Gjykatat dhe Fullani, pyetjet e një pensionisti

redaktor

Nga Hysen Bregu

 

Unë që po ju shkruaj, jam një ish-ushtarak në lirim, që jetoj me një pension të parakohshëm, në masën e 23 mijë lekëve në muaj. Nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj vizive, u njohëm me vendimin e Gjykatës së Faktit Tiranë, që i dha pafajësinë, duke mos e gjetur fajtor, zotin Adrian Fullani, ish-Guvernator i Bankës së Shqipërisë, për vjedhjen e 713 milionë lekëve, në thesar, si dhe për blerjen e “Hotel Dajti”-t, nëpërmjet ankandit në masën e 30 milionë eurove, kur vartësit e tij u dënuan me burg, si dhe prej tij u kërkua gjykim i shkurtuar. Duke ndjekur dhe parë në vijimësi vendimet e Gjykatave tona, për masat e dhëna kundër personave drejtues e personave të korruptuar, sidomos për vjedhje e shpërdorime të pasurisë kombëtare, nuk ma lejon ndërgjegjja të mos shpreh dhe unë mendimin tim nëpërmjet gazetës suaj të nderuar DITA, të cilën e lexoj çdo ditë si një organ i pavarur shtypi, që pasqyron në mënyrë të saktë dhe reale të gjitha hallet dhe problemet që shqetësojnë këtë vend, dhe mbi të gjitha i bie në kokë si Qeverisë, ashtu dhe Opozitës, duke bërë oponencë të pakundërshtueshme me to. Në shumë raste, vendimet e Gjykatave tona lënë për të dëshiruar për njerëzit e lidhur me pushtetin. I tillë mund të konsiderohet dhe vendimi i shpallur nga trupa gjykuese e Gjykatës së Faktit Tiranë, për drejtuesin e Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, për vjedhjen e thesarit të shtetit, në një objekt të rëndësisë së veçantë.

Me të drejtë shtrohet pyetja nga unë dhe shumë të tjerë, se a kanë përgjegjësi drejtuesit e institucioneve, apo janë vendosur në krye të tyre për të bërë emër, të marrin rroga të majme, të pasurohen çdo ditë me mundin e djersën e taksa-paguesve të këtij populli fukara?. Nuk e imagjinoj dot sesi gjykohen këto çështje nga këta gjyqtarë, që për mua dhe shume të tjerë mund të jenë çdo gjë, por për të bërë drejtësi nuk janë. Në çdo institucion ka ligje, vendime, urdhra, udhëzime e rregullore bazë, që përcaktojnë detyrat e të drejtat, si dhe mënyrën e organizimit dhe drejtimit të punës në to. Nëse këto kërkesa do të zbatoheshin, ju garantojmë se nuk do të ndodhte asgjë.

Drejtuesi i institucionit ka për detyrë parësore drejtimin dhe organizimin e punës në institucion, duke i vënë detyra gjithë administratës në varësi për të punuar me korrektësi dhe ndershmëri, organizon kontrollin për zbatimin e tyre nga vartësit etj. Atëherë si nuk ka përgjegjësi drejtuesi i institucionit kur në mes të ditës me diell vidhet thesari i një shteti nga personeli në varësi të tij? Nëse nuk ka përgjegjësi direkte, ka përgjegjësi indirekte për dëmin e shkaktuar, që për ekonominë tonë të brishtë është në përmasa të mëdha dhe trupa gjykuese nuk e gjen fajtor, qoftë dhe për shpërdorim detyre.

Nuk dua në asnjë mënyrë të bëj avokatin për mbrojtësin e akuzës (Prokurorin), i cili kërkoi dënimin e zotit Fullani me 3 vjet e 4 muaj burg dhe trupa gjykuese i jep pafajësinë zotit Adrian Fullani, si të pambështetur në ligj. Kjo është t’u thuash hapur drejtuesve të institucioneve: “Vazhdoni të hani e të pini gjakun e djersën, e mundin e këtij populli”, që për 25 vjet me radhë është vjedhur e shitur e gjithë pasuria kombëtare e këtij vendi, duke e çuar ekonominë tonë në buzë të greminës.

Nuk e di dhe nuk e kuptoj se në vendin tonë është më lehtë të dënosh një fukara, që për mungesa financiare ka vjedhur energji elektrike, apo ka bërë një problem tjetër të ngjashëm me të, ndërsa po të jesh drejtues institucioni dhe i lidhur me ish-pushtetin dhe pushtetin, për vjedhje në përmasa të mëdha, të realizuara në institucionet që drejtojnë, nga persona në varësi të tyre, të cilët dënohen me burg, ndërsa drejtuesit të institucionit i jepet pafajësi dhe nuk ndëshkohet qoftë dhe me një gjobë për shpërdorim detyre. Në një kohë kur për luftën kundër informalitetit që ka ndërmarrë Qeveria, e cila duhet të kishte filluar më parë, për mos-dhënien e një kuponi tatimor një blerësi, nga një biznes i vogël (familjar), ligji parashikon 500 mijë lekë gjobë në rastin e parë dhe në rast përsëritjeje të mosdhënies së kuponit, mund të shkosh dhe në burg.

Share This Article
1 Comment
  • Te blesh dy vez nje lek shitesi te jep kuponin (2 x 1 = 2/ lek. Sa tatim
    humb ? Denohe ! Fullani humbi 7 000 300 ero nuk denohet ! Pse ?
    Ka paguar qeveritaret dhe gjygjetaret ! Dhe ne nje koh qe flitet se
    po behet reforma ne Drejtesi !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *