Zbardhet misteri i gjymtyrës së gjetur në Shëngjin të Lezhës mbrëmjen e të hënës. Duke marrë shkak nga gjetja e një këmbë të djathtë njeriu anës detit, janë vënë në lëvizje strukturat e policisë së Lezhës për të nisur hetimet se kujt i përkiste gjymtyra. Lidhur me këtë fakt, ditën e djeshme policia ka nisur procedim penal në ngarkim të Enkeled G., 32 vjeç, me profesion Kryeinfermier i Spitalit Rajonal. Kryeinfermieri akuzohet për veprën penale “shpërdorim i detyrës”. Më 12 mars të këtij viti, në spital është operuar M. Gj., 74 vjeç, banues në Gëziq të Mirditës dhe pas operacionit, në kundërshtim me rregullat, gjymtyra u është dhënë familjarëve, të cilët e kanë hedhur në lumin Mat. Sipas procedurës, gjymtyra duhej djegur së bashku me mbetjet spitalore. Rjedha e lumit e ka nxjerrë gjymtyrën në det, derisa u gjet mbrëmjen e së hënës në Kune. Vetë i moshuari ka dëshmuar se familjarët e kanë hedhur këmbën në lumë pas operacionit, pasi ua kishte dhënë mjeku.
