“Gjyqtari Osman Aliu me shkelje të rënda, KLD të marrë masa”

anazapta

Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë provojnë dyshimet e ngritura nga ministri i Brendshëm në letrën e tre javëve më parë për 9 vendimet e cilësuara abuzive të gjyqtarit Osman Aliu, i Gjykatës së Rrethit Kavajë, të marra në dy muaj. Bëhej fjalë për lirimin e personave të akuzuar për përdhunim, trafik, armëmbajtje pa leje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale. Ministria e Drejtësisë i kërkoi dje zyrtarisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kavajës. Mësohet se pas përfundimit të procedurave, sipas raportit të inspektimit nga Ministria e Drejtësisë, rezultojnë shkelje të rënda të kryera nga ana e gjyqtarit Osman Aliu. Gjithashtu inspektim u krye edhe në Gjykatën e Apelit Durrës për të vlerësuar vendimet e marra nga kjo shkallë për masat që kishte dhënë Aliu.

“Drejtoria e Inspektimit të Gjyqësorit dhe Prokurorisë, bazuar në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë nr. 2332/1 protokolli, datë 31.03.2014, “Për ushtrimin e inspektimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe Gjykatën e Apelit Durrës”, nga data 31 mars-1 prill, inspektoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në funksion të saj edhe Gjykatën e Apelit Durrës”, bëri me dije dikasteri ditën e djeshme.

Objekti i këtij inspektimi ishte në gjykimin e kërkesave për vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal, për periudhën 1 janar-28 mars 2014. Inspektimi u mbështet në nenin 102, pika 4 e Kushtetutës dhe ligji nr. 8678 i vitit 2001. Sipas këtij kuadri ligjor, Ministria e Drejtësisë kryen inspektime në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apeleve, për të kontrolluar shkeljet dhe punën që bëhet në gjyqësor.

“Ky inspektim, u iniciua mbi bazën e shqetësimit të bërë publik nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Osman Aliu. Rastet e përmendura i referohen moszbatimit të ligjit nga ana e gjyqtarit Aliu, në gjykimin e kërkesave për caktim dhe vleftësim të masave të sigurimit personal”, vijon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë. MD konfirmoi se, “nga raport-inspektimi, rezulton se janë konstatuar shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit, dhe se në përfundim të procedurave do t’i kërkohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedim disiplinor ndaj këtij gjyqtari”.

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *