Dy zhvillime juridike në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy drejtorëve të tij vartës, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me taksat ndaj kompanive private dhe tenderët. Gjykata e Tiranës ka pranuar dje të gjitha provat e paraqitura nga palët në gjyqin ndaj të zgjedhurit vendor dhe drejtorëve Bujar Loshi, i Tatimeve dhe Atli Hoti, i Zyrës Juridike. Gjithashtu është lehtësuar masa e sigurisë ndaj Hotit, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, pas këmbënguljes së avokatit.
Gjatë seancës të zhvilluar, ku të pranishëm ishin edhe tre të pandehurit bashkë me avokatët e tyre, trupi gjykues ka vendosur të marrë në administrim të gjitha provat e paraqitura nga të dyja palët, ndërsa ka rrëzuar kërkesën e kreut të Bashkisë së Kamzës, për marrjen e një eksperteje kontabël për verifikimin e procedurave fiskale të ndjekura nga drejtuesit e Bashkisë Kamëz. Gjykata vlerësoi se nuk ishte e nevojshme prezenca e ekspertes në këtë rast. Mziu pretendon se nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit për taksat vendore apo hakmarrjen ndaj dy kompanive që e kanë paditur, “Gjoka” dhe “Albavia”, duke pohuar se ka vendosur taksa si për gjithë firmat e tjera.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës i drejtorit juridik të Bashkisë së Kamzës, Atli Hoti, kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, gjë që u pranua nga trupi gjykues, i cili vendosi ndryshimin e saj, nga “arrest shtëpie”, në “detyrim paraqitje”. Argumenti i avokatit ishte se Hoti nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe meqenëse Apeli kishte vendosur të njëjtën masë për dy zyrtarët e tjerë, po për të njëjtën akuzë, të njësohej edhe masa për kreun e Zyrës Juridike.
Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy zyrtarët e Bashkisë, Bujar Loshi dhe Atli Hoti akuzohen për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderët, duke shkelur përkatësisht nenin 41 të Kodit Penal. Firma “Gjoka” e ka denoncuar Mziun prej vitit të kaluar se kishte fituar tenderin me vlerë fondi 81 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e rrugës Laknas i Ri-Valias, por në mënyrë arbitrare kryebashkiaku Mziu ia kishte anuluar, duke ia dhënë kompanisë “Everest” pa asnjë argument ligjor. Teksa më tej u konstatuan edhe punime nga firma e dytë, kurse AKP kishte kërkuar nga Bashkia Kamëz që tenderi t’i jepej firmës fituese në prokurim. Sipas prokurorisë, në shenjë hakmarrje, Mziu u rriste edhe taksat kompanive me të cilat ishte në konflikte, në kundërshtim me ligjin.
Leave a comment