Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës do të thërrasë në fillim të muajit shkurt palën shqiptare për të shqyrtuar ankimimin e FSHF-së në lidhje me vendimet e marrë nga komisionet juridike të UEFA-s për ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri.
Burime pranë qeverisë së futbollit bëjnë me dije se dosja jonë do të nisë shqyrtimin pas tre javësh, duke dëgjuar argumentet e avokatëve të kontraktuar nga FSHF-ja për të bërë mbrojtjen. Duke qenë se dosja është voluminoze pritet që gjyqi të zgjasë ndërkohë që ky proces nuk ka asnjë afat sa i takon kohëzgjatjes.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se sipas parashikimeve çështja pritet të mbyllet në muajin mars. Mësohet se Serbia ka pritur deri në momentin e fundit lëvizjen e Shqipërisë dhe pasi është njohur me vendimin e FSHF-së për të apeluar çështjen në KAS, ka nxituar të bëjë të njëjtën gjë.
Kjo sepse Federata Serbe e Futbollit nuk ka pasur ndërmend të ankimonte vendimin e Apelit të UEFA-s, por ka bërë të njëjtën lëvizje për të bërë sikur nuk është e kënaqur më dënimin. Ky fakt është konfirmuar nga burime të besueshme pranë çështjes, që bëjnë me dije se Serbia e ka pranuar dënimin, pasi druhej se mund të dënohej shumë herë më rëndë.
