Moikom Zeqo
Gjon Buzuku është sakrifica e shpëtimit. Në të gjitha pikëpamjet dhe në të gjitha mundësitë e pashterrshme të mbijetësës.
Shekuj më parë nga një tërmet hyjnor u ça muri i Forumit të Romës. Banorët e Romës u munduan me çdo kusht që ta mbyllnin këtë të çarë të frikshme.
Hodhën në të gurë shkëmbinj por një fuqi e llahtarshme i thithte në çast.
Atëherë njerëzit shkuan tek Sibila e Kumës që rronte e mbyllur brenda një shpelle të terrëshme mes pishtarëve që digjeshin por nuk konsumoheshin asnjëherë.
E pyetën Sibilën se si mundet të mbyllej e çara e Forumit.
Sibila u përgjigj se duhej hedhur në të gjëja më e çmuar e Romës.
Atëherë njerëzit mblodhën thesaret dhe i hodhën aty, vajzat e bukura dhe virgjëresha hodhën zbukurimet e arta, pontefikët paganë hodhën skeptrat me gurë të çmuar, fitimtarët hodhën kurorat e tyre të praruara. E çara e Forumit nuk u mbyll.
Vetëm një kalorës romak, djalë i ri i quajtur Kurci siç dëshmon historiani Tit Livi e kuptoi të vërtetën. Ai u paraqit përpara të gjithëve i hipur mbi kalë, i armatosur dhe me shikimin e vetëtimtë të syve të mëdhenj dhe të kaltër si sytë e hyjnive.
Gjëja më e çmuar është jeta njerëzore.
Kurci mes një heshtjeje të lemeritshme dhe një adhurimi që mund të kthente në çmenduri gjithçka u hodh bashkë me kalin në të çarën fatale dhe menjëherë e çara u mbyll me një zhurmë më të madhe se të njëqind tërmeteve.
A nuk veproi kështu edhe Gjon Buzuku duke u hedhur në të çarën e shekujve dhe të gjuhës shqipe. Amen!(2000)
INTERMEXO:AMËSHIMI I PARALAJMËRUAR
A mund të shpallet vdekja e një shkrimtari të madh, përpara vdekjes së tij fizike? A mundet shkrimtari i zgjedhur nga vdekja të lexojë që në të gjallë nekrologjinë e tij?
Çdo gjë që po tregoj më poshtë është kronologjikisht dhe konceptualisht e vërtetë.
Në gazetën shqiptare “Dita”, e diell, 1 korrik 2001, f. 9 gazetarja e re Laureta Lilaj botoi krejtësisht e vetme në krejt planetin e Tokës, shkrimin buçitës me titullin nekrologjik “Realizmi magjik udhëton drejt qiellit…”, madje edhe me një paratitull “Dje, herët në mëngjes te Marquez mbërriti “trokitja e fatit të madh”, vdes autori i vetmisë latino-amerikane.
“Poetë dhe lypsarë, muzikantë dhe profetë, luftëtarë dhe endacakë, gjithë krijesat e këtij realiteti të pamëshirshëm, na është dashur të kërkojmë vetëm pak imagjinatë për problemet tona jetësore që kanë qenë një mungesë e mendimeve tona konvencionale për ta bërë jetën tonë të besueshme. Kjo miqtë e mi është sekreti i vetmisë tonë”, shkruante Gabriel Garsia Marques në fjalimin e tij me rastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1982.
Shkrimtari latino-amerikan Gabriel Garsia Markes vdiq dje herët në mëngjes, nga një tumor në kokë, të diagnostikuar qysh prej tre vjetësh. Si një hero përpara vështirësive ai deklaronte pak muaj para se të vdiste se sëmundja e tij ishte “trokitje e një fati të madh”, sepse e shtyu atë të shkruante kujtimet e tij. Shkëputja e tij nga jeta publike u lejoi njerëzve të spekullonin me thënien se ai ishte duke vdekur. Ai u rishfaq në publik me poemën e tij të publikuar në Internet duke deklaruar që ajo ishte mesazhi i tij i lamtumirës. Njërëzit mendonin që ai e shkroi këtë poezi patetike që të mund të justifikonte këtë rrethanë.
Gabriel Garsia Marquez lindi në fshatin Arakatakatë të Kolumbisë më 1928. Ai e ka përshkruar jetën e tij si një gazetar që zakonisht shkruan romane. U rikthye në gazetari në fund të viteve ’90 me librin “Të rejat e një rrëmbimi”, në të cilën flitet për fatet e një grupi njerëzish të marrë peng në 1990 nga Pablo Eskovar, një nga udhëheqësit më brutalë të kartelës së drogës. Arakataka është fshati i tij i fëmijërisë. Me trenin e saj të verdhë e të pluhurosur, me shtëpitë e vjetra prej druri dhe rrugët e zhuritura nga Dielli, Arakataka kishte mitet dhe legjendat e veta me të cilat u ““shqye””qysh në fëmijëri shkrimtari i ardhshëm Marquez. Ai u rrit në një shtëpi të madhe plot me gra, shtëpi nga më të vjetrat e fshatit. Personazhi më i rëndësishëm i kësaj shtëpie ishte gjyshi i tij, ish-koloneli Nikolas Raul Markes, pjesëmarrës i luftrave civile.
Disa tipare të karakterit dhe tipare fizike të kolonelit Markes do t’i përdorte për të krijuar figurën e kolonelit Aurelian Buendia, i cili është i pranishëm ose si hije ose si personazh gati në të gjitha veprat e autorit. Themelues i realizmit magjik ose realizmit të mrekulluar, Marquez ka hyrë në jetën shqiptare nëpërmjet përkthimeve të Aurel Plasarit, Mira Meksit dhe Robert Shvarcit. Ai është autori më i njohur nga shqiptarët në listën e shkrimtarëve latino-amerikan”. Ky lajm mortor në krejt planetin është padyshim një skandal shqiptar. Por edhe një kuriozitet i qetë, jo befasues. Befasia e ka të humbur kuptimin. Vdekja është e pashmangshme. Në këtë rast është anëshim i paralajmëruar. Ndoshta Marquez ka vdekur vërtetë, prej kohësh. Ndoshta mbijeton sozia e tij, ose shembëlltyra e klonuar. Sot nuk çuditemi, lemeria ndaj mrekullisë nuk na shqetëson. Marquez – do të pinte kafe me vajzën shqiptare të këtij lajmi: që i jep atij një subjekt të ri nga jeta e gjallë. Më 1982 me rastin e Çmimit Nobel shkrimtari rrëfen para botës disa dëshmi:
Antonio Pigafetta, një lundërtar fiorentin që shoqëroi Magelanin në udhëtimin e parë rreth botës, na ka lënë të përshkruar, me një përpikmëri ekzakte që nuk u përsërit më, kalimin përgjatë tokave jugore të Amerikës, një kuturisje kjo, aq e rrezikshme. Në të na rrëfen që kishin parë derra të tredhur me kërthizë mbi këllqet e tyre, zogj pa kthetra klloçka e të cilëve i shtronte vezët mbi shpinën e mashkullit të saj dhe të tjera akoma, pelikanë të rrallë pa gjuhë, me sqepa si lugë. Ai shkruan që kishte parë një krijesë dështake, me kokën dhe veshët e një mushke, trupin e një gamileje, me këmbët e një dreri dhe hingëllimën e një kali. Ai përshkron se si takimi i parë me vendasit, në Paragoni, ishte përballja me një pasqyrë, që pastaj i shkaktoi gjigandit të zjarrtë ndjesinë e frikës prej imazhit të vet. Ky libër i shkurtër impresionues, i cili madje do të përmbante farat e novelave të ditëve të sotme, është pa dyshim përballja më tronditëse e realitetit tonë me atë kohë. Kronikat e indianëve na mbetën midis shumë të tjerash.
Eldorado, kërkimi ynë kaq i etur dhe toka iluzive shfaqur në një numër hartash për shumë e shumë vjetë, duke zhvendosur vendin dhe formën e saj në përshtatje me fantazinë e hartëbërësve. Në kërkimet e tij për burimin e rinisë së përjetëshme, mitiku Alvar Nunez Cabeza de Vaca eksploroi veriun e Meksikos për tetë vjetë, në një ekspeditë fatkeqe, anëtarët e së cilës gllabëruan njëri-tjetrin dhe vetëm pesë prej të cilëve u rikthyen, prej gjashtëqindëve që e kishin nisur atë.
Njëri prej shumë mistereve ende të pahulumtuar të asaj kohe është ai i njëmbëdhjetë mijë mushkave, që la Cuzco për të paguar pengun e Atahualpa dhe që kurrë nuk e arritën destinacionin e tyre. Mëpastaj, në kohët koloniale, pulat ishin vënë në shitje në Kartagena dhe Indias, ngritur mbi toka aluvionesh, thellësia e të cilave dhe barku i pulave përmbante copra të imta ari. Një etje e tillë ari, e cila na mundon neve deri sot e kësaj dite. Aq vonë kjo, sa shekullin e fundit, një mision gjerman, që vendosi të studiojë konstruksionin e një hekurudhe ndëroqeanike përgjatë Istmit të Panamasë, konkludoi që projekti ishte i realizueshëm, por vetëm me një kusht: shinat të mos bëheshin prej hekuri, i cili ishte i rrallë në rajon, por prej ari. Pavarësia jonë prej dominimit spanjoll nuk na nxorri neve përtej kërkimit të trenit të çmendurisë.
Gjeneral Antonio Lopez de Santa, tri herë diktator i Meksikos, mbajti një funeral të mahnitshëm për këmbën e tij të djathtë që ai e kishte humbur në të ashtuquajturën Luftë e Ëmbëlsirave. Gjenerali Gabriel Garcia Moreno drejtoi Ekuadorin për gjashtëmbëdhjetë vjetë si një monark absolut; në zgjimin e tij, kufoma ishte vendosur në karriken presidenciale, stolisur në tërë uniformën e tij dhe me një shtresë të tërë mbrojtëse medaljesh. Gjeneral Mazimiliano Hernandez Martinez, despoti teozof i Salvadorit, që kishte therur dyzetë mijë fshatarë në një masakër të egër, shpiku një pendul për të pikasur helmin në ushqimin e tij, dhe kishte ndriçuar tërë rrugën duke e mbuluar me letër të kuqe për t’i shpëtuar skarlatinës.
Statuja për Gjeneral Francisco Moraz, ngritur në sheshin kryesor të Tegusigalpës, është edhe sot e Marshall Ney, blerë te një magazinë shumice në Paris, për skulpturat e dorës së dytë. Njëmbëdhjetë vjetë më parë, kileni Pablo Neruda, njëri prej poetëve të shquar të kohës sonë, e përndriti këtë mjedis me fjalën e tij. Që nga ajo kohë, europianët me dëshirë të mirë – ngandonjëherë edhe qëllimkqijtë, gjithashtu -, kanë qenë të magjepsur dhe përgjithmonë të frymëzuar, prej lajmeve të pashpjegueshme e të çuditshme të Amerikës Latine, të kësaj mbretërie të pafund burrash këmbëngulës dhe grash historike, këmbëngulja e pashtreshme e të cilëve, i shndërroi në legjendë. Ne nuk kemi pasur qoftë edhe një moment prehje. Një president pormethean, i rrethuar, në pallatin e tij në flakë, vdiq duke luftuar një ushtri të tërë, i vetëm; dhe dy aksidente të dyshimtë aeroplanësh, ende për t’u shpjeguar, shkurtuan jetën e njërit prej presidentëve më zemërgjerë dhe atë të një ushtari të demokracisë, i cili kishte mëkëmbur dinjitetin e popullit të tij.
Ndodhën pesë luftra dhe shtatëmbëdhjetë grushte shteti; atje u shfaq një diktator diabolik që kishte nxjerrë, “në emër të Zotit”, të parin etnocid latino-amerikan të kohës sonë. Ndërkaq, njëzet milionë fëmijë latino-amerikanë vdiqën pa arritur moshën një vjeç – më tepër se lindën në Europë që nga viti 1970. Ata nuk janë më, për shkak të një numri prej njëqind e njëzet mijë represionesh dhe pas tërë kësaj, duket sikur asnjëherë, askush, nuk do të japë llogari për banorët e Uppsalës. Jo pak gra janë arrestuar, ndërsa gra shtatzëna kanë lindur në burgjet e Argjentinës dhe askush nuk e di vendndodhjen dhe identitetin e fëmijëve të tyre, që ishin adaptuar fshehtësisht ose dërguar në ndonjë bonjakëri, pas urdhërit të autoriteteve ushtarake. Për shkakun e vetëm se u përpoqën të ndryshojnë gjendjen, rendin e gjërave, afërsisht dyqindmijë burra dhe gra vdiqën përgjatë kontinentit tonë, dhe përmbi njëqindmijë kanë humbur jetët në tri vendet e vegjël, më të pafatë, të Amerikës Qendrore: Nikaragua, Salvator dhe Guatemala. Nëse kjo do të ndodhte në Shtetet e Bashkuara, pamja koresponduese e paraqitur do të ishte për një milion e gjashtëqindmijë vdekje violente në katër vjetë.
