Me mijëra persona kanë protestuar në Brazilia (kryeqyteti i Brazilit) para pallatit presidencial kundër emërimit në detyrë si ministër të ish-presidentit Injacio da Silva Lula.
Opozitarët kanë tentuar të hyjnë në pallat, por janë larguar nga policia. Televizionet kanë shfaqur pamjet e përleshjeve mes një grupi manifestuesish dhe militantëve të Partisë së Punëtorëve të presidentes Dilma Rousef dhe Lulës. Policia ka përdorur shkopinj gome dhe spraj për të shpërndarë njerëzit.
Ndërkohë Gjykatësi Federal Itagiba Preta Neto, ka nxjerrë një vendim të përkohshëm që pezullon emërimin e Lulës si ministër.
Protesta të tjera paqësore janë duke u zhvilluar në qytete të ndryshme të Brazilit. Mijëra prej tyre kanë bllokuar zonën ‘Paulista’ që të çon në Sao Paolo, duke mbajtur në duar parulla kundër Lulës dhe presidentes së vendit.

Manifestime të ngjashme janë zhvilluar edhe në Brazilia, përpara pallatit presidencial të Planaltos dhe në Rio de Zhanejro.
Protestat kanë shpërthyer pas publikimit nga ana e gjykatësit Serxhio Moro, simbol i hetimeve “Lava Jato”, “Duar të pastra” braziliane, të një përgjimi telefonik mes Lulës e Rousef, ku presidentja paralajmëron Lulën se po i dërgonte dekretin për emërimin ministror, për ta shfrytëzuar “në rast nevoje”. Sipas Moros, kjo dëshmon që emërimi i Lulës është bërë për të penguar drejtësinë për ta hetuar.
