1.ZOTI IKS
Një njeri i ngeshëm dhe plot ambicie, Leon Bollack, në shekullin XIX synoi një unitet artificial të të gjithë fushave të gjalla dhe të vdekura. Ndonëse i lëkundur dhe me prirje të vetëkuptueshme eklektike Leon Bollack e rilexonte Librin e Apokalipsit me ngulm shpresëtar. Ai besonte në Ardhjen e Dytë të Krishtit i cili do të ringjallte tërë të vdekurit mbasi të shkatërronte të Keqen në Armagedon.
Në ç’gjuhë do të merreshin vesh të ringjallurit e qindra shekujve? Si do të flisnin ata që vdiqën kur gjuhët i kishin të gjalla e më pas humbën dhe u zhdukën? Po edhe gjuhët e shumta që konsiderohen ende të gjalla do të ishin kufizime, mungesë komunikimi mes të ringjallurve, që do të ishin me miliarda.
Leon Bollack e vrau mendjen, bëri jetë asketike mes librave linguistikë (ishte poliglot), arsyetoi dhe e bëri projektin e Gjuhës së Vetme që ai poetikisht dhe me ngazëllim krenar e quajti “Gjuha Blu”.
Kjo çudi e mendjes u quajt kështu (shpjegon intimisht ky gjuhëtar mesianik vullnetmadh) për shkak se bluja është idioma e tërë qiellit pa kufi, ç’ka përbën metaforën e metaforave të komunikimit universal.
Përpiloi fjalorin shumëvëllimësh të “Gjuhës Blu” duke qëmtuar gjuhët romane, anglo-saksone deri tek iranishtja, pa lënë pas dore shprehjet e argosë së Parisit dhe lloj lloj zhargonesh të mistershme dhe ekzotike.
I modeloi tërë fjalët sipas një sintakse analitike me parimin “rrënjët vihen gjithmonë në krye”. E njëjta rrënjë fjale, me anë të disa parashtesave dhe prapashtesave, krijon fjalë të pafundme, por sipas një rregulli matematik apo të një formule algjebrike.
Gjuha Blu e ka një hije dhe tharm që të kujton një doktrinë filozofike laike sepse e kundërshton një teologji tradicionale linguistike. Në Gjuhën Blu është edhe fjala e centruar për Zotin. Bollack ka shënuar rrënjën Div e cila i përket racës ariane. Por për persianët (që janë gjithashtu arianë) fjala Div do të nënkuptonte Demonin, pra një blasfemi të rëndë.
Ja ekuacioni i fjalëve që lidhen me Div sipas këtij fantazisti të gjuhës artificiale. Me një A para, dmth Adiv do të emërohej “Zoti i rremë” me një O, pra Odiv, “Zoti përgjysmë”, me një U, Udiv “Zoti i barabartë” dhe me një I si idiv “Zoti i plotfuqishëm”.
Ja çfarë çudish pjellin zanoret A, O, U, I.
Gjuha Blu e përmban një moralistikë të qartë.
Në vitin 1902 një njeri gjithashtu edhe i ngeshëm edhe me karakter sanguin, por skeptik i idhët, shkrimtari shqiptar Faik Konica e shkroi në frëngjisht një libër të vogël kundër gjuhëve artificiale. Librin e botoi me pseudonimin Pirro Bardhyli (Pyrrhus Bardyli).
Kritikoi, argumentoi, zhbiriloi katalogun e 101 gjuhëve artificiale ku krahas Esperantos, Gjuha Blu e përthithi vëmendjen e shqetësuar. E studion strukturën e fjalës Zot sipas Leon Bollack-ut.
Për Konicën, poeti Gijom Apolineri ka thënë në Kujtimet e tij se “ishte antiklerikal i llojit të Volterit”. Një tepri entuziaste të shprehuri. Shqiptari erudit s’besonte fare në Zot, por shpirti i tij delikat e parapëlqente një simetri. Ai e kritikoi Bollack-un, Gjuhën Blu e quajti alkimi, në fakt jashtë të gjitha ngjyrave, por jo pa frymëzim mefistofelian, duke shënuar kalimthi dhe therës se Bullock-u duhej ta quante Zotin, pa marifetet e tipologjisë së Artur Rembosë për zanoret A, O, U, I vetëm si Zoti Iks. Kështu Zoti është absolutisht më metafizik dhe gati i pakritikueshëm. Simboli Iks, ose X i takon shkencës së algjebrës.
