Fatos Tarifa
Gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara si President i Shqipërisë, Rexhep Meidani bëri një vizitë në New Orleans. Në këtë qytet, Shqipëria kishte një konsull të përgjithshëm nderi, z. Bret Clesi. Bret dhe e shoqja e tij, Patricia, ishin juristë. Zyra juridike e tij në 201 St., Charles Avenue shërbente njëherësh edhe si Konsullatë e Përgjithshme e Shqipërisë për shtetin Louisiana në New Orleans.
Më 14 qershor 2001, vetëm disa ditë para se t’i dorëzoja Presidentit George W. Bush Letrën Kredenciale, Bret Clesi na ftoi mua dhe Artën për një vizitë në qytetin e tij. Ajo ishte e para vizitë që bëja jashtë Uashingtonit në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë dhe Bret Clesi ishte i pari konsull nderi i Shqipërisë që kam takuar dhe njohur në Shtetet e Bashkuara.
Në New Orleans kisha qenë edhe më parë, në vitin 1992, dhe, që nga ajo kohë, ai qytet ka pasur dhe vazhdon të ketë mbi mua një forcë tërheqëse të tillë, që nuk e ka pasur dhe nuk e ka asnjë qytet tjetër në Amerikën Veriore. Ndoshta për shkak të muzikës Jazz dhe asaj Blues—pasioneve të mia muzikore më të mëdha—që luhet në pjesën historike të atij qyteti, në French Quartier. Për Artën, ajo ishte vizita e parë në New Orleans, por edhe ajo, si unë, ra menjëherë në dashuri me atë qytet. Së bashku do e vizitonin atë qytet edhe herë të tjera, vetëm ose me shokë e miq. Bret dhe Patricia Clesi na pritën me respektin dhe nderimet më të mëdha dhe na i bënë mjaft të këndshme ato dy ditë që qëndruam në qytetin e tyre.
La Nouvelle-Orléans
I themeluar në vitin 1718 dhe i quajtur me këtë emër për shkak të Dukës së Orleanit (Duc d’Orléans), një titull, të cilin, duke filluar nga Mbreti Philip VI, në vitin 1344, mbretërit e Francës ia kanë dhënë njërit prej njerëzve të tyre të afërt në familjen mbretërore, si rregull një vëllai më të vogël, ose njërit prej djemve të tyre), qysh nga fillimet e veta La Nouvelle-Orléans është konsideruar si një qytet i një lloji dhe i një rëndësie të veçantë, madje superior në krahasim me vendbanimet e tjerë të “Botës së Re”.
Krenar për prejardhjen e vet franceze, edhe pasi Louisiana iu ble Francës së Napoléon Bonapartes nga qeveria amerikane e Presidentit Thomas Jefferson, në vitin 1803, dhe ky qytet i ndërpreu lidhjet me Francën, New Orleans ka ruajtur dhe ruan edhe sot një sërë traditash kulturore dhe gastronomike të ndikuara nga francezët. Ndryshe nga pjesa më e madhe e emigrantëve europianë që u vendosën në “Botën e Re” në shekujt e 17-të dhe 18-të, të cilët ishin kryesisht protestantë, banorët e La Nouvelle-Orléans ishin katolikë; ata ruajtën traditat e tyre të të ushqyerit dhe ishin të dhënë pas kënaqësive sensuale. Vetë Mardi Gras, festa më e famshme, më gazmore dhe më e zhurmshme e New Orleans, është, në fund të fundit, një festë katolike. Prejardhur nga frëngjishtja, “Mardi Gras” (mardi—“e martë”) do të thotë “e marta e majme” dhe shënon ditën e fundit të karnavaleve, ditën e të ngrënit dhe të festimeve para argjërimit.
Në arkitekturë, edhe pse tradita franceze është e pranishme, në pjesën më të madhe të qytetit të vjetër dominon stili kolonial spanjoll, për shkak se, pas dy zjarreve të mëdhenj—në vitet 1788 dhe 1794—të cilët dogjën mbi 1,000 ndërtesa në atë qytet, një pjesë e madhe e ndërtesave u rindërtuan nën sundimin spanjoll, duke zëvendësuar drurin me tullën si lëndë ndërtimi.
