Jozef Hall vrau të atin neo-nazist kur ishte 10 vjeç. Dy vjet më vonë ai shpallet fajtor nga një gjykatë e Los Anxhelosit dhe dënohet që të qëndrojë në paraburgim deri në moshën 23-vjeçare. Gjykata në vendimin e dhënë shprehet se “ai e dinte që akti i vrasjes ishte diçka e gabuar”
12-vjeçari Jozef Hall është shpallur fajtor për vrasjen e të atit dy vjet më parë. “Fëmija i përkiste një moshe në të cilën njeriu është i vetëdijshëm për faktin se akti i vrasjes është diçka e gabuar”, deklaroi gjyqtarja Xhin Leonard nga qarku Riversaid në Los Anxhelos, duke shtuar se fëmija e kishte paramenduar aktin kriminal ndaj të atit. Ky i fundit, pak para se të vritej, kishte kërcënuar se do të divorcohej nga e shoqja dhe do të braktiste familjen.
Jozef Hall e qëlloi të atin 32-vjeçar me disa plumba pistolete në kokë në kohën kur burri flinte i dehur mbi divan. “Jozefi vendosi tytën e pistoletës në kokën e të atit dhe tërhoqi këmbëzën. Ka qenë një veprim i vetëdijshëm, madje i studiuar mirë”, tha gjykatësja. Megjithatë, ajo pranoi se fëmija ishte rritur nga i ati në frymën e metodave ekstremiste. Që kur ishte 8 vjeç ai ishte bërë pjesë e organizatës neo-naziste “National Socialist Movement”.
“Trupi gjykues e pranon se bëhet fjalë për një fëmijë të izoluar, por thekson se ai dinte më shumë se bashkëmoshatarët e tij mbi armët, dhunën dhe urrejtjen. Jozefi ka shprehur një sjellje të dhunshme që kur ishte 18 muajsh. Më pas, në moshën 8-vjeçare ai u përjashtua nga shkolla. Konsultat që kemi zhvilluar me të tregojnë se ai nuk është një fëmijë naiv që nuk e njeh botën, përkundrazi, ka njohuri mbi gjëra që nuk i përkasin moshës së tij”, tha gjyqtarja Leonard.
Dhe më pas erdhi dënimi: “Jozefi do të mbahet në paraburgim nga shteti deri sa të mbushë moshën 23 vjeç”. Pjesa më e madhe e të miturve përfundon në një nga tre qendrat e paraburgimit të shtetit, thekson gazeta “Los Angeles Times”, e megjithatë aktualisht aty nuk ndodhen të mitur nën moshën 14 vjeç.
Avokati mbrojtës i Jozefit e ka cilësuar si tragjedi një vendim të tillë, sepse këto lloj vendimesh nuk aplikohen mbi fëmijë. “Duke kaluar shumë kohë në paraburgim, fëmija do të mësojë dhe përshtasë sjellje të tjera dhunshme nga të rinjtë e tjerë aty, në vend që të jetë nën kujdesin e qendrave sociale”, u shpreh avokati.
Në fund të procesit, gjyqtarja u tregua e gatshme që të shqyrtonte të tjera alternativa dënimi dhe seanca e radhës do të jetë më 15 shkurt./Dorina Gjuzi