Kjo i miklon matematikanët, por i bën nervozë poetët.
Zoti Iks do t’i shtonte kuptimshmëri aventurës gjuhësore të Leon Bollack-ut, sepse në të vërtetë, në substancë, gjuha artificiale e tij Gjuha Blu është ekuacionale tërësisht. Iksi (kuptohet një Iks Blu) ju shfaq Leon Bollack-ut si kryqi qiellor perandorit Konstandin me fjalët: “Hic signum vinces” dmth “Me këtë shenjë do të fitosh.”
2.SIRENA
Gjatë udhëtimit në Ferr, mbas 24 orësh Danten e zuri gjumi.
Pa një ëndërr (bëhet fjalë për një ëndërr në botën e përtejme, – gjë tepër e çuditshme dhe e pandodhshme asnjëherë, – vetëm Dantja nga i tërë njerëzimi e ka parë këtë ëndërr).
Ëndrra ndodhi midis rrethit të katërt dhe rrethit të pestë. Iu shfaq një femër me fytyrë magjike, por sytë i ka të vëngërt, i mungojnë duart, këmbët i përfundojnë të përdredhura, por sisët e plota janë epshore dhe kërcënuese.
E habitshme është se trupi i saj nuk ka ngjyrë. “Unë jam Sirena, që magjeps detarët mes humnerave të detit” thotë ajo.
Një Sirenë në thellësirat e thellësirave të dheut të nëmur. Deti mungon. Një Sirenë pa det. Pa detarët dhe pa Odiseun, pra edhe pa Homerin. Sirenë jashtë mitit. Jashtë mijëvjeçarëve të historisë.
Përfytyrimi është dyfish surreal, shtatë shekuj para se sa të lindnin surrealistët bretonistë, ose iksistë.
Të vdekurit s’shohin ëndrra, por Dantja i gjallë e pa ëndrrën në vdekjen absolute (me të cilën do të njësohej shumë vite më vonë.)
Sirena përçudnuese qe kundërthënëse.
Pse ju shfaq Dantes? Ai s’qe Odiseu.
Ai e di se Sirena është një stërgjyshe shtrigë e vajzave të pafajshme, – Muzave, që kanë hipnotizuar kaq tepër poetë naivë. Dantja tregon se pranë Sirenës erdhi një grua e shkathët e quajtur Drejtësia, e shqeu trupin e Sirenës nga doli duhma e një arome të llahtarshme.
Dantja zgjohet. Ëndrra zhduket.
Thuhet (nga komentuesit e pashpirt dhe delirantë) se në trupin e Dantes kishin mbetur misteriozisht gërvishtjet e disa thonjve të padukshëm. Një lloj tatuazhi i Arsyes si Drejtësi.
3.DEMI QIELLOR
Në Babiloni, hyjnesha e dashurisë, e bukura dhe mizorja Ishtar, ra në dashuri me heroin Gilgamesh. Po Gilgameshi s’e pranoi dashurinë e saj. Ahere Ishtari i kërkoi atit të zotave, Anusë, e tërbuar nga zemërimi: “Bëmë një Dem Qiellor për ta shndërruar Gilgameshin!”.
Anu hezitoi. Ahere Ishtari e kërcënoi: “Përndryshe do t’i hap portat e Ferrit dhe do të bëj që të vdekurit të bashkohen me të gjallët!”
Anuja e bëri Demin Qiellor që thërrmonte me thundra malet e mëdha. Gilgameshi u përlesh me Demin Qiellor dhe e vrau. Por në betejën e hatashme Demi Qiellor e copëtoi mikun e Gilgameshit, që e kishte si vëlla, Enkidunë. Gilgameshi qe i pavdekshëm. Kurse Enkiduja qe nga raca e vdekatarëve.
Gilgameshi u trondit nga kjo vdekje.
Ahere i dëshpëruar klithi sa u tundën yjet në qiell.
Ju lut në përgjërim Ishtarit t’ia kthente jetën Enkidusë.
Po Ishtari heshti.
Ajo rrinte e fshehur në mjegull brenda Ferrit ku qeveriste të vdekurit.
Në mbretërinë e saj të heshtjes hynë edhe Demi Qiellor edhe Enkiduja.