Një pjesë e mirë e objekteve historikë kryesorë që shohim sot në French Quarter—Katedralja St. Louis (Cathédrale-Basilique de Saint-Louis), katedralja më e vjetër në Shtetet e Bashkuara që vazhdon të funksionojë si e tillë edhe sot e kësaj dite, “Cabildo”, një ndërtesë tre-katëshe pranë njërit prej shesheve qëndrorë të qytetit, i quajtur “Jackson Square”, e cila, gjatë sundimit kolonial spanjoll ka shërbyer si qendra administrative e qytetit, ndërsa sot është muze, si dhe një tjetër ndërtesë, e quajtur “The Presbytère”, pranë të njëjtit shesh—janë rindërtuar sipas stilit kolonial spanjoll pikërisht në fund të shekullin e 18-të, pas zjarreve që i kishin djegur ato.
Shqiponja arbërore në New Orleans
Bret Clesi kishte një origjinë të largët arbëreshe. Në Mesjetën e vonë, mbiemri i të parëve të tij, ndoshta nga Kosova, siç mbaj mend të më ketë thënë ai vetë, duhej të kish qenë Kryeziu por, me kalimin e kohës, ishte transformuar në Kresi (nga fjala “kre”, ose “krye”), për të marë trajtën e sotme, Clesi (Klesi). Prej tij mësova se, në zonën metropolitane të New Orleans-it jeton një popullsi e konsiderueshme me origjinë italiane, ne atë kohë rreth 250,000 vetë dhe, pjesë e saj është edhe një komunitet arbëreshësh, prej rreth 15,000 vetësh. Në shoqërinë e Bret Clesi-t, gjatë asaj vizite munda të shoh gjurmët e arbëreshëve të parë në atë qytet dhe të brezave pas tyre, kryesisht në French Quarter.
Në mbrëmjen e asaj dite që mbrritëm në New Orleans, pasi temperatura e nxehtë që gjetëm kur mbrritëm në mesditë në atë qytet—afro 107 gradë Fahrenheit, ose mbi 41.5 gradë Celsius—kishte rënë disi dhe ne ishim shplodhur, Bret dhe Patricia erdhën të na marin për darkë. Restoranti që kishin zgjedhur në French Quarter atë mbrëmje ishte gjurma a parë e arbëreshëve që pamë në atë qytet, edhe pse jo më e vjetra. Në murin qendror brenda atij restoranti, përballë hyrjes së tij, shquante reliefi i një shqiponjë me dy kokë, në dimensione që e bënin atë të parën gjë që binte në sy sapo hyje brenda. Atë simbol e pamë ato ditë edhe në restortante dhe në bare të tjerë në atë pjesë të qytetit.
Monteleone
Pas darkës, Bret dhe Patricia na ftuan të bëjmë një shëtitje në Royal Street, për të na treguar një tjetër objekt të rëndësishëm në French Quarter, i cili, sipas tyre, ishte trashëgimi e një familjeje arbëreshe. Ky ishte hoteli Monteleone, një ndër ndërtesat historike më të rëndësishme në New Orleans dhe e vetmja ndërtesë e lartë në pjesën e brendshme të French Quarter.
Hoteli mbante emrin e familjes së pronarit të tij të parë, Antonio Monteleone, një arbëresh, i cili, pasi kishte mbrritur në New Orleans nga Sicilia, aty rreth vitit 1880, kishte hapur një dyqan të vogël ku prodhonte dhe riparonte këpucë, në Royal Street, në atë kohë një ndër rrugët kryesore dhe qendra e jetës tregëtare e bankare të qytetit. Më 1886, kur iu krijua mundësia, Monteleone bleu një hotel, po në atë rrugë, i cili ishte më i vjetri dhe, në atë kohë, më i madhi në New Orleans. Gradualisht, djemtë e tij dhe tri gjenerata të tjera të familjes Monteleone e shndërruan atë hotel në “Zonjën e Madhe” të atij qyteti (Grand Dame of the French Quarter). Bret Clesi më tha atë mbrëmje se një shprehje në New Orleans thotë se “French Quarter fillon në lobin e hotelit Monteleone”.
