Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për vendosjen e sekuestros për pasurinë e Elton Deliut (Çaushi), i vrarë në Tiranë në 2008-n. Vendimi i Gjykatës vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Vlera e pasurive të sekuestruara arrin në rreth 3 milionë euro, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga aktivitete të paligjshme.
Prokuroria thotë në deklaratën e shpërndarë për shtyp se: “nga informacioni i referuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe nga verifikimet e kryera në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në banka të nivelit të dytë, si edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, rezulton se, në emër të shtetasit Elton Deliu, si edhe të disa personave të afërm me të (të rrethit familjar dhe shoqëror), janë të regjistruara pasuri, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohen si të prejardhura nga aktiviteti i kriminal i shtetasit Elton Deliu. Në emër të tij, figurojnë si më poshtë:
1. 10.000 m2 sipërfaqe toke në Tiranë
2. 3 lokale në Tiranë (2 në rr. Myslym Shyri dhe 1 në rr. e Dibrës)
3. 3 apartamente në Tiranë dhe 1 vilë në Durrës
4. 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar
Këto pasuri administrohen nga shtetasit A.Musaraj dhe A.Sako
Gjithashtu, janë evidentuar pasuri të dyshuara si të prejardhurave nga aktiviteti i shtetasit Elton Deliu, të regjistruara në emër të shtetasve F.Deliu, A. Musaraj dhe A.Sako, të cilët kanë pasur lidhje të afërta me të.
Në emër të shtetases F.Deliu, e cila është e ëma e Elton Deliut, e ekzekutuar në të njëjtën ditë me të birin, rezultojnë të regjistruara:
1. 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës
2. Llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD
Në emër të shtetases A.Musaraj, rezultojnë të regjistruara:
1. 2 automjete
2. 5000 m2 sipërfaqe toke, të cilat rezultojnë të regjistruara në ZRPP në emër të shtetasit A. Sako, por që i kanë kaluar me kontratë shitje shtetases A.Musaraj.
3. Aktivitet privat person fizik (lokal), debitor pranë organeve tatimore
Në emër të shtetasit A.Sako, rezultojnë të regjistruara:
1. 3 automjete
2. 1 apartament
3. 2400 m2 sipërfaqe toke
4. Aktivitet privat person fizik (lokal), i rregullt në pagesën e detyrimeve