E vetmja aftësi e kufizuar në jetë është qëndrimi i lig. Por të ligj, mjerisht, ka shumë. Tipari i tyre është të shajnë të tjerët. E bëjnë ose nga pasioni ose nga budallallëku. Shajnë si të marrë, por thëniet e tyre shpesh pëlqehen nga inatçinjtë, shpërndahen nga budallenjtë dhe pranohen nga idiotët. Meqenëse numri i këtyre të fundit është rritur ndjeshëm, falë kohës që kalojmë, duket sikur përkohësisht e liga zë vend. Do kishin zënë vend edhe fjalët e liga të Gjergj Lekës sikur të mos kishte marrë përgjigjen që meritoi në kohë rekord. Një zonjë mori kurajon dhe e quajti atë indirekt, bile direkt me ç’kuptova unë, “burrë kurvë”. M’u bë qejfi pa masë, jo sepse njoh nga afër personin në fjalë, por si fierak nuk pajtohem kurrë të flitet me atë gjuhë për zonjën Lindita Theodhori. Dekada më parë kam njohur këtë zonjë. Me zërin e saj janë mbushur sallat plot, ndaj dhe e kam vlerësuar gjithnjë këtë këngëtare të mirë të vendit. Përgjigjen ja dha pra, një femër duke e quajtur burrë kurvë. Kjo e kishte inatosur Gjergjin tej mase, aq sa e paska hedhur në gjyq dhe kërkon dënimin e saj të dyfishtë: me burg dhe gjobë! Nuk di kur do të bëhet ky gjyq, por do shkoja me dëshirë të dëgjoja dëshmi ku vërtetonin ose hidhnin poshtë pretendimin se Gjergji na qenka kurvë prej burri.
Lexova edhe shtypin dhe vërejta se kantautori kish kërkuar ndjesë të hollë. Jo ndjese prej burri, çka më lë të dyshoj në vërtetësinë e fjalëve të zonjës. S’besoj të ketë qenë në planet e këngëtarit muzikant ky lloj ofendimi. Atëherë, ç’dreqin pati që u tregua aq i pazoti sa ja futi kot? Me siguri duhet të ketë lexuar Niçen. Diku ai thotë se njeriu i ditur duhet të jetë i aftë të dojë armiqtë e tij, por gjithashtu të urrejë miqtë e vet. Të ketë qenë vallë Niçja që e bëri Gjergjin të katranosë punën?
Përpara se të bësh vlerësime, duhet të gjykosh thellë vetveten. Qëndrimi i ligë – thotë populli, është si një gomë e shfryrë. S’të çon askund pa e ndërruar. Ndaj pres tjetër reagim prej kantautorit. Ndjesë prej burri të vërtetë, megjithëse atë do të vërtetojë gjyqi. Shihemi në gjyq o Gjergj Leka!
Letër e nënshkruar
Besnik Braho
