Ndërsa ishte një nga 5 shtetet që refuzoi dhënien e statusit për Shqipërinë në dhjetor, Britania e Madhe kërkon më shumë përqëndrim në përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE, sesa shpërqëndrim në afatet kohore. Ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington, duke folur në një konferencë për mediat pas takimit që pati me Ministren e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, e vuri theksin në fuqizimin e shtetit të së drejtës, duke e parë si një proçes të lidhur direkt edhe me thithjen e investimeve në vend.
“Shqipëria është tashmë një anëtar shumë i vlefshëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ne jemi mbështetës sa i përket aspiratës së Shqipërisë për integrimin në BE. Çdo proçes që ka të bëjë me zgjerimin e BE është një proçes që ka të bëjë me përmbushjen e standardeve dhe objektivave dhe nuk është gjithmonë i kushtëzuar nga koha. Unë e vlerësoj shumë angazhimin e fuqishëm që qeveria shqiptare ka pasur sa i përket imbarkimit në këtë plan të madh reformash, sidomos ato të forcimit të shtetit të së drejtës, gjyqësorit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit siç janë policia e prokuroria. Sigurisht plani i reformave për të aderuar në BE është shumë sfidues, siç ka qenë dhe për shtetet e tjera. Por shpreh bindjen se këto reforma do ti shërbejnë mirëqënies së popullit shqiptar. Sigurisht reforma ekonomike do jetë shumë sfiduese, por integrimi i Shqipërisë në një treg ekonomik ku ka rreth 500 milionë operatorë do tu japë shtysë sipërmarrjeve shqiptare.Përpjekjet për të fuqizuar shtetin e së drejtës do kenë lidhje direkt me rritjen e fluksit të investimeve në vend, sepse çdo biznes kërkon të ketë sigurinë aty ku investon. I urojmë qeverisë shqiptare sukses në reformat që është imbarkuar, jam shumë i lumtur që Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur dhe do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në realizimin e refromave sidomos në fushën e drejtësisë. I shpreha sot Ministres se ne jemi të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin, por dhe për të zgjeruar fushat e veprimit ku ne mund të asitojmë dhe të japim ekspertizën tonë” tha ai.
Nga ana tjetër Ministrja Gjosha, tha se qeveria po pregatit një plan masash për 5 prioritetet e lëna nga BE, që do të prezantohen në dialogun e nivelit të lartë në ditët në vazhdim.