Do pranohet se ka të vrarë, por nuk do ketë të dënuar për vrasje e për rrjedhim as urdhërues të tyre. Do pranohet se ka pasur zhdukje të provave, por nuk do gjendet se kush i ka zhdukur. Do pranohet se tyta e revoles “Beret” e ish-komandantit të gardës është ndërruar, se gjilpëra e saj është shkatërruar, po askush nuk do të rrezultojë fajtor për këtë. Me një fjalë do të ketë ngjarje, por pa autorë. Do të ketë krim, por pa kriminelë. Do të ketë të vrarë, por pa vrasës. Është një “deja vu” e njohur e drejtësisë shqiptare prej 22 vjetësh. Sepse është një drejtësi, ku paguajnë vetëm të dobtit – thote Andi Bushati, një nga gazetarët që bashkë me Mero Bazen e Filip Çakulin u akuzuan nga S.Berisha në detyrën e kryeministrit në 21 janar si “puçistë”, “organizatorë” etj. Dy vjet më pas, Bushati, në këtë intervistë për gazetën DITA, flet si e sheh sot 21 janarin dhe çfarë përshtypje po lë gjykimi mbi këtë ngjarje të tmerrshme të historisë së 22 viteve të fundit.
DITA: Po bëhen dy vite që nga ngjarja e 21 janarit të vitit 2011. Në këtë distancë kohore, si e gjykoni
atë që ka ndodhur më 21 janar? Çfarë ishte 21 janari?
Bushati: 21 janari ishte një protestë e organizuar nga opozita për të dhënë imazhin se Shqipëria nuk
ishte një vend normal. Se ishte një vend ku vidhej hapur në zyrat e shtetit dhe tashmë kjo ishte e
vërtetueshme edhe me imazhe. Se ishte një vend ku pakica politike tentohej të vihej më shpatulla
për muri (të mos harrojmë se në fund të dhjetorit 2010 PD-ja kishte varrosur përfundimisht shpresën
për transparencën e zgjedhjeve duke shkelur edhe mbi atë që Berisha kishte premtuar vetë, hapjen
e kutive të materialeve zgjedhore). Se ishte një vend ku edhe kur parlamenti ishte gjysëm bosh,
tentohej të thuhej se qeverisja funksionon shkëlqyeshëm dhe se reformat po vazhdojnë. Në këtë
kuptim në 21 janar, opozita, me mjete radikale në skaj të ligjshmërisë, tentoi ta grisë këtë kartolinë
të rreme. Ajo armatosi një pjesë të skalionëve të saj me çadra, gurë dhe shkopij, për të dhënë një
imazh tjerër të vendit. Ky qe akti i opozitës, qoftë edhe mëkati i saj, po të doni. Por, kësaj ushtrie
me shkopij e me cadra, ju përgjigj një amatë me gardistë, snajperë, dhe urdhra për dhunë. Për të
mos lejuar grisjen e kartolinës së rreme, pushteti u tregua i gatshëm të vriste. Pastaj të gënjente
se vrasjet i kish bërë Edi Rama. Pastaj të shpikte variantin me puçistë, pasi pamjet filmike ia kishin
rrëzuar alibinë e parë. Pastaj në emër të puçit imagjinar, të mos lejonte ndalimin e të akuzuarve për
vrasje. Pastaj, duke mos lejuar këtë ndalim, t’u jepte mundësinë atyre të shkatërronin provat. (këtë e
provon më së miri edhe raporti i FBI-së). E pasi të ishte siguruar se një pjesë e provave qenë zhdukur
të jepte dritën jeshile për një process “të drejtë dhe të barabartë”. Këto janë qëndrimet e palëve në
21 janar, para dhe pas tij, dhe ato janë larg së qeni simetrike, siç pretendon ndokush.
Çfarë përshtypje ju ka lënë procesi ligjor që po ndiqet në gjykatë në lidhje me këtë çështje?
Procese që po shkojnë drejt një farse. Katër njerëz janë vrarë, por nuk dihet nëse plumbat kanë qenë
rikoshetë, apo drejt e në mish. Pamjet nga kamerat e sigurisë të kryeministrisë janë zhdukur, por nuk
dihet se kush e ka bërë këtë. Duke e njohur se si procedon drejtësia shqiptare le të mos kemi frikë ta
hamendësojmë se si do të përfundojnë këto gjykime. Do pranohet se ka të vrarë, por nuk do ketë të
dënuar për vrasje e për rrjedhim as urdhërues të tyre. Do pranohet se ka pasur zhdukje të provave,
por nuk do gjendet se kush i ka zhdukur. Do pranohet se tyta e revoles “Beret” e ish-komandantit të
gardës është ndërruar, se gjilpëra e saj është shkatërruar, po askush nuk do të rrezultojë fajtor për
këtë. Me një fjalë do të ketë ngjarje, por pa autorë. Do të ketë krim, por pa kriminelë. Do të ketë të
vrarë, por pa vrasës. Është një “deja vu” e njohur e drejtësisë shqiptare prej 22 vjetësh. Sepse është
një drejtësi, ku paguajnë vetëm të dobtit. Mos harroni, për 21 janarin, deri më tani kemi vetëm një
fajtor, atë fukarain e dënuar që një vit më parë për arsyen e vetme se me mercedesin e tij copë-
copë, gërrvishi gardhin rrethues të kryeministrisë.
Mendoni se do ketë impakt kjo ngjarje në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme që do zhvillojmë disa
muaj më vonë?
Jo tepër të ndjeshëm se është një hallkë më shumë në zinxhirin e asaj që tashmë publiku e di: se
kemi të bëjmë me një pushtet kriminal dhe me një opozitë që nuk garanton se do të bëjë ndrejtësi.
Le mos harrojmë se laboratori më i mirë ku u testua 21 janari ishin zgjedhjet lokale në Tiranë. Dhe
aty përgjegjësit e tij humbën vetëm me 10 vota.
Çfarë nuk duhej të kishte bërë qeveria dhe çfarë nuk duhej të kishte bërë opozita më datën 21 janar
të vitit 2011?
Të parët nuk duhej të kishin vrarë. Thjesht dhe vetëm kaq. Ose nëse ishin të bindur se kishin vrarë
për të mbrojtur shtetin dhe jo pushtetin, nuk duhej të kishin ngritur alibinë e puçit për të penguar
hetimin dhe nuk duhet të kishin prishur provat e vrasjeve. Ndërsa për opozitën unë mendoj se
duhet të kishte bërë, pikërisht atë që bëri, po të kemi parasysh kushtet para 21 janarit. E vetmja gjë
që s’duhej të bënte ishte qëndrrimi burracak për të thënë se protesta e “te rrebeluarve” e kishte
kapërcyer opozitën zyrtare. Ajo duhet të kish marrë përgjegjsinë e një organizimi që e kishte bërë ajo
vetë.