Ajo mund të bënte ç’të donte me ta.
Po dhimbja e Gilgameshit vetëm shumëfishohej në pambarim.
Ishtari hakmarrëse e dinte se dhimbja e dashurisë është e madhe, por ajo e vdekjes është e pamatshme.
Duke qenë i pavdekshëm, Gilgameshi do të kishte edhe këtë dhimbje të pavdekshme. Fantazma e Demit Qiellor thërrmonte me thundra shpirtin e Gilgameshit.
4.UNAZA DHE JATAGANI
Në një tekst të William Beckfordit të shekullit XIX subjekti nis me një tarracë kulle ku lexohet qielli dhe përfundon me një bodrum të magjepsur. Kalifi i nëntë abasid, Harun Ben-Almatasim Vatiku e ngriti, si dikur Nembroti, një kullë të lartë babilonase për të vëzhguar planetet.
Vjen tek ai një burrë i jashtëzakonshëm nga një tokë e panjohur.
Burri ka fytyrë mizore sa rojat e shoqërojnë tek Kalifi symbyllur. Ai i jep një jatagan Kalifit, pastaj zhduket. Mbi tehun e mprehtë dhe të ndritshëm janë gdhendur shkronja të ndryshueshme papushim.
Një magjistar i zbërthen shkronjat.
Aty thuhej: “Në një ditë mund të thuash: Jam mrekullia më e vogël e një hapësire, ku gjithçka është e mrekullueshme dhe e denjë për mbretin më të madh të tokës,” por një ditë tjetër do të kuptosh fjalët e rënda: “I mjerë do të jetë ai që me guxim dëshiron të dijë atë që s’duhet kurrë ta dijë”.
Në 1510 princi shqiptar Gjon Muzaka shkruan për një unazë të Pirros së Madh të Epirit. Në këtë unazë, në tërë rrethin e saj të artë qenë skalitur në miniaturë fjalët: “Për të virtytshmin është pak ta shpërblesh si sundimtar të botës, të ligut është pak, shumë pak ta ndëshkosh duke i marrë thjesht jetën.”
Unaza kishte humbur.
Shumë kërkimtarë ambiciozë menduan ta gjenin këtë unazë në një vis enigmatik, ku rridhte një përrua; pishtari i ndezur mbi këtë përrua të paparë shuhej, kurse pishtari i shuar ndizej vetvetiu.
Në librin e William Beckford-it mbishkrimi i jataganit jepet si një arketip intrige, por nuk përmendet mbishkrimi i unazës së Pirros së Madh të Epirit si një arketip i dytë që plotëson të parin.
Subjektet e ndryshme pa lidhje mund të plotësojnë njëri-tjetrin. Kjo duket e pamundur siç është edhe ndërtimi, ose sajimi i metaforave.
Kalifi Harun Ben-Almatasim Vatiku i nxitur nga mbishkrimi i jataganit, heq dorë nga lartësitë ku studionte kozmosin dhe i futet një udhëtimi të poshtëm, në mbretërinë e hijeve, ku është Kështjella e Zjarrit të Nëndheshëm.
Në të gjen talismanët që nënshtrojnë elementet e botës, demonët dhe kujtesat e shekujve. Kështjella e nëmur ka pesë kulla që i kushtohen pesë shqisave. Aty ndodhin gjëra të tmerrshme. Aty është Ferri.
Pasi e pa Ferrin, Kalifi e humbi të drejtën për të dalë sërish mbi tokë.
Fundi i tij është tragjik.
Jatagani i magjepsur i preu befas kokën.
Libri i Beckford-it pati jehonë europiane. Për të, për imazhin e kështjellës së Zjarrit të Nëndheshëm, u shkruan shumë libra. Madje edhe Jorge Luis Borgesi shkroi se “Ferri i Dantes madhëron nocionin e një burgu, ai i Beckford-it galeritë e një mankthi”.
Ndërkohë është harruar se ç’shkroi princi shqiptar Gjon Muzaka 3 shekuj përpara Beckford-it.
Po e farkëtoj me modesti një shpjegim pa shumë hollësira. Mbishkrimi i jataganit dhe ai i unazës çuditërisht thonë të njëjtën gjë, grishin, paralajmërojnë të njëjtën profeci. Duhet pak vëmendje e përkorë, pa asnjë imagjinatë të harlisur të llojit barok.
