“Shoqëria civile duhet të ketë rol kyç për zhvillimin e vendit”, u shpreh dje ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, në një takim me përfaqësuesit e Forumit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Paqe (IFDP), në kuadër të turit “Bashkë për Ballkanin”, i cili nis me Shqipërinë dhe do të vijojë në Maqedoni, Kosovë dhe Bullgari. Zgjerimi i rolit të shoqërisë civile ishte fokusi i bisedës mes palëve, ku u pa mundësia e shtrirjes së bashkëpunimit në rajon edhe më gjerë mes organizatave joqeveritare, sidomos për çështje të cilat lidhen me integrimin e Shqipërisë. Ministrja e Integrimit Evropian e konsideroi me mjaft interes shkëmbimin e eksperiencës apo ofrimin e ekspertizës. “Është me mjaft vlerë që ne të shkëmbejmë përvojat sidomos me aktorët e shoqërisë civile. Më lejoni t’ju bëj me dije se Ministria e Integrimit Evropian ka hapur tashmë një njësi të veçantë, e cila do të merret me koordinimin e punës me këtë aktor, të cilin ne e konsiderojmë kyç për kontributin që jep në zhvillimin e vendit”, tha ministrja Gjosha. Ajo gjithashtu u shpreh e hapur për të intensifikuar bashkëpunimin brenda dhe jashtë vendit.
