Gjysma e mësuesve mbesin në provimin e shtetit

redaktor

Nuk kanë të ndalur problemet me cilësinë në arsimin parauniversitar. Nuk janë vetëm maturantët që mbesin në provime, por edhe vetë mësuesit. Në raportimin e bërë gjatë ditës se djeshme në Komisionin Parlamentar të Edukimit, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka pohuar se rreth gjysma e mësuesve që morën pjesë në provimin e shtetit nuk arritën të merrnin pikët minimale për të kapërcyer pragun kalues. Ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre janë vlerësuar me nota më të ulëta se sa niveli mesatar, çka tregon për një kualifikim të dobët të arsimtarëve të punësuar në shkollat shqiptare të arsimit parauniversitar gjatë viteve të fundit. Problem ky që është reflektuar edhe në nivelin e lartë të mbetësve në provimet e maturës shtetërore, rezultate të cilat do të shoqërohen me mbylljen e një sërë shkollave kryesisht atyre private. Shkak për këtë mbetje masive edhe në radhët e arsimtarëve është bërë rishikimi i pragut të pikëve për të qenë kalues, i cili në vitet e shkuara ndryshohej sipas dëshirës duke i shndërruar provimet e shtetit në biznes. Gjatë raportimit të bërë në komision, ministrja Nikolla ka ngritur akuza të shumta për rikthimin e provimit të shtetit në një biznes nga ish drejtuesit e mëparshëm të dikastereve të arsimit, çka ka bërë që të marrin licencë profesionale dhe më pas një kontratë pune mësuesve që nuk kanë as dijet më elementare për të dhënë mësim në lëndën përkatëse ku dhe janë diplomuar. Përballë nivelit të lartë të mbetësve në radhët e mësuesve, autoritetet e arsimit paralajmërojnë se do të rishihen nga e para të gjitha kriteret që do të zbatohen për emërimet e reja në arsim. Mësuesit e sistemit part-time rezultojnë të jenë edhe ndër mësuesit më me pak njohuri në lëndën përkatëse, por nuk përjashtohen edhe mësuesit me kohë të plotë. “Na rezulton se këtë vit më shumë se gjysma e mësuesve mbetën në provimin e shtetit. Ishte kthyer në një mjet biznesi për shumë titullarë si ish-kryeministri apo ministrit të Arsimit. Një mjet për të fituar përmes disa agjencive që asgjë nuk bënin me kërkesat bazë të mësuesve për kualifikim. Por, me rritjen e pragut të pikëve për të kaluar provimin u pa që rreth 30 për qind e mësuesve nuk arritën dot të marrin pikët kaluese. Kryefjala jonë mbetet kualifikimi i një lloji të ri, jo si ai që ka qenë deri më sot, që kishte promovuar njerëz dhe këshilltarë të ish-kryeministrit”, ka deklaruar ministrja Nikolla.

Rishikimi i licencave të shkollave private

Si mungesë e kualifikimit të dobët të mësuesve ndër vite, janë prodhuar rezultate problematike dhe në shkolla. Ministria Nikolla tha se do të veprohet me mbylljen e të gjitha shkollave të mesme, si dhe atyre 9-vjeçare private apo publike që nuk përmbushin kriteret, të kanë reflektuar mangësi në formimin e nxënësve. Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor parashikohet që MAS të vërë drynin disa shkollave të mesme private, të cilat për disa vite jo vetëm nuk kanë funksionuar, por kanë zhvilluar mësimin në mënyrë fiktive. “Ministria e Arsimit do t’i shkojë deri në fund procesit të rishikimit të licencave të disa shkollave private, nxënësit e të cilave, në masë, mbetën në provimet e maturës shtetërore”, ka theksuar Nikolla. Sipas saj nga kontrollet e ushtruara në disa prej këtyre shkollave është vënë re se janë me dhjetëra nxënësit që edhe pse nuk kanë shkuar në shkollë janë pajisur me diplomën përkatëse. “Në totalin e Maturës Shtetërore kemi shënuar kalueshmëri prej 67 për qind dhe 33 për qind mbetje. Janë përgjithësisht shkolla të licencuara private part-time, që rezultojnë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës dhe në pjesëmarrjen e nxënësve në mësim. Shkollat që na rezultojnë të jenë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës dhe pjesëmarrjes së nxënësve. Edhe pse në vitet e shkuara këto