Një milion njerëz braktisën Kilin, një vend me një traditë të njohur bujarie – shifër që është dhjetë përqind e tërë popullsisë së tij. Uruguai, një komb i vockël me dy milionë e gjysmë popullsi, e cila e mban veten e saj si më të qytetëruarën e kontinentit, humbi nga ekzili njërin ndër çdo pesë qytetarë. Që nga 1979, lufta civile në Salvador ka prodhuar pothuajse një refugjat në çdo njëzet minuta. Shteti që mund të formohej prej gjithë të ikurve dhe të detyruarve me ikje nga Amerika Latine, do ta kishte popullsinë më të madhe se të Norvegjisë.
Unë guxoj të mendoj se qe kjo situatë e papërfytyrueshme, jashtë realitetit, dhe jo thjesht shprehja letrare, që meritoi vëmendjen e Akademisë së Letrave të Suedisë. Nuk është realitet letrash, por një realitet që jeton brenda nesh, që i përcakton secilit, në mënyrë të menjëhershme, vdekjet e përditëshme, të panumërueshme, që ushqen një burim të pangopshëm kreativiteti, plot me pikëllim dhe bukuri, hutesë dhe nostalgji kolumbiane, e cila është jo thjesht një shifër, por një kod më shumë, zgjedhur prej fatit. Poetët dhe lypsarët, muzikantët dhe profetët, luftëtarët dhe horrat e poshtër, të gjithë krijesat e atij realiteti të pa fre, do t’i kishim ftuar, por një copë e imagjinatës sonë, ajo për problemet tona kruciale, ka qenë mungesa e të kuptuarit konvencional për të shërbyer jetët tona besueshëm.
Subjektet e mësipërme Marquez-i nuk i ka shkruar kurrë, ato janë librat e tij të padukshëm, më qartësisht: palimpsesti i librave të tij të dukshëm, siç është vetë shkrimtari i gjallë ende polimpsert i shkrimtarit të vdekur më pas. Marquez-i e di këtë sekret të kobshëm dhe universal. Ai e di se jeta imitohet nga vdekja, po ashtu si edhe vetë vdekja e imiton jetën. Midis jetës dhe vdekjes është ajo më e tmerrshmja, më e nemura: vetmia. Romani i tij “Njëqint vjet vetmi” është Ungjilli i vetmisë, më i vërteti nga të gjithë ungjijt kanonikë, apo gnostikë. Ky libër është ftillëzuar nga realiteti sipas metodës “folkneriane”. Ndihet ndikimi i “Ditari i vitit të murtajës”, të Daniel Defosë dhe i Rablesë me barokun e tij të mahnitshëm.
Vetmia – ja çfarë i intereson shkrimtarit – kjo tingëllon metafizike, ngase duket krejt e kundërt me tipin social të Marquez-it, që megjithatë mendon se njeriu në përgjithësi është krejt i vetmuar.
Te “Don Kishoti” i Servantesit përmendet romani kalorsiak “Amadisi i Galisë”. Marquez-i është shprehur në një bisedë me Mario Vargas Llosan se “e lexoj dhe e rilexoj dhe mahnitem pafundësisht me këtë roman kalorsiak – librin më të madh në gjithë historinë e njerëzimit”. Kjo shprehje e skajëshme nuk është pa humor. Në këtë roman kalorësit ja presin kokën në kapitullin e tretë, por në kapitullin e pestë kalorësi shfaqet përsëri me kokën mbi supe, në kapitullin që vjen ja presin përsëri, por prap kalëron në labirintet e subjektit me kokën ende të paprerë përfundimisht. Pse? Si ndodh kështu? Sepse kalorësi është i pavdekshëm, ai e heq dhe e ve kokën sa herë që të dojë dhe t’i nevojitet. Ky imazh nuk vdes, ripërtërihet.
Kjo do të thotë se Marquez-i mund të vdesë dhe të ringjallet pafundësisht. Për herë të parë ka vdekur kur shkroi romanin “Gjethurinat”, por u ringjall tek romani “Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj”. Tek “Njëqint vjet vetmi” u vra 55 herë dhe 105 herë mbeti i gjallë përsëri, tek “Vjeshta e patriarkut” u masakrua në 33 trupa njerëzish dhe 17 trupa kafshësh dhe zogjsh dhe u ringjallë në 574 mijë trupa foshnjash të porsalindura, tek “Gjenerali në labirintin e tij” u pushkatua në Kolumbi, Kili, Argjentinë 4878 herë, vdiq nga plagët e shpatave, plumbave, nga dizanteria dhe gangrena 1055 herë, dhe u ripërtëri në 48 miljonë trupa latino-amerikanësh që fituan lirinë mes sakrificave të pabesueshme. Marquez-i e ndjeu pafundësisht në trupin e tij tmerrin e vdekjes dhe po aq pafundësisht rilindjen trupore dhe shpirtërore. Shkrimtari i krijon personazhet, që vetë personazhet të rikrijojnë atë. Shkrimtari është konkuruesi i tretë midis jetës dhe vdekjes. Panteizmi i shkrimtarit është palimpsesti i tij magjik.
Sidoqoftë Marquez-i e pati një vdekje me nekrologji në Shqipëri, por nuk e besoi asnjeri.
Lajmi qarkulloi në Internet si një peshk i vetmuar.
Disa agjensi të mëdha botërore të lajmeve e përkthyen në spanjisht, anglisht, latinisht dhe gjuhën baske, madje dhe në kinezisht dhe persisht.
U pëlqeu, por nuk e shpallën.
Unë, autori i këtyre rrjeshtave mendova t’i shkruaja vetë Marquez-it, duke e nxitur: “Ja subjekti juaj – shkruani!” Duke qenë dembel dhe i plogët, u mjaftova ta thirrja si një arnë në rrobën e vjetër të vetmisë time. Vajzën e bukur Laureta Lilaj që bëri këtë thagmë, nuk e pashë më, sikur kishte emigruar në perandorinë e trillimeve të vërteta.
Ndoshta Mira Meksi, përkthyesja e mrekullueshme e “Dashuri në kohën e kolerës” qe një shembëlltyrë më e herëshme dhe enigmatike e vajzës nekrologjibërëse dhe e kishte takuar Marquez-in dhe shkrimtari e kishte quajtur “Lulja pirate” do të më kuptonte më mirë se të tjerët dhe do t’i shtonte diçka, ndonjë stolisje metaforash më të besueshme shkrimit tim skeptik dhe të harlisur varfërisht. Dallimi midis një ngjarje të vërtetë dhe të imagjinuar nuk është fatal, nuk ekziston, nuk na çmënd.
Na bën më të kthjellët, më meditativë.
Kur e lexojmë Marquez-in jemi vetë Marquez-i.
Kur vdes Marquez-i vdesim vetë ne, kur ai mbijeton mund (a thua?) të mbijetojmë sëbashku. Sidoqoftë Engjëlli i Vdekjes u shpall.
Është një vajzë shqiptare që në një gazetë pa asnjë rëndësi e konceptoi lajmin e pashmangshëm botëror.
Dukja dhe zhdukja e kësaj vajze është gjithashtu një formë providenciale, mes një vrazhdësie reale dhe këlthitëse.(2001)
Kultura nuk vjen nga ghetot e Amerikes Latine.Kultura vjen nga TRADITA.
Refuzoj letersine Amerikano-Latine.
Refuzoj telenovelat Venezueljne,Mexikane,Braziljane etj.aq me shume ato indiane,turke,pakistane,..
Iki nga salla kur ne pjano ulet nje kinez,zezak,japonez.
E quaj fatkeqesi periudhen 75-90,kur shtypin letrar shteteror Drita dhe Nentori i sundonin latino-amerikanet.
E konsideroj kte deviacion nga tradita e shendetshme Evropiane qe paten krijuar perkthyesit e medhenj,si influence te Zeqos.Sot influenca e Zeqos ne shtypin letrar eshte 0.
Po perse Zeqo,Mira Mexi,admiratojne Markes,dhe te tjere shkrimtare te ghetove te Kolumbise,Bolivisie,Ekuadorit,Peruse etj?
Ketu qendron mysteri,Eshtye Xi dhe Yi.
Sepse edhe une nuk e spjegoj dot pse Damian Gjiknuri dhe gruaja e tij dhe ca shoqe te saj shperthyen ne vaj dhe i puthnin duart Guruse zhigolo,qe zbriti nga India ne aeroportin e Rinasit.
Jane fenomene filiozofike, psikopatike,neuropsiqike mjaft te thella per tu spjeguar.