UEFA përcaktoi gjyqtarët për sfidën e Europa League, ku Skënderbeu do të presë në “Elbasan Arena” portugezët e Sportingut të Lisbonës.
Kasta arbitrale e përcaktuar nga konfederata europiane është e gjitha nga Estonia. Kryesor i sfidës do të jetë Kristo Tohver. Gjyqtari është vetëm 34 vjeç, me eksperiencë 4-vjeçare në futbollin e rëndësishëm, por që në jetë i ka bërë pak nga të gjitha.
Nga diploma për Administrim Publik, te eksperiencat me Fondacionin Sorros organizator i programeve sportive, menaxher projektesh për festivale të muzikës folk, apo menaxher i projektit për Kampionatin Europian të Volejbollit për Universite.
CV-së së pasur të gjyqtarit i shtohen edhe masteri në Universitetin London City dhe kursi për Menaxhim në Arte.
Kristo Tohver e nisi karrierën si gjyqtar në Kategorinë e Katërt në Estoni, ndërsa në 2010-ën drejtonte në Ligën e Dytë. Ngritja erdhi në vitin 2011, kur drejtoi finalen e Kampionatit Europian për 17-vjeçarë ndërmjet Gjermanisë dhe Holandës.
Tohver nuk është i panjohur për skuadrat shqiptare. Në fillim të këtij edicioni ai drejtoi ndeshjen e turit të dytë të Europa League ndërmjet Kukësit dhe Mladost Podgorica (16 korrik 2015), ku nënkampionët e Shqipërisë u mposhtën 0-2 në shtëpi.
Në edicionin 2014-2015 të Europa League ai drejtoi sfidën e turit të parë kualifikues ku Flamurtari fitoi 3-2 në Gjeorgji ndaj Sionit (3 korrik 2014). Tohver ka drejtuar një tjetër skuadër shqiptare edhe përpara tre edicioneve.
Më 24 korrik 2012, ai ishte gjyqtari i sfidës së turit të dytë kualifikues të Champions League, ndërmjet Debrecenit dhe Skënderbeut, ku hungarezët fituan 3-0. Asistentë të bilbilit do të jetë Klaasen dhe Reinvald , ndërsa gjyqtarë të portave Saar dhe Frischer, edhe ata nga Estonia.
Sfida ndërmjet Skënderbeut dhe Sportingut të Lisbonës luhet të enjten në “Elbasan Arena”, në orën 21:05.
