Nga Heral A. Saraçi
Tema “Ligjshmëria gjatë regjimit komunist, 1944-1990” është një çështje e trajtuar nga Vëllimi i IV i “Historia e Popullit Shqiptar” nën titullin “Ndërtimi i institucioneve të shtetit”. Aty shënohet se “Organet fillestare të shtetit të ri ishin krijuar gjatë luftës … Ato morën trajtën më të plotë për kushtet e luftës me Vendimet e marra në Kongresin e Përmetit, maj 1944 dhe në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), tetor 1944. Por me çlirimin e vendit ky system duhet të kompletohej e të përsosej…të paktën formalisht, duhet të legjitimohej përmes zgjedhjeve. Zgjedhjet do t’u jepnin organeve të pushtetit, këshillave të të gjitha hallkave, si pjesë të sistemit, legjitimitetin dhe autoritetin për të vepruar në të gjithë vendin.” Pak më poshtë vazhdohet se “me miratimin e Kushtetutës në vitin 1946…” konstatojmë se “Në këto kushte do të ishte i dukshëm mosrespektimi i pavarësisë së gjyqësorit. Madje në praktikë, për shqyrtimin e disa çështjeve delikate, sigurisht penale, gjykatat ishin të detyruara të konsultoheshin me organet e PKSH”.
Ndoshta, me këto dy argumenta mbi pushtetin gjyqësor të pas 44’ e në fillim të shtetit të ri të pasluftës nuk ia vlen të flitet më tej. Megjithatë për interesa studimi e para së gjithash për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me shqiptarët e me pushtetin e tyre gjyqësor po shprehim disa mendime.
Mendojmë se teksti i Historisë së Popullit Shqiptar në kreun e mësipërm mund të kishte përmendur diçka më tepër për veprimtarinë ligjvënëse dhe gjyqësore në vendin tonë në fund të vitit 1944 e gjatë vitit 1945.
Duke u përqendruar në çështjen e gjykatave të pasluftë teksti i HPSH shënon se “…. Në maj 1945 doli ligji mbi organizimin e përkohshëm gjyqësor, në bazë të të cilit u ngrit një sistem i ri gjyqësor…”. Të krijohet përshtypja e zhvillimit të një veprimtarie legjislative dhe gjyqësore duke nisur nga viti 1945 e më tej vazhdohet se “Gjatë vitit 1948 u bënë ndryshime dhe në gjykatat ushtarake …” duke na pohuar e nënkuptuar qenien dhe veprimtarinë e këtyre gjykatave dhe para vitit 1948.
Në fakt po të shfletosh Gazetën Zyrtare të Dhjetorit 1944 gjatë vitit 1945 vëren sa janë miratuar disa ligje. Njëri prej tyre është Ligji nr. 41 i Kryesisë së Këshillit Antifashist N. ÇL. “Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake” datë 14 Janar 1945. Ai është propozuar nga Kryeministri, Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombtare, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha si dhe Ministri i Drejtësisë Manol Konomit dhe aprovuar nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Ky ligj është nënshkruar në fund nga Kryetari Dr. Omer Nishani d.v. dhe Sekretari Koço Tashko d.v… Këtë ligj teksti i Historisë së Popullit Shqiptar të vitit 2008 nuk e përmend.
Ligji nr. 41 është miratuar dhe ka vepruar gjatë vitit të parë të vendosjes së regjimit nacionalçlirimtar duke rregullur një fushë të posaçme së të drejtës penale, atë ushtarake, pikërisht në kohën e ardhjes së regjimit diktatorial në pushtet.
Po citojmë disa nga nenet e këtij ligji për të njohur objektin, strukturën, aktet penale, kategoritë e autorëvedispozitat e tij:
Neni 1
Suprimohen Gjykatat Ushtarake të deritanishme. Pushteti Ushtarak Gjyqësor do t’ushtrohet nga Gjykata Ushtarae e Korpusit, nga Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit dhe nga Gjykata e Naltë Ushtarake.
Neni 2
Gjykatat Ushtarake gjykojnë të gjitha aktet e drejtueme kontra Luftës Nacional-Çlirimtare të Popullit shqiptar, kontra fitorjeve dhe interesave të kësaj lufte.
Neni 3
Gjykata e Naltë Ushtarake gjykon aktet më me rëndësi të kriminelëve të luftës dhe armiqëve të popullit përveç kur me ligjë të posaçme caktohet se këto akte do të gjykohen prej Gjykatave Speciale, dhe aktet penale t’Oficerave më të naltë dhe të Gjeneralëve t’Ushtris Nacional-Çlirimtare.
Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm, Gjykata e Naltë Ushtarake mund të gjykojë edhe çdo akt që i përket Gjykatës së Korpusit ose të Krahinës Ushtarake të Korpusit.
Neni 4
Gjykata Ushtarake e Korpusit gjykon aktet penale të kryeme prej ushtarëve, nënoficerëve dhe t’oficerave inferior të Korpusit të sajë. Kjo Gjykatë mund të gjykajë të gjitha aktet e kryeme prej personave në tokën ku zhvillohen operacionet ushtarak, ku vendimi i shpejtë gjyqësor asht i domosdoshëm.
Nenit 13
Gjykatat Ushtarake gjykojnë: a) Krimet e Luftës, b) Aktet e anmiqve të Popullit, c) Aktet penale të personave ushtarakë dhe të robërve të luftës dhe ç) Aktet penale që me dispozita të veçanta kanë me i’u atribue shprehimisht kompetencës së tyne.
Nenit 14
Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen:
Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegëje, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetërore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtor dhe ndihmësa t’aparatit terrorist dhe të formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrin e armikut.
Nenit 15
Si armiq të Popullit konsiderohen, në rast se veprat e tyre penale nuk përfshihen prej nenit 14: Kryetarët dhe antarët e qeverive t’okupasionit; ata që kanë veprue ose veprojnë kontra integritetit tokësor, Independencës së Shqipnis, ata që kanë veprue ose veprojnë kontra interesave të nalta t’Atdheut kundër Pushtetit dhe ushtrisë së popullit; Ata që kanë bashkëpunuar e ndihmuar në formimin e organizatave tradhëtare e mercenare (Milici Fashiste, Kuesturë, Gjindarmëri, Balli Kombëtar, Legalitet, Divizioni SS, Skënderbeg etj.) etj ) … ata që u banë vegla të ndergjegjshme t’armikut … ata që kanë tradhëtuar dhe penguar luftën Nacional-Çlirimtare … Ata që duke pasun një nëpunësi shtetnore ose parashtetnore u banë organe të ndërgjegjshme t’armikut dhe ushtruan funksionet e tyne duke shtypur popullin … ata që kanë bashkëpunue ekonomikisht me armikun … Konsiderohen armiq të popullit ata q’i shmangen pushtetit të Popullit dhe punojnë kondra tij; Ata që përçajnë Ushtrinë N. Çl. dhe punojnë kundra sajë etj.
Neni 32
Ndëshkimi me vdekje eksekutohet me pushkatim ose në raste të rënda me varje, menjëherë mbas marrjes s’aprovimit nga Gjykata e Naltë Ushtarake. Mbi ekzekutimin e këtij ndëshkimi duhet të lajmërohet Gjykata e Naltë Ushtarake.
Mbi këtë ligj është mbështetur veprimtaria e sa e sa proceseve gjyqësore ushtarake të zhvilluar në Shqipëri menjëherë pas Luftës. Duke u bazuar në këtë akt ligjor janë miratuar sa e sa vendime gjyqësore ndaj shqiptarëve të klasifikuar armiq të popullit dhe kriminelë lufte që janë dënuar me burgim, pushkatim dhe varje.
Duhet të sqarojmë se në pamje të parë qëllimi i një akti të tillë ligjor është i justifikuar në një vend i cili sapo ishte liruar nga okupatorët nazifashistë. Mendimi ynë është se autorët e akteve penale e krimeve të luftës të kryera kundër popullit shqiptar duhet të përgjigjeshin përpara drejtësisë.
Një tjetër diskutim është se si u zbatua ky ligj në realitet? Sa shqiptarë të persekutuar politikë ndër vite kanë qenë të etiketuar si armiq të popullit prej këtij ligji? Jemi të mendimit se në thelb qëllimi i këtij ligji nuk ka qenë thjeshtë dënimi i personave bashkëpunëtor të okupatorit. Qëllimi parësor i tij ka qenë eleminimi dhe asgjësimi i personave që nuk ishin pro politikës së lëvizjes nacionalçlirimtare.
Si shkas për këtë punim ka shërbyer një rast konkret, ai i Ymer Saraçit, gjyshit tim që në fund të vitit 1944 ishte anëtar i Këshillit të Shtetit, nënpunës i lartë i administratës shtetërore e që nuk ishte anëtar i asnjë partie politike. Ai bazuar në nenin 15 të Ligjit nr. 41 datë 14 Janar 1945 në kombinim me nenin 18 paragrafi (g) të këtij ligji u dënua me pesë vjet burgim dhe me punë të detyrueshme me humbjen e të drejtave qytetare e politike të tij baras me kohën e ndëshkimit si dhe me konfiskimin e pasurisë së tij të tundshme e të patundshme.