Qysh nga fillimi e deri më sot, ky hotel ka qenë dhe është pronë e familjes Monteleone. Ai është një ndër të paktët hotele në pronësi familjare që i mbijetuan Depresionit të Madh në Shtetet e Bashkuara në vitet 1930. Godina që sheh sot është rindërtuar dhe zgjeruar në mesin e viteve 1950 në stilin arkitekturor Beaux-Arts, me elementë eklektikë. Monteleone është një ndër “hotelet historikë” të Amerikës dhe, si i tillë, është pjesë e atij programi që në Shtetet e Bashkuara njihet si “National Trust for Historic Preservation”.
Monteleone njihet, gjithashtu, si një prej hoteleve të preferuar për shumë shkrimtarë të shquar amerikanë, të cilët jo vetëm kanë qëndruar në të, por edhe kanë shkruar për të, si Ernest Hemingway, William Faulkner, Tennessee Williams, Richard Ford, Anne Rice apo Truman Capote. Ky i fundit, madje, thoshte me shaka se ishte lindur në Monteleone, për shkak se nëna e tij, gjatë periudhës së shtatzanisë me të, kishte qëndruar për një kohë të gjatë në atë hotel.
Tregimi i Hemingway-t “Nata para betejës” (Night Before Battle), drama “Tatuja rozë” (The Rose Tattoo) e Tennessee Williams dhe shumë krijime të tjera letrare të njohura bëjnë fjalë për këtë hotel, ndërkohë që holli, bari dhe suitat luksoze të tij janë bërë, nga koha në kohë, skena të shumë filmave të njohur, si “Double Jeopardy” (1999), me Ashley Judd dhe Tommy Lee Jones; “Glory Road” (2004), me Josh Lucas dhe Jon Voight; “The Last Time” (2005), me Brendan Fraser dhe Michael Keaton.
Origjina arbëreshe e familjes Monteleone dhe kureshtja që ngjallën tek unë fjalët me të cilat Bret Clesi ma përshkroi atë mbrëmje historinë e atij hoteli të famshëm më shtynë që, të nesërmen, bashkë me Artën, të pinim një kafe në barin e famshëm—“Carousel Bar”—të atij hoteli, i cili është hapur dhe funksionon qysh nga viti 1949. Duke u rrotulluar plotësisht në 15 minuta, nga dritaret e atij bari mund të shihje të plotë panoramën mahnitëse që ofrojnë qyteti New Orleans dhe Lumi Mississippi.
Në Monteleone do të ktheheshim edhe herë të tjera, për një espresso, për një darkë apo për një cocktail, sa herë që do ta vizitonim këtë qytet. Edhe pse pijet cocktail janë “shpikur” dhe njohur në New York aty rreth vitit 1806, shumë njerëz besojnë se “vendlindja” e tyre është New Orleans. Ajo që dihet me siguri është se pija klasike cocktail e njohur me emrin “Vieux Carre”—emri i vjetër i asaj pjese të New Orleans-it që sot njihet si French Quarter—është krijuar në vitin 1938 nga një “bartender” i njohur në Hotelin Monteleone. Sidoqoftë, edhe pse Arta dhe unë do ta vizitonim do të ktheheshim në New Orleans edhe herë të tjera, në Monteleone do të flinim vetëm në një rast, në pranverën e vitit 2005, kur atë qytet e vizituam bashkë me miqtë tanë të mirë Zef Mazi, Xhildën, gruan e tij, dhe Gjergjin, djalin e tyre.
“City of the Dead”
Një kuziozitet edhe më interesant sa i përket historisë dhe pranisë së arbëreshëve në New Orleans ishin varret monumentalë të tyre, në njërën prej dyzet e dy varrezave të atij qyteti. New Orleans është i njohur, ndër të tjera, edhe për varrezat e tij, një prej së cilave, (St. Louis No. 1), konsiderohet si varreza më e vjetër në Shtetet e Bashkuara. Me afro 90 mijë varre, të gjithë mbi sipërfaqen e tokës—për shkak se pjesa më e madhe e qytetit ndodhet nën nivelin e detit, një pjesë e mirë e tyre janë varre monumentalë—kjo varrezë njihet ndryshe edhe si një “qytet i të vdekurve” (City of the Dead).
