Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, me ftesë të Akademisë Diplomatike të Londrës, mori pjesë në forumin e organizuar nga kjo akademi, ku prezantoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Në një auditor ku merrnin pjesë jo vetëm studentë, por edhe ambasadorë, studiues e diplomatë, Ministrja Gjosha pasqyroi një tablo të të gjitha përpjekjeve që Shqipëria ka bërë dhe po bën për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Interesi ishte mjaft i lartë për mbështetjen e qytetarëve në këtë proces, ndërkohë që Britania e Madhe për pak javë zhvillon referendumin nëse do të qëndrojë apo jo brenda unionit. Ministrja Gjosha theksoi se shqiptarët besojnë te projekti europian dhe një Europë e bashkuar është më e sigurt.
Ministrja Gjosha u shpreh se shqiptarët janë populli më proeuropian dhe vërtet shumë prej jush kjo mund t’ju duket paradoksale për t’u thënë në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të mbahet një referendum për të qëndruar ose jo brenda Bashkimit Europian vetëm pas dy muajsh.
“Megjithatë jo vetëm si Ministre e Integrimit të Shqipërisë, por edhe si një qytetare e saj, unë besoj vërtet tek projekti europian. Unë besoj se e bashkuar Europa është më e sigurt. Unë besoj tek ëndrra e dikurshme e prindërve të mij”, theksoi Gjosha.
