Gjykata e Tiranës ka vendosur dje masën “arrest me burg” pa afat, ndaj vëllait të kryetarit të bashkisë së Roskovecit, Eugen Çaushi, dhe 6 të tjerëve, duke i hapur rrugën ekstradimit të tij drejt Italisë. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe me masa të rrepta sigurie. Ashtu si për 30-vjeçarin Çaushi, u dha e njëjta masë për Igli Metushin, Gazmir Shkurtajn, Daniel Likën, Eduarto Hoxhën, Kreshnik Bendon dhe Edër Dorëzin, që u arrestuan në kuadër të operacionit ndërkombëtar të drejtuar nga Prokuroria e Milanos në Itali, i koduar “Tempesta”, për akuzat e trafikimit të prostitucionit dhe drogave në kuadër të organizatave kriminale. Avokati Agron Kalemi, ka deklaruar se akuzat ndaj klientit të tij Eugen Çaushaj nuk qëndrojnë. Policia bëri të ditur se shtatë të arrestuarit, ishin pjesë e një grupi të kërkuar nga drejtësia në Itali, Greqi, Shqipëri dhe Greqi. Gjithsej janë kryer 30 arrestime në të katër vendet ku vepronte organizata që prostituonte vajza të reja nga Lindja në Milano dhe drogë në Firence.