Ndërsa rrugët, restorantet, baret dhe klubet e natës të French Quarter në atë qytet kanë qenë historikisht skena ku janë xhiruar shumë filma të njohur romantikë ose muzikorë, si “Naughty Marietta” (1935), me Jeanette MacDonald dhe Nelson Eddy; “Jezebel” (1938), me Bette Davis dhe Henry Fonda; “New Orleans” (1947), me legjendat e muzikës Jazz dhe Blues, Billie Holiday, Louis Armstrong dhe Budd Scott; “A Streetcar Named Desire” (1951), me Vivien Leigh dhe Marlon Brando; “King Creole” (1958), me Elvis Presley; “The Curious Case of Benjamin Button” (2008), me Brad Pitt dhe Cate Blanchett etj., varrezat e New Orleans-it dhe rrethinat e tyre janë bërë skena të frikshme në shumë filma të njohur me vampirë, ose në filma të tjerë të kategorisë “mister”, “krim”, “horror” apo “sci-fi”. Të tillë janë filmat “Interview with the Vampire” (1994), me Brad Pitt, Kirsten Dunst dhe Tom Cruise, “Angel Heart” (1987), me Robert de Niro dhe Lisa Bonet; “The Skeleton Key” (2005), me Kate Hudson dhe Gena Rowlands; apo “Deja Vu” (2006), me Denzel Washington dhe Van Kilmer.
Në fakt, varrezat e New Orleans-it dhe arkitektura e varreve monumentalë në to dëshmojnë, veç të tjerash, trashëgiminë multi-etnike, multi-fetare dhe social-ekonomike të atij qyteti. Për këtë arsye, ato janë edhe një atraksion i njohur turistik. Ajo që bie qartë në sy në ato varreza është influenca italiane. Nuk më kujtohet se cilën prej varrezave të shumta vizituam, në shoqërinë e Bret Clesit, të nesërmen e qëndrimit tonë në New Orleans. Ndoshta mund të ketë qenë “Metairie Cemetery”, ose “Lake Lawn Park Cemetry”, që ndodhet ngjitur me të, por mbaj mend përshtypjen që na bënë mua dhe Artës varret e shumtë monumentalë në atë varrezë, në shumë prej të cilëve lexuam emra dhe mbiemra arbëreshë, si Schiro, Cuccia, Clesi etj.
Ndër ta kam parë edhe një varr monumental, mbi të cilin lexova emrin Krisafi dhe mbaj mend se, aty për aty, duke qëndruar pranë atij varri madhështor, i telefonova kolegut dhe mikut tim të vjetër Ksenofon Krisafi, në atë kohë ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, për t’i thënë, si me shaka, këto fjalë:
“Kseno, sot mësova se ju Krisafët jeni arbëreshë”.
“Ç’thua, mo?” më tha ai në dialektin tonë gjirokastrit. “Si e mësove?”.
“E pashë emrin Krisafi me sytë e mi në njërin prej varreve të arbëreshëve këtu në New Orleans”, i thashë, “të shkruar njëlloj si mbiemri tënd: K-r-i-s-a-f-i”.
“Nuk e besoj”, tha Ksenua, “një dokument që kam gjetur kohët e fundit thotë se Krisafët janë nga Suli, i banuar me shqiptarë, por që tani është në territorin grek”.
Kulturë e një tolerance ndëretnike dhe e fuzionit kulturor
Nga shpjegimet e Bret Clesi-t mbi origjinën e arbëreshëve në New Orleans mësova se të parët e tyre kishin ardhur në atë qytet aty nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, kryesisht nga dy fshatra arbëreshëshë në Sicili, të quajtur Contessa Entellina dhe Santa Cristina Gela, rreth 80 km larg nga Palermo. Këta dy komunitete, së bashku me Piana degli Albanesi, me sa di unë,janë komunitetet kryesorë të arbëreshëve në Sicili, të cilët kanë ruajtur deri diku gjuhën shqipe, ritet e krishtera ortodokse, si dhe kostumet, këngët, vallet dhe disa tradita shqiptare të të ushqyerit. Këto, arbëreshët e ardhur në New Orleans i sollën me vete dhe një pjesë e tyre i kanë ruajtur deri më sot.
Nga leximet e mia të mëvonshme kam kuptuar se ndër arsyet kryesore të migrimit të një mase të madhe italianësh, mes tyre edhe arbëreshë, në New Orleans, në fundin e shekullit të 19-të, ishin gjendja e vështirë ekonomike e sociale në vendin e tyre dhe nevoja për krahë pune në plantacionet e shteteve të jugut, veçanërisht në Louisiana, pas Luftës Civile në Amerikë dhe ndalimit të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara me Amendamentin 13 të Kushtetutës, më 1865.
Ky zhvillim i fundit shkaktoi një tronditje sizmike në shoqërinë amerikane dhe i çeli rrugë progresit të mëtejshëm ekonomik, kulturor e shoqëror të saj. Pas heqjes së skllavërisë, pronarët e plantacioneve kërkonin kudo fermerë me përvojë dhe gjetën shumë prej tyre në Sicili, ndër ta edhe shumë arbëreshë, që ishin të gatshëm të shpërnguleshin në “Botën e Re”. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 19-të, në New Orleans vinin çdo vit mbi 2,000 italianë. Një pjesë e tyre ishin zejtarë dhe tregtarë me origjinë arbëreshe.
Emigrantët italianë u vendosën kryesisht në French Quarter, ku qeratë e shtëpive ishin më të lira, dhe krijuan lagjet e tyre, që i quajtën “Little Italy”, ose “Little Palermo”. Ata krijuan bizneset dhe influencën e tyre në atë qytet, i cili edhe më parë kishte pritur dhe asimiluar shumë komunitete të tjerë etnikë dhe, për këtë arsye, kishte krijuar një kulturë tolerance ndëretnike dhe një fuzion kulturor krejt të veçantë.
Për shkak se New Orleans është ngritur mbi një tokë moçalore, buzë Lumit Mississippi dhe është përmbytur shumë shpesh nga ujrat e tij, banorët e këtij qyteti kanë jetuar gjithnjë pranë njëri-tjetrit, së bashku, duke mos lejuar hapësira për krijimin e getove, ose për komunitete etnikë të veçuar. Kjo, ndoshta, ka qenë një ndër rrethanat që shpjegon pse banorët e këtij qyteti mësuan jo vetëm që t’u përshtaten rrethanave të vështira mjedisore e të mbijetojnë, por edhe të krijojnë një kulturë që e çmon jetën dhe i shijon gëzimet e saj.
Siç më ka shpjeguar më vonë një sociolog nga New Orleans, emri i të cilit nuk më kujtohet ndërsa shkruaj këto radhë, të detyruar që të jetonin në kushte kur Mississipi mund të dilte nga shtrati i vet në çdo kohë dhe t’i përmbyste shtëpitë e tyre, banorët e atij qyteti u mësuan të “gëzonin e të shijonin të sotmen”.
Italianë, siçilianë, arbëreshë, shqiptarë
Bret Clesi më shpjegoi se një pjesë e arbëreshëve siçilianë në New Orleans, ata me origjinë nga Contessa Entellina, e kanë bërë traditë që, çdo vit, në fillim të nëntorit, të mblidhen në “Metairie Cemetery”, njëra prej varrezave të qytetit, si një ritual për të përkujtuar udhëtimin historik të të parëve të tyre nga Arbëria drejt Sicilisë, duke ruajtjur ndër shekuj traditat e tyre arbërore, të cilat, më vonë, në fundin e shekullit të 19-të, një pjesë e tyre i sollën me vete në New Orleans dhe pasaardhësit e tyre i ruajnë deri diku edhe sot. Ruajtjes së këtyre traditave i ka ndihmuar edhe krijimi në New Orleans, qysh në vitin 1886, i një shoqate arbëreshe, e quajtur “Contessa Entellina Society”.
Bret vuri në dukje se të moshuarit ndër arbëreshët e atij qytetit përpiqen që traditat dhe gjuhën arbëreshe t’ua mësojnë edhe të rinjve, por kjo, në Amerikë, po bëhet diçka gjithnjë e më e vështirë. Edhe pse shumë prej të rinjve, që janë rritur me gjyshërit e tyre në shtëpi, e kuptojnë pak a shumë shqipen e tyre arbnore, shumica e tyre nuk e kanë mësuar atë. Për shumë prej tyre, identiteti i tyre “arbëresh” ka mbetur thjesht një “echo” e brezave të shkuar. Një burrë arbëresh, rreth të dyzetave, të cilin rastësisht e kam takuar më vonë në New Orleans, më ka thënë se, kur ai ishte “a little boy”, mendonte se ishte italian; më vonë mësoi se ishte siçilian dhe, më pas, gjyshi i kishte thënë se është arbëresh, shqiptar.
Bret Clesi më informoi, gjithashtu, se jo shumë larg nga New Orleans ndodhet edhe një plantacion që quhet “Albania Plantation”. Siç zbulova më vonë, kur e vizitova vetë atë plantacion gjatë njërës prej vizitave të mia në territorin e “kombit sovran” Chitimacha—një komunitet banorësh indigjenë (“indianë”) rreth 90 milje larg nga New Orleans—ndryshe nga ç’më kishte thënë Bret, emri “Albania” i atij plantacioni nuk ka të bënte aspak me Shqipërinë.
Dy kryetarë bashkie në New Orleans:
Morial dhe Schiro
Të nesërmen e mbrritjes sime në New Orleans, më 15 qershor 2001, Bret Clesi më krijoi mundësinë të takohesha—së bashku me Artën dhe të shoqëruar prej tij—me kryetarin e Bashkisë së atij qyteti, Marc Morial, i cili ishte në vitin e fundit të mandatit të tij të dytë në atë detyrë. Morial ishte zgjedhur anëtar i Senatit të shtetit Louisiana në vitin 1992, por e ndërpreu atë mandat më 1994 për të kandiduar si demokrat për postin e Kryetarit të Bashkisë në New Orleans, të cilin e fitoi.
Në atë kohë Morial ishte President i radhës i Konferencës së Kryetarëve të Bashkive të Shteteve të Bashkuara (United States Conference of Mayors). Kjo është një organizatë zyrtare “non-partisan” e të gjithë qyteteve të Shteteve të Bashkuara që kanë një popullsi mbi 30,000 banorë, në të cilën, çdo qytet përfaqësohet me kryetarin e Bashkisë së vet.
E krijuar në fillimin e viteve 1930, në periudhën e Depresionit të Madh, në prag të inaugurimit të Franklin D. Roosevelt si President i Shteteve të Bashkuara, Konferenca e Kryetarëve të Bashkive është një ndër shtatë organizatat më të mëdha jofitimprurëse—“the Big Seven”—me mjaft influencë në Kongresin dhe në administratën e Shtetet e Bashkuara, që përfaqësojnë dhe mbrojnë në nivel federal interesat e shteteve të veçantë dhe të pushtetit lokal. Gjashtë organizatat e tjera në këtë grup janë: Konferenca Kombëtare e Legjislaturave të Shteteve (National Conference of State Legislatures), Shoqata Kombëtare e Guvernatorëve (National Governors Association), Këshilli i Qeverive të Shteteve (Council of State Governments), Lidhja Kombëtare e Qyteteve (National League of Cities), Shoqata Kombëtare e Kontéve (National Association of Counties) dhe Shoqata Ndërkombëtare e Menaxhimit të Qyteteve dhe Kontéve (International City/County Management Association).
Marc Morial, me të cilin Bret Clesi dukej se kishte një njohje të vjetër, më foli për praninë dhe kontributin e komunitetit arbëresh në New Orleans. Ai përmendi në mënyrë të veçantë kontributin e njërit prej kryetarëve më të njohur të Bashkisë së atij qyteti, Victor Hugo Schiro, një arbëresh, i cili e mbajti atë detyrë në vitet 1961-1970, një prej dekadave më të trazuara në historinë e Shteteve të Bashkuara. Schiro, më tha kryetari i Bashkisë Morial, mbahej mend për filozofinë e thjeshtë nga ai udhëhiqej për drejtimin e Bashkisë së qytetit: “If it’s good for New Orleans, I’m for it” (Nëse është për të mirën e New Orleans, unë jam për të”.
Por Victor Schiro, sipas Marc Morial-it, mbahej mend edhe për një shprehje thënë gazetarëve në kohën e tij, e cila ishte bërë proverbiale në atë qytet: “Don’t believe any false rumors, unless you hear them from me” (Mos i besoni asnjë thashethemi fals, nëse nuk e dëgjoni atë nga unë”.
Ishte pa dyshim një surprizë e bukur, një nder dhe një kënaqësi e veçantë për mua kur Kryetari i Bashkisë, Marc Morial, më nderoi atë ditë me titullin “Qytetar Nderi i qytetit New Orleans”, duke më dorëzuar edhe diplomën e këtij titulli. Këtë episod nuk e kam bërë publik deri më sot, sepse kam besuar—dhe vazhdon të besoj—se ky nder nuk më është bërë mua si person, për arritjet e mia në fushën akademike, në veprimtarinë diplomatike apo në jetën publike, por i është bërë postit të ambasadorit të Shqipërisë, i cili, në atë kohë, qëlloi të isha unë.
“The House of the Rising Sun”
Presidenti Mejdani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe ministrja e Jashtme Arta Dade, e vizituan New Orleans më 10 maj 2002, afro një vit më vonë nga vizita ime në atë qytet, për të cilën shkrova më sipër. Këtë herë, Arta, ime shoqe, nuk ishte me mua. Marc Morial, gjithashtu, nuk ishte më Kryetar i Bashkisë së atij qyteti. Vetëm katër ditë më parë, ai ishte zëvendësuar në atë detyrë nga Ray Nagin, edhe ai demokrat, i cili u bë një fytyrë shumë e njohur për publikun amerikan dhe atë të huaj në vitin 2005, pas katastrofës që shkaktoi cikloni “Katrina”, prej të cilit humbën jetën mbi 1,800 vetë dhe u shkaktuan dëme materiale që janë llogaritur në rreth 125 miliardë dollarë.
Presidenti Meidani dhe njerëzit që e shoqëronin atë në New Orleans u vendosën të qëndronin në hotelin Wyndham, në Royal Street, në French Quarter, një bllok më tutje se Hotel Monteleone. Në mbrëmje, Bret Clesi na dha të gjithëve mundësinë dhe kënaqësinë të ndiqnim një koncert me muzikë Jazz në një prej teatrove më të vjetër të qytetit, pikërisht në atë rrugë (St. Louis Street), ku ndodhet shtëpia, të cilën The Animals e kanë përjetësuar me këngën “The House of the Rising Sun”. Edhe pse disa variante folk të kësaj kënge kanë qenë kënduar edhe më parë, ishte ai grup rock nga Britania e Madhe që, në vitin 1964, e bëri këtë këngë të famshme në mbarë botën.
Të nesërmen, Presidenti Meidani mbajti një fjalë në University of New Orleans dhe u nderua nga presidenti i atij universiteti me “Medaljen Ndërkombëtare të Kancelarit” (të uiversitetit) dhe, më pas, nga Kryetari i Bashkisë, Ray Nagin, mori “Çelësin e Artë të Qytetit” dhe titullin “Qytetar Nderi” i New Orleans. Këtë titull, atë ditë e mori edhe ministrja e Jashtme Arta Dade.
Ray Nagin e mbajti postin e kryetarit të Bashkisë të New Orleans-it dy mandate me radhë. Në vitin 2014 ai u dënua me dhjetë vite burg për korrupsion, mitmarrje dhe larje parash, dënim të cilin, vazhdon ta vuajë në një burg federal të Shteteve të Bashkuara edhe sot që shkruaj këto radhë.

Apr 28, 2020 — Former New Orleans Mayor Ray Nagin was released from federal prison Monday, about three years before he was due to complete his 10-year