Pas një lufte të gjatë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe fitores së saj të përkohshme në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, tashmë Gjykata Administrative e Apelit i ka dhënë të drejtë qendrës Res Publica.
Gjykata ka prishur vendimin e Shkallës së Parë, duke pranuar padinë dhe detyruar Ministrinë e Mbrojtjes që të japë dokumentat e kërkuara nga Res Publica.
Më 17 Tetor 2013, Res Publica i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes informacion në lidhje me shumën e shpenzuar nga institucioni për reklamat për vitet 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013, si dhe listën e shoqërive tregtare që janë paguar për spotet audiovizive, përfshirë produksionin dhe transmetimin ose publikimin. (Kujtojmë që reklamat i janë dhënë vëllait të Aleksandër Frangajt nga ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami).
Ministria e Mbrojtjes heshti ndaj kësaj kërkese, si dhe ndaj ankimit administrativ të paraqitur në nëntor 2013.
Për këtë arsye Res Publica iu drejtua gjykatës.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor Ministria e Mbrojtjes refuzoi dhënien e informacionit me argumentimin se ai përbënte “sekret hetimor”, pasi dosja e reklamave të vitit 2013 ishte duke u hetuar nga prokuroria.
Ky argument nuk vlente, por Gjykata Administrative e Shkallës së Parë më 16 Prill 2014 i dha të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes dhe rrëzoi padinë.
Res Publica, e bindur që ky vendim ishte i gabuar, u ankua në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe pranimin e padisë duke detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të japë informacionin të kërkuar.
Pavarësisht kohëzgjatjes së këtij procesi gjyqësor, tashmë një gjykatë e një niveli më të lartë konfirmoi se e drejta e informimit është një e drejtë kushtetuese dhe dhënia e informacionit përbën detyrim ligjor.
Ky vendim është një leksion i mirë demokracie për Ministrinë e Mbrojtjes dhe një leksion shteti ligjor për Gjykatën e Shkallës së Parë për kërkesa të ngjashme në të ardhmen.

Nuk kuptohet perse Mrika ka refuzuar qe te dorezoje dokumentet per t’i bere publike. Nese gjerat jane ashtu sic pohon ajo atehere duhet te kishte te gjithe interesin qe te behej transparence e jo t’i mbante te fshehura deri ne piken qe ta detyroje Gjykata per t’i dorezuar. Mistere rilindesish qe e kane alergji transparencen.
ore ju hani shqip apo jo. gjykata ka dhene vendim per publikimin e kontratave pasi ceshtja ishte pushuar nga prokuroria. per sa kohe ishte ende ne hetim, do ishte shkelje ligji nese do te publikoheshin.