Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal janë të nevojshme jo vetëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por dhe për të qenë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.
“Protestat e dhunshme të opozitës nuk janë thjesht disa veprime kriminale të zakonshme por cenojnë edhe sigurinë e punonjësve me uniformë. Nevoja për mbrojtjen e mjedisit me rritjen ekonomike ka reaguar se legjislacioni sektorial ka nevojë për plotësime.
Ndryshime të tjera lidhen me sigurinë ushqimore, e cila meriton një vëmendje të veçantë. Këto ndryshime propozohen edhe në vijim të ndryshimeve ligjore të miratuara pak kohë më parë.
Lufta ndaj kriminalitetit është gjithë përfshirëse.
Jam e vetëdijshme për shqetësimet se Kodi Penal ka pësuar shumë ndryshime por ka ardhur koha të përgatitet një Kod i ri Penal. Ai është një domosdoshmëri e kohës.
Kjo iniciativë kërkon një analizë të plotë të situatës aktuale si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e BE. Kodi penal nuk mund të prodhojë ndryshime nëse drejtësia nuk e zbaton si duhet.
Shqipëria do ketë rezultate pozitive në luftën kundër kriminalitetit”, tha Gjonaj.
Gjithashtu, ajo ka kërkuar nga Prokuroria që të kryeje me përgjegjësi veprimtarinë e saj për hetimin e veprave penale, duke vënë theksin te ato që cënojnë rendin kushtetues dhe sigurinë.
“Për këtë qëllim, roli që luan çdo prokuror, në ndjekjen penale, veçanërisht të veprave penale që cënojnë rëndë rendin publik, apo edhe punonjësit e policisë së shtetit, duke ulur në këtë mënyrë, perceptimin e përgjithshëm për mirëfunksionimin e shtetit, është shumë i rëndësishëm.
Vetëm nëpërmjet profesionalizmit të prokurorëve, për të ndjekur penalisht të gjitha veprat penale, veçanërisht ato që cenojnë institucionet kushtetuese, pavarësisht se kush është organizatori apo nxitësi i këtyre veprave penale, Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë rezultate të jashtëzakonshme në luftë kundër kriminalitetit”, shprehet Gjonaj.
j.l./ dita
