që i dëgjonin komentet. Dua ta theksoj këtë moment…
Çfarë kishte të veçantë ky moment?
-Përmenda më lart dhe po e theksoj se shumë gjëra që unë po tregoj për atë kohë, sot, nga brezat në shtetin amë, duken të pabesueshme. Por brezat në Jugosllavi, për dekada kanë qenë të detyruar të përballen me politikën shtetërore shtypëse të Titos. Ndonëse ishim shqiptarë e në trojet tona autoktone, na detyronin të mësonim që në vitet e para gjuhën sllave… Gjyqet, letrat, shkresat në të njëjtën gjuhë.. Rrugët që ishin ndërtuar nga të parët tanë në tokën e lashtë shqiptare, emërtoheshin me emra sllavë… Në të gjitha institucionet e shtetit, ishin drejtues sllavë që drejtonte shqiptarët. Kush hapte gojën, kush ngrinte sadopak kokën, dënohej. UDB-ja famëkeqe i ndiqte shqiptarët, i persekutonte, i dënonte në gjyqe të stisura, i vriste… Shumë nga shokët e mi, ata të organizatës “Liria”, patën fat të keq, dolën në gjyq u dënuan me vite e dekada në burgje… Unë, siç do ua shpjegoj më vonë, u nisa me mision në Shqipëri nga organizata “Liria”, por mbeta në Shqipëri, e shumë gjëra, i mësova dekada më vonë…
Të kthehemi tek vitet 1962-1963 kur nisi realizimi i planit të arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri?
-Erdhi edhe fundi i vitit shkollor 1962-1963 dhe ne me një ngarkesë të madhe të veprimtarisë, u nisëm gjoja për pushime. Por ne kishim përpara misionin, kontaktet me shtetin amë… Më 29 qershor unë i ftova shokët e kryesisë së “Liria” në një festë të krahinës së Shestanit që bëhej çdo vit. Në shtëpi i paraqita si shokë shkolle. Ata ishin: Selatini, Gjergji dhe Fadil Cukaj. Erdhën edhe dy të tjerë, të cilët ne i njihnim qysh në Nikshiq. Këta ishin, Musë Maxhari dhe Hasan Salaj. U bëmë gjithsej 6 vetë. Kemi ndenjur aq sa ka zgjatur festa. Festa bëhej me këngë e valle. Aty kemi pirë një lloj vere të veçantë të zonës. Kemi marrë pjesë edhe në Vallen e veçantë të Shestanit. Të nesërmen kemi shkuar edhe në kishë, ku thuhej mesha me rastin e festës… Në një kohë dite kemi bërë një takim të gjithë së bashku në një bregore shkëmbore dhe aty unë hapa bisedën mbi situatën tonë kombëtare dhe nevojën për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje me masat më të përshtatshme. Kemi biseduar për këtë punë dhe secili prej nesh ka dhënë mendimin e vet. Me qenë se katër prej nesh ishin të organizuar dhe dy të tjerët pajtoheshin në mendime me ne, e shtruam çështjen e krijimit të një nëngrupi, por pa u treguar 2 shokëve të tjerë mbi ekzistencën e një tjetër grupi qendror. U tha vetëm se ne nuk ishim të vetmuar. Në fakt, pjesëtar të “Liria” ishin shumë, por në bazë të skemës 1+3, ishte sekret dhe e pamundur të njiheshin të gjithë… I kujtoj shumë mirë ato kohë…
Si e mbani mend situatën në ato vite në vendlindjen tuaj?
-Aty, në Shestan, shikohej edhe më realisht gjendja jonë kombëtare. Katundi kishte mbetur me fare pak familje, me kushte ekonomikë shumë të rëndë, dhe, në qoftë se nuk bëhej diçka, për disa vjet katundi do të shuhej e do të mbetej pa banorë. Nuk kishte shkollë, kurse fëmijët e vegjël duhej të shkonin në një fshat tjetër, 45 minuta larg, dhe atje mësimi jepej ne gjuhë të huaj, në gjuhën sllave. Në tubimin(takimin) që u bë, krijuam nëngrupin e radhës. Musë Maxhari, që ish një djalë shumë i mirë, na tha kështu: “Unë nënën e kam prej Goranet, që është një fshat sllavisht folës. Nuk mund të jem armik i askujt, por për problemet që po i diskutojmë jam gati të sakrifikoj.” Pasi tha këto fjalë, ai ia mori këngës “Ded Gjo Luli shkruen një letër”. Këndonte shumë bukur dhe ne e shoqëruam. Për Hasanin e dinim fort mirë çfarë shpirti e zemre ka. Ai gjithë jetën e ka dëshmuar se është një patriot me taban të fortë. Grupi i ri mund të quhej tashmë i krijuar. E lamë që do të takohemi edhe herë të tjera, për të caktuar detyra me konkrete.
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Gjokë Dabajt: Si më thirri në mesnatë Fadil Cukaj dhe më komunikoi misionin sekret të caktuar nga “Liria”, të arratisesha në Shqipëri dhe të kërkoja ndihmë tek shteti amë për misionin tonë.
-Nata e 6 korrikut, nata e tmerrit në kufirin Jugosllavo-Shqiptar për Gjokë Dabajn që synonte kalimin e klonit kufitar dhe evitimin e përplasjes me kufitarët jugosllavë.
-Përballja e padëshiruar me një çoban në afërsi të kufirit dhe ndihma që ai afroi për kalimin e kufirit në zonën e Shkodrës nga i riu Dabaj.

Ku e gjetet kete katuna?Lejeni te ngrysi pleqnine.