E përmenda këtë fakt familjar për të bërë një konstatim të rëndësishëm në lidhje me Ligjin që po diskutojmë. Ndërsa gjyqtarët e pushtetit N. ÇL. kanë qenë aq të aftë sa të shënonin bazën ligjore në vendimin gjyqësor të gjyshit tim vërejmë se Ligj nr. 41 i publikuar në Nr. 3 të Gazetës Zyrtare datë 24 Janar 1945 nuk ka një bazë ligjore. Ai shënon me propozim të Gjeneral Kolonel Enver Hoxha dhe Ministrit të Drejtësisë Manol Konomit, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar aprovon Ligjin…. Ky detaj është kusht për të diskutuar rreth ligjshmërisë të një dokumenti juridik edhe Ligjit nr. 41 të cilin po e studiojmë. Ai duke mos plotësuar këtë pikë është i kundërligjshëm. Për rrjedhojë edhe Gjykata që gjykojë tim gjysh dhe miratojë një vendimin kundër tij është e kundraligjshme.
Por nuk po mjaftohemi vetëm me këtë konstatim. Meqë çështja është serioze po e konsiderojmë mungesën e bazës ligjore si një mangësi, harresë të teknikës legjislative në përfundim të luftës.
Në këtë pikë shtrojmë pyetjen teorike a kanë udhëheqësit nacionalçlirimtarë Omer Nishani dhe Koço Tashko autoritet a ndonjë kompetencë që të mund të argumentojmë vlefshmërinë e aktit juridik, Ligj nr. 41 të miratuar prej tyre? Ata janë Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ-it). Kjo strukturë u formua në Përmet më 24 maj 1944 nga Kongresi i I-rë Antifashist Nacional-Çlirimtar. Nga historiografia jonë pranohet se Kongresi i Përmetit “ …. formoi organet legjislative dhe ekzekutive të shtetit të ri …” dhe drejtohej nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Organet e dala nga ky Kongres nisën të funksiononin ndërkohë që ekzistonte një qendër tjetër pushteti në Tiranë, me ligje dhe institucione shtetërore, që ishin nën okupim.
Pse duhej të miratohej një ligj për Gjykatat Ushtarake në janar 1945 kur Pushteti i popullit bashkë me sistemin organizativ të Antifashist Nacionalçlirimtar ishin themeluar në maj 1944 dhe përsosur në vazhdim? Si kishte funksionuar gjyqësori i shtetit shqiptar antifashist nacionalçlirimtar nga maji 1944 deri më janar 1945? Mund të hamendësojmë se pse propozonte komandanti i ushtrisë Gjeneral Kolonel Enver Hoxha një ligj të tillë kur nga maji 1944 drejtonte ushtrinë e rrjedhimisht administronte ose komandonte edhe strukturën e saj organizative e atë ushtarake gjyqësore?
Nenit 1 i ligjit shpall se suprimohen gjykatat Ushtarake të deritanishme. Kuptohet se përpara datës 14 janar kanë ekzistuar gjykata të deritanishme të cilat Ligji nr. 41 i suprimon. Atëherë mjaftojmë që të shfletojmë dokumentacionin e Gazetës Zyrtare për akte ligjore të cilat parashikojnë gjykatat ushtarake ekzistuese nga maji 1944 deri më janar 1945 dhe t’i identifikojmë ato.
Në të vërtetë draftuesi i ligjit nr. 41 nuk sqaron hollësisht se cilat gjykata suprimohen ato të shtetit shqiptar që forcat partizane përmbysën në nëntor 1944 apo të tjera ekzistuese dhe të organizuara prej tyre në kohë lufte? Jemi të mendimit se nuk bëhet fjalë për gjykatat ekzistuese shtetërore që funksiononin prej 20 e sa vitesh sepse në Gazetën Zyrtare nuk hasen shfuqizime të strukturave shtetërore të para nëntorit 1944. Me Kongresin e Përmetit lëvizja NacionalÇlirimtare e kishte zgjidhur problemin e suprimimit të shtetit shqiptar me vendimin e dhënë kundër kthimit të Mbretit Zog. Atëherë mbetet vetëm arsyetimi i veprimtarisë shtetërore të KANÇ nga maji 1944 deri më janar 1945.
