Kërkesa e një drejtuesi mjeti që gjatë një kontrolli rutinë të policisë, gruaja e tij të kontrollohej nga një police femër, jo vetëm që nuk respektuar, por dy efektivët që po bënin kontrollin kanë ushtruar edhe dhunë mbi të. Rasti në fjalë është pasqyruar sot në gazetën “Panorama”, e cila shkruan se ngjarja ka ndodhur në korrik në një nga rrugët e kryeqytetit. Gjatë një kontrolli që dy efektivë të komisariatit nr 2 po kryenin për dokumentet e automjetit të një tregtari, dy orë pas mesnate, ata e kanë dhunuar këtë të fundit, i cili ishte i shoqëruar nga katër persona, një prej të cilëve bashkëshortja e tij. Incidenti ka ndodhur pasi policët e kanë zbritur tregtarin nga makina me gjithë gruan dhe disa miq, dhe ai u kërkoi atyre që një police femër ta kontrollonte fizikisht gruan e tij për të shmangur prekjen e saj nga policët meshkuj.
Për rastin në fjalë, drejtuesi i mjetit i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, e cila më 10 janar 2013, deklaroi të fajshëm dy policët e akuzuar për këtë ngjarje dhe i dënoi ata me gjobë. Sipas vendimit, efektivët Nuredin Kasma dhe Fisnik Sinani janë gjobitur përkatësisht me nga 150 mijë dhe 100 mijë lekë gjobë, pasi u shpallën të fajshëm për akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”, në bashkëpunim.