Gjukanoviç mbështet nismën e Abazoviç për ndryshimin e qeverisë

Amelda Amelda

 

Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të shtetit.

“DPS-ja mirëpret gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave, që do të çonin në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha partia e presidentit të Malit të Zi.

Kështu u përgjigj DPS-ja ndaj nismës për të formuar një qeveri të pakicës, si një model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi. Këtë propozim e ka prezantuar Lëvizja Qytetare Ura, që është në pushtet, dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS.

Këto dy subjekte, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kishin garuar në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”. Në ato zgjedhje, DPS-ja u rrëzua nga pushteti pas tre dekadash.

Gjatë prezantimit të propozimit për qeveri të pakicës, Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë më 17 janar se në një qeveri të tillë nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviç ka thënë se ky model është një zgjidhje e mundshme, por të cilën nuk do t’ia imponojnë askujt.

“Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviç më 17 janar.

Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.

Me mbështetjen e DPS-së, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq kundërshtoi ashpër paralajmërimin për formimin e një qeverie të pakicës, duke e cilësuar si “mashtrim” këtë nismë.

Qeveria e Krivokapiqit, e cila ka vetëm një votë më shumë në Parlament, ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik.

Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.

Ndër të tjera, DF-ja nuk është pajtuar me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe me shkarkimin e ministrit Vlladimir Lleposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

a.m/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *