Një gjykatë shqiptare vendos se për asetin më të madh energjitik shqiptar dhe abuzimet e kryera me këtë aset, çështjen duhet ta zgjidhë gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar. Rast i paprecedentë kur një gjykatë e një vendi sovran jep dorëheqjen përpara një kompanie spekulante që ka 15 vjet që gënjen shtetin dhe publikun shqiptar për ndërtimin e Kalivaçit
Gjykata e Lartë Shqiptare ka dhënë dje “dorëheqje” nga detyra e saj funksionale në lidhje me çështjen e hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo gjykatë e cila po shqyrton padinë ndaj biznesmenit kontravers Francesco Becheti në lidhje me Kalivaçin, ka dhënë dje një vendim që sugjeron trajtimin e kësaj çështje vetëm në gjykatën e Arbitrazhit. Në fakt ligji parashikon se çështja shkon në arbitrazh pasi të jenë ezauruar etapat e shqyrtimit të mosmarrëveshjeve në themel në gjykatat shqiptare, pasi është çështje mes dy subjekteve private dhe jo një çështje mes një subjekti privat ndërkombëtar dhe shtetit shqiptar. Në një proces gjyqësor zhvilluar për abuzimet e bëra në Kalivaç , Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka shkelur dje nenin 400 të K. Pr. Civile ku përcaktohet se “Dispozitat e këtij kreu vlejnë për procedurën e gjykimeve të arbitrazhit, kur pjesëmarrësit në proces janë me banim ose vendqendrim në Republikën e Shqipërisë dhe kur vendi i procedurës së arbitrazhit ndodhet në territorin e saj.” Duke e kaluar këtë proces nën kompetencën e arbitrazhit të Parisit. Gjykata e Shqipërisë rrëzoi mundësinë e aksesit në juridiksionin tonë të një çështjeje madhore për Shqiperine, ashtu siç është edhe vetë ky projekt.
Siç DITA ka theksuar në vijimësi këto kohë në faqet tona ekonomike, Kalivaçi u cilësua si vepra më e madhe post-komuniste koncesionare, por në Kalivac nuk ka hidrocentral, nuk prodhohet energji. Kontrata e koncesionit është shkelur. Parregullsitë janë të pafundme. Ministria nuk ka një datë të fillimit të punimeve ndërkohë që duhej të fillonte prodhimi i energjisë. Në proceset gjyqësore të ngritura për shkelje e parregullsi, gjykata ka zgjedhur të distancohet e të heshtë duke hequr dorë nga gjykimi i një çështje që mbart ndër të tjera abuzimet dhe mashtrimet që janë bërë me këtë koncesion.
Si ka mundësi që gjykata jonë hoqi dorë nga ky proces? Kush është Francesco Beçhetti që mban peng Kalivacin? Si lejohet një pengmarrje e tillë e hapur e një koncesioni që prej vitit 1997? Z.Beçhetti mori koncesionin në 1997, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 222 datë 24.05.1997 “Për miratimin e marrëveshjes së koncensionit të formës BOT për hidrocentralin e Kalivacit”. Projekti në pamje të parë ishte shumë i madh, më i madhi i kohës – 350GË energji e pastër në vit, brenda 5 viteve. Për më shumë se tre vjet, deri në nëntor 2000, askush nuk u kujtua më për Kalivacin, as vetë koncensionari që nuk hoqi as edhe një lopatë dhe në Kalivaç.
Nga viti 2000 deri në vitin 2007 përsëri askush nuk u kujtua për Kalivaçin, hidrocentrali s’kish filluar të projektohej ende. Sipas kontratës së vitit 1997 prodhimi i energjisë duhej të fillonte në vitin 2002. Sipas kontratës së vitit 2000 është nënkuptuar që prodhimi do të fillojë në 2005, duke marrë te mirëqenë që punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së vitit 2007 prodhimi do të fillonte në vitin 2011. Sot në vitin 2013 koncesionari i këtij “projekti gjigand në industrinë e energjisë për Shqipërinë” vazhdon të mos egzistojë, dhe për më tepër është paditur për mashtrim.
Përsërisim dhe apelojmë organet shtetërore të tregojnë seriozitet në trajtimin e këtij rasti: janë tejkaluar të gjitha afatet dhe janë shkelur me të dyja këmbët të gjitha klauzolat e kontratave të përtërira koncesionare. Ka dhjetëra raporte të AKBN të cilët rendisin, mangësi, shkelje, dhe abuzime me këtë kontratë koncesionare. Kur do fillojmë të jemi një shtet serioz?
Sa te jete Berisha do te jete shteti i Vicidolit.Largoheni kete kriminel dhe pastaj beni zgjedhje ndryshe 97 eshte ne prag!