Mbishkrimi i jataganit nis: “Një ditë mund të thuash: “Jam mrekullia më e vogël e një hapësire, ku gjithçka është e mrekullueshme dhe e denjë për mbretin më të madh të tokës.””. Mbishkrimi i unazës nënvizon: “Për të virtytshmin është pak ta shpërblesh si sundimtar të botës.” Një përputhje e pabesueshme. Gati një tautologji.
Kësaj nuk mund t’i shmangesh, as ta mohosh.
Po si ka mundësi që të thuhet e njëjta gjë me fjali të përafërta? Mbishkrimi i unazës së Pirros është i shekullit të IV para Krishtit kurse mbishkrimi i jataganit është mbas 15 shekujve. Përveç kronologjisë kohore të papërputhshme duhet shtuar se Pirro i takon më shumë Perëndimit, kurse Kalifi i nëntë abasid i Lindjes.
Kjo na huton por dhe na këndell.
Mbishkrimet janë shkruar me alfabete dhe gjuhë të ndryshme, por idetë gati nuk ndryshojnë.
Pjesa e dytë e mbishkrimit të unazës: “Të ligun është pak, shumë pak ta ndëshkosh duke i marrë jetën” është parathënëse për atë të jataganit, ku thuhet me një sharm dhe dozë alegorie: “I mjerë do të jetë ai që me guxim dëshiron të dijë atë, që s’duhet kurrë të dijë.” Kalifi e pa Kështjellën e Zjarrit të Nëndheshëm.
Jatagani që ja mundësoi udhëtimin e pabesueshëm ja shkëputi kokën nga trupi. Ngjashmëria është e frikshme sepse është e plotë.
William Beckford-i nuk kishte dijeni për unazën e Pirros, as për shqiptarin Gjon Muzaka.
Kemi një anomali, një prishje simetrie dhe të kundërtën e një vijimësie lineare. A mund të kapërcehet kjo?
A mundet që dikush tjetër, një i tretë të shkruajë një variant sintetik, përfundimtar? Një mënyrë e tillë e re dhe e papritur të shkruari do të qe një risi për letërsinë botërore, globale.
Le të hamendësojmë se si mund të perceptohet subjekti i ndërmjetëm.
Unaza dhe jatagani janë i njëjti send i metamorfizuar.
Në një rikthim në kohë jatagani bëhet unazë, me një lëvizje drejt së ardhmes është përsëri jatagan.
Shpirti i Pirros së Madh të Epirit futet në trupin e Kalifit të tmerrshëm. Pirroja që pushtoi me elefantë gadishullin Apenin me të njëjtët elefantë dhe ushtri luftarake bëhet Kalif i tërëpushtetshëm. Ai ndërton Kullën e lartë për t’u nginjur gjatë vetmisë me misterin e yjeve.
I ka humbur unaza hajmali.
Mbishkrimin e saj e di përmendësh, por e kupton turbullt dhe në mënyrë fragmentare, me fjalë dhe ide të shkëputura.
Vjen njeriu i pabesë që i jep jataganin (unazën e konvertuar).
Rilexon mbishkrimin dhe përqendrohet tek grishja për të ditur atë që nuk duhet ta dijë. E kupton që po thyen një totem, një pengesë hyjnore.
Zbulon Ferrin. Në vend që të pushtojë Ferrin, e pushton Ferri atë.
Pirron e dikurshëm e vranë në qytetin Argos duke e goditur me një tjegull në kokë. Pirron si Kalif (personazh të Beckfardit) e goditi jatagani.
Beckfordi e dinte se po shkruante një biografi mbretërore por s’arrinte ta kuptonte se po shkruante pikërisht historinë e fundit mizor të Pirros, kurse Kalifi qe Kipci, asgjë më shumë. Shqiptari Gjon Muzaka i shkroi kujtimet e tij, por s’qe shkrimtar.
Me parabolën e unazës pirrike ai e fiksoi një ide matricë. Me të tregoi (provoi) se qe në potencë shkrimtar. William Beckford-i u pllenua në një terr mistik pikërisht nga një shqiptar që kishte vdekur 3 shekuj përpara se sa të lindte vetë ai
Loja e detajeve ndryshon, lëvizin emrat, shekujt, pamjet, kostumet, por jo substanca.

