Sfida e “Jose Alvalades” mes Sportingut të Lisbonës dhe Skënderbeut do të gjykohet nga një 6-she gjyqtarësh maltezë. UEFA publikoi emrat e arbitrave që do të vendosin drejtësi në takimin e kësaj të enjteje.
Kryesor do të jetë 37-vjeçari nga Malta, Clayton Pisani, ndërsa asistentë të tij bashkëkombësit Alan Camilleri, Mitchell Scerri, Marco Borg, Philip Farrugia dhe Edward Spitteri.
Clayton Pisani është një gjyqtar i njohur në arenën ndërkombëtare pasi mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2009.
Nga data 12 gusht e këtij ai është përfshirë nga UEFA në kursin e përgatitjeve të arbitrave më të mirë të këtij institucioni.
Në karrierën e tij të deritanishme Pisani ka vizituar edhe në një rast Shqipërinë, teksa në datën 10 korrik të vitit 2014 ka gjykuar sfidën e vlefshme për raundin e parë të Europa League mes Flamurtarit të Vlorës dhe gjeorgjianëve të Sioni Bolnisit.
Ky takim përfundoi me fitoren 1-2 të Sioni Bolnisit, por falë fitores 2-3 në ndeshjen e parë në transfertë, Flamurtari avancoi më tej.
Një ndër ndeshjet më të rëndësishme që ka drejtuar 37-vjeçari nga Malta në karrierën e tij të deritanishme ka qenë ajo mes Gjibraltarit dhe Gjermanisë që u mbyll me fitoren 0-7 të skuadrës së Joachim Low.
Sfida e fundit për eliminatoret e Europianit, Francë 2016-të e gjykuar nga Pisani ka qenë ajo mes Lituanisë dhe San Marinos e fituar 2-1 nga vendasit.
Në atë ndeshje San Marino shënoi golin e parë në një fushatë kualifikuese pas plot 2 vjetësh, një dhënë kjo që tregon se ky arbitër është fatsjellës për skuadrat e vogla.
Ndoshta Pisani mund t’i sjellë fat edhe Skënderbeut që në Lisbonë do të kërkojë të shënojë golin e parë në fazën e grupeve të Europa League si dhe të grumbullojë pikët e para.