Në Gazetën Zyrtare të dhjetorit të vitit 1944 nuk ndeshen Vendime gjykatash ushtarake të Ushtrisë Antifashiste NacionalÇlirimtare siç mund të hamendësohet përderisa ajo publikon Vendimet e Kongresit të Përmetit. Nga ana tjetër edhe nga shfletimi i botimit “Dokumenta të Organeve të Larta të Pushtetit Revolucionar Nacional-Çlirimtar (1942-1944), Tiranë 1962” nuk kemi hasur qoftë edhe një Vendim gjyqësor të tillë. 18 vjet nga lufta në këtë përmbledhje përfshihen aktet më të qenësishme të lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Duke qenë se vendimet gjyqësore nuk konstatohen atëherë nuk ka ekzistuar një pushtet gjyqësor qoftë edhe ushtarak në kuadër të lëvizjes A.N.ÇL.
Në fakt jemi të vetëdijshëm për rrethanat kohore dhe historike të atyre viteve. Ishte kohë lufte dhe veprimtaria shtetërore e cilitdo nga të tre pushtetet ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor zhvillohet në këto kushte. Duke qenë se një veprimtari gjyqësore nuk faktohet nga përmbledhja e dokumentacionit të përmendur më lart çështjen e gjykatave ushtarake e shtrojmë më tej në planin teorik.
A ishte kompetent KANÇ të themelonte gjykata, ti suprimonte ato e mbi to të themelonte gjykata të reja ushtarake? Po kryesia e tij e përbërë nga Kryetari Dr. Omer Nishani dhe Sekretari Koço Tashko çfarë kompetencash kishin në lidhje me pushtetin gjyqësor?
Në Gazetën Zyrtare të dhjetorit 1945 janë shpallur nëntë dokumenta të miratuar në Kongresin e Përmetit. Deklarata dhe tetë vendime.
Vendimi Nr. 1 “Kongresi i jep të drejtë Këshillit Antifashisht Nacional-Çlirimtar që të formojë Komitetin Antifashisht Nacional-Çlirimtar me të gjitha atributet e një qeverije të përkohshme popullore…..”
Vendimi nr. 2 “Këshillit Antifashisht Nacional-Çlirimtar, i cili është trupi kryesor legjislativ dhe Ekzekutiv që përfaqëson sovranitetin e popullit dhe të Shtetit Shqiptar për kohën e luftës nacional-çlirimtare, zgjeth kryesinë e tij, e cila përbëhet prej presidentit, tre nënpresidenta, dy sekretarë dhe njëzetekatër antarë. (27.5.1944)
Vendim Nr. 3 i mbledhjes së parë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar mbi ndalimin e kthimit të Zogut në Shqipëri gjer në çlirimin e gjithë vëndit t’onë. (27.5.1944)
Vendim Nr. 4 i mbledhjes së parë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë mbi dhanien e gradavet në ushtri, mbi mirënjohjen dhe përgëzime Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. (27.5.1944)
Vendim nr. 5 i mbledhjes së parë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar për përshëndetjen dhe përgëzime Këshillit të Përgjithshëm Nacional-
Çlirimtar.
Vendim nr. 6 i mbledhjes së parë të Këshillit Antifashist Nac. Çlir. mbi emërimin e Komandantit të P. të Ushtrisë P. V. N. Çl. (28.5.1944)
Vendim nr. 7 i mbledhjes së parë të Kryesisë së këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë mbi emërimin e Komitetit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë. (28.5.1944)
Vendim Nr. 8, i mbledhjes së I-rë të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar mbi formimin e nji Komisioni të Shtetit për zbulimin dhe vërtetimi e krimeve t’okupatorit dhe të trathëtorëvet. (28.5.1944)
Siç shihet asnjëri nga këto vendime nuk miraton organe gjyqësore. Në tekstin e deklaratës parashikohet se Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar i dalë nga Kongresi është organ supreme legjislativ ndërsa Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar është organ me atributet e një qeverie provizore. Edhe Vendimi I në paragrafin e Parë shënon se “Kongresi i I-rë Antifashist Nacional-Çlirimtar zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional-Çlirimtar, si trupin kryesor Legjislativ dhe Ekzekutiv që përfaqëson sovranitetin e popullit dhe të shtetit Shqiptar”. Në Përmet nuk janë marrë vendime në lidhje me pushtetin gjyqësor dhe as për themelimin e gjykatave ushtarake.
(Vijon numrin e ardhshëm)
