Gjykata e liroi, i akuzuari për trafik droge plagoset me sqepar

redaktor

Një i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në linjën Shqipëri-Itali, i liruar nga Gjykata e Sarandës vitin e kaluar, përfundoi dje i masakruar me sqepar pas një sherri, motivet e të cilit mbeten ende të paqarta për policinë që po heton krimin. Artur Goro, 43 vjeç, mori plagë të rëndë në pjesën e kokës dhe pas mjekimit të parë në spitalin e qytetit të Sarandës, u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë me helikopter. Burime zyrtare të policisë vendore thanë se krimi ka ndodhur Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30, në lagjen “Sinan Ballaci” të Delvinës. Në kërkim për krimin është shpallur si i dyshuar Marko Alimani, banues po në qytetin bregdetar dhe shok me viktimën dhe me precedentë të mëparshëm penalë për drogë e tentativë vrasje, i cili u arrestua në orët e pasdites së djeshme. Paraprakisht dyshohet për një grindje të çastit mes tyre, por edhe për ndonjë konflikt të vjetër dhe mosmarrëveshje. Goro ishte nën masën “detyrim paraqitje” nga gjykata vendore, kurse policia dhe prokuroria e kishin akuzuar marsin e kaluar si pjesë e një organizate të trafikut të 200 kg droge nga Lazarati drejt Vlorës. Në operacion u arrestuan edhe disa persona të tjerë.

Policia ka pak informacione rreth ngjarjes për shkak të orës së vonë kur ka ndodhur dhe mungesës së dëshmitarëve. Por dyshohet se ka ndodhur një sherr i çastit mes dy burrave që kanë qenë së bashku. Duket se i dyshuari Marko Alimani ka mbërthyer armën e parë të ftohtë që ka gjetur, një sqepar, për ta goditur disa herë në trup dhe kokë 43-vjeçarin Artur Goro. Mjekët thanë se gjendja e të plagosurit ishte shumë kritike, me hemorragji dhe me çarje të thellë. Për këtë shkak rekomanduan dërgimin me urgjencë drejt Tiranës. Policia u tregua e rezervuar për rrethanat e krimit dhe motivet, por i arrestuari Alimani mësohet se është i afërm edhe i një drejtuesi vendor.

Artur Goro ishte arrestuar në 16 mars të vitit 2013, gjatë aksionit të koduar “Bistrica”, për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe akuzohej nga policia si një nga drejtuesit e një prej dy grupeve kryesore, që transportonte drogë nga Lazarati drejt Greqisë dhe Italisë. Ndaj tij gjykata kishte caktuar vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, për shkak se sipas gjyqtarit nuk kishte prova të mjaftueshme nga policia dhe prokuroria për përfshirjen e Goros në trafik. Në pranga ranë edhe 5 persona të tjerë të dyshuar, ndërsa u kapën rreth 2 kuintalë drogë, në vendin e quajtur “Burimi i Kursanës” në Delvinë. Për aksionin u deshën 6 muaj hetime dhe u arrestuan Jakup Mehmeti, 47 vjeç, Robert Xhaferri, 45 vjeç, Agim Çuçi, 29 vjeç, Mihal Koçikori, 26 vjeç dhe Panajot Koçikori, 23 vjeç.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *