Edi Paloka dhe Mark Marku janë dy deputetët që bashkë me kreun aktual të PD Mirditë kanë marrë vendime pa marrë parasysh aspak mendimin e njerëzve në bazë
Bisedoi: Gazmira Sokoli
Mungesë transparence, deputetë që marrin vendime dhe anashkalojnë bazën e nuk marrin parasysh mendimin e njerëzve lidhur me atë ç’ndodh në të vërtetë. Këto akuza ngrihen nga ish-nënkryetari i Partisë Demokratike në Mirditë, i cili pak ditë më parë dha dorëheqjen nga posti i tij. Duke u shprehur se do të vazhdojë të mbrojë të djathtën si forcë politike për të cilën ka investuar 20 vitet e fundit, Gjon Ndoji flet për gazetën “Dita” lidhur me problemet e shumta që e detyruan të jepte dorëheqjen. Ai deklarohet kundër zgjedhjes në krye të PD Mirditë të Gjergj Prengës, kryetar i një komune, nga i cili sipas Ndojit, dega ka pasur më shumë humbje prej tij sesa fitore, pasi në zgjedhjet lokale ka qenë në stafin e një kandidati rival të PD-së dhe bëri të mundur humbjen e kandidatit demokrat, Nikollë Shyti.
Zoti Ndoj, kur kanë filluar pakënaqësitë e para brenda strukturave të PD-së Mirditë?
Gjatë mandatit të dytë të PD-së, pas ndryshimeve kushtetuese, sipas të cilave deputeti fiton me listë dhe nuk përballet me elektoratin, pati një shkëputje nga strukturat e Partisë Demokratike, që filluan ta shohin si pronë, dhe jo si detyrim ndaj elektoratit. Personalisht, gjatë drejtimit të Drejtorisë Tatimore Rajonale të Lezhës kam pasur gjithmonë një luftë nga ana e grupit të punës së deputetëve të drejtuar nga Edi Paloka.
Më kanë lëvizur nga Drejtoria Rajonale duke më çuar jashtë qarkut Lezhë, ndonëse statusi i nëpunësit të shërbimit civil nuk lejon që drejtori të përgjithshëm të transferojë më shumë se 30 km nga qendra e banimit. E pranova transferimin me qëllim dhe shpresë që nëse pasardhësi im nuk do të realizonte treguesit e punës time, të rikthehesha. Megjithëse për 2 vjet me radhë pasardhësi im arriti të realizonte 20 për qind më pak të ardhura tatimore, nuk u shqetësua njeri dhe nuk e pati kush problem vlerën e individit.
Në strukturat e PD-së vazhdimisht kam ngritur problemet që shqetësojnë elektoratin dhe kam kërkuar transparencë. Kam kërkuar që, nëse duam ta mbajmë të fortë PD-në si strukturë, duhet të ballafaqohen të gjithë pushtetarët e PD-së dhe drejtorët me bazën e partisë, pasi një gjë e tillë ishte në favor të PD-së, por këto kërkesa të vazhdueshme kanë rënë në vesh të shurdhër dhe unë vetëm sa kam fituar urrejtjen e grupit të punës të deputetëve të qarkut të Lezhës.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e fundit të PD-së Mirditë?
Këto probleme erdhën duke u acaruar në zgjedhjet e strukturave të PD-së Mirditë. Zgjedhjet në PD Mirditë u bënë para përfundimit të mandatit për arsye se PD pati rezultatin më të keq në historinë e saj gjatë zgjedhjeve lokale të majit 2011 (humbi dy bashkitë e mëdha dhe fitoi vetëm në tre komuna nga shtatë njësi vendore që ka rrethi).
Ndërsa në listat për këshillat bashkiakë, PD u rendit forcë e tretë. Këto probleme që përmenda më sipër, nëse udhëheqja do të ishte më afër bazës dhe deputetët e PD-së , të cilët vendosin për fatet e saj, po të mbronin zërin e bazës, është e sigurt që nuk do të ishte ky rezultat. Por nga vendosja e kandidaturave në mënyrë klienteliste, pa pasur respektin e bazës, PD mori këtë rezultat. Mendova se zgjedhjet e parakohshme në PD-në e rrethit do t’i korrigjonin këto gabime, por ndodhi e kundërta.
E para filloi që me zgjedhjet e delegatëve në seksione, ku anashkaloheshin anëtarët e PD-së që kanë 20 vjet dhe thirreshin individë që ishin të caktuar të votonin për persona të veçantë, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Nga rezultati i zgjedhjeve në seksione, janë mbi 20 delegatë që kanë dalë nga e njëjta familje (burrë-grua apo baba-bir).
Përgjegjësi për këtë mbajnë të deleguarit e kryesisë, të cilët ndoqën zgjedhjen e seksioneve dhe një pjesë e këtyre shkeljeve kanë qenë të deleguar nga kryesia e PD Mirditë, deputeti Mark Marku dhe kreu i partisë, Gjovalin Prenga. Nuk po përmend emra të tjerë, pasi një pjesë dihet që do të ndiqnin shembullin e kryetarit dhe deputetit. Ekstremi ka shkuar deri aty sa ka pasur delegatë persona që kanë bërë fushatë për PS-në hapur dhe janë caktuar delegatë në konferencë. Ky problem është ngritur edhe në kryesi, e cila nuk e ka miratuar mandatin e tyre. Megjithëse kryesia ka vendosur të mos u miratohet mandati, ata janë gjetur në listë në konferencë.
Shkelje të tjera që kanë thelluar problemet në PD është edhe seleksionimi i emrave për kryetar të PD-së Mirditë në mënyrë klienteliste, duke hequr nga kandidimi shumë figura të PD-së. Nuk e fsheh që kam pasur dëshirë të kandidoj, por motivet e heqjes së emrave nuk i shpjegon askush. Nga debati me Mark Markun, iu tha delegatëve se “Gjon Ndoj ka probleme me komunikimin me bashkëpunëtorët e tij”. Unë kam të drejtë të irritohem nga kjo gjë, pasi nëse është e vërtetë, le të më votojnë dhe të më rrëzojnë me votë. Nuk e bëjnë dot këtë gjë, pasi sa herë jam votuar, kam fituar me rezultat të thellë.
A ka të tjerë anëtarë të PD Mirditë që mendojnë si ju?
Të njëjtin shqetësim kanë shumë figura të tjera të PD-së së rrethit që kanë mbështetje në bazë, por që nuk u janë krijuar kushte të barabarta siç kërkohet në statut, por nuk kanë kurajë të dalin hapur, duke shpresuar për të ardhmen e tyre politike. Unë në këtë konferencë prisja më shumë dhe nga kryesia qendrore.
Nuk e di sa shërben zgjedhja që u bë që të dalë në krye të PD-së kryetari i një komune që ka distancë me zyrën nga qendra e rrethit gati sa Rrësheni me Tiranën. Cilido të ishte ky kandidat, unë nuk do të isha dakord që një kryetar komune të ishte kryetar i PD-së së rrethit. Po të shikojmë CV-në politike të tij, PD Mirditë ka pasur më shumë humbje prej tij sesa fitore, pasi në zgjedhjet lokale ka qenë në stafin e një kandidati rival të PD-së dhe bëri të mundur humbjen e kandidatit demokrat, Nikollë Shyti.
Në mandatin e tij të parë, ky njeri përfaqësonte PDK-në, ndërsa në mandatin e dytë, me ndihmën e drejtuesve të PD-së u bë kandidat për PD-në, gjë që çoi në ndarjen e elektoratit në komunën Fan në tri pjesë të barabarta.
Një kandidat i pavarur i djathtë u nda vetëm me 60 vota me të dhe jam i sigurt që po të ishin respektuar procedurat demokratike, nuk do të kishte dalë një figurë e tillë në krye të PD Mirditë. Por ka qenë këmbëngulja e zotit Edi Paloka dhe deputetit Mark Marku dhe paaftësia e kryetarit në detyrë, Gjovalin Prenga, që konferenca mori një drejtim të tillë.
Ju përmendët në mbledhje disa emërime të pamerituara në punë…
Kam përmendur probleme të tilla në konferencë pasi janë probleme që thuhen nga baza e PD-së, ku flitet se ka persona që marrin rroga pa u paraqitur në punë apo pretendime të ndryshme dhe ata kanë kërkuar nga PD-ja të bëhet transparencë nga drejtuesit e institucioneve për këtë. Por unë nuk kam ngritur rast konkret, pasi po të kisha të tillë do t’i drejtohesha prokurorisë.
Si merren vendimet brenda PD?
Si rregull, degën e PD-së e drejton kryesia (kryetari, sekretari dhe 19 anëtarë). Çdo vendim duhet të merret nga kjo kryesi. Por prej 8 vitesh kjo kryesi nuk ka funksionuar pasi është anashkaluar nga kryetari Gjovalin Prenga (ish-deputet) dhe mandatin e dytë, i ndihmuar nga zoti Mark Marku. Rrallë, kur jemi mbledhur, ka qenë thjesht mbledhje formale, për zgjedhjet lokale apo ndonjë takim tjetër dhe orientimi i këtyre dy drejtuesve ka qenë tepër formal, pasi thoshin se s’kemi pse diskutojmë kur gjërat caktohen në kryesinë qendrore në Tiranë.
Një herë të vetme u tha se do të mblidhej kryesia për një post politik që do të zgjidhej me votë të fshehtë dhe në këtë rast, zoti Gjovalin Prenga dhe z. Mark Marku, duke parë që kryesia nuk e votonte kandidaturën e tyre, i kërkuan asaj të mos bëhej votimi i fshehtë, por t’ia delegonin kryetarit dhe deputetit zgjidhjen e problemit.
Megjithëse statuti i PD-së thotë që kur kërkojnë 1/6 e anëtarëve votim të fshehtë, atëherë kryesia detyrohet ta bëjë këtë. Në kryesi kërkuan më shumë se 2/6 votim të fshehtë, por përsëri nuk u bë.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja aktualisht me PD-në?
Do të vazhdoj të mbroj interesat e demokratëve dhe të djathtës në përgjithësi jashtë strukturave të PD-së. Do të jem aktiv pasi kam 20 vjet përvojë në politikën lokale dhe nuk do të hesht asnjëherë.
Si e shikoni rezultatin e PD-së në zgjedhjet e ardhshme, pas zhvillimeve të fundit në PD Mirditë?
Rezultati i zgjedhjeve shpresoj të jetë pozitiv në favor të së djathtës, duke menduar dhe shpresuar se këto probleme dhe pakënaqësi në PD Mirditë të mos jenë në rrethe të tjera. Mirdita është rreth i vogël. Unë nuk besoj se ka peshë për të ndikuar në rezultatin kombëtar të PD-së, pra nuk vendos dot as humbjen, as fitoren.
Një CV e shkurtër e zotit Ndoj
Përgjegjës i seksionit të Kontroll Revizionit Mirditë 1992-1995
Drejtor i BKT Rrëshen 1995-1997
Kryetar i PD Mirditë 1991-2001
Sekretar i Këshillit të qarkut Lezhë 2002-2005
Kryetar i degës së Tatimeve Mirditë 2005-2008
Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Lezhë 2008-2010
Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit tatimor Durrës 2010-2011
Drejtor i Drejtorisë së Vlerësimit të Tatimeve, Drejtoria Rajonale Tiranë 2012
Drejtor i Drejtorisë së Borxhit në Tatimet Rajonale Shkodër, larguar në tetor 2012 me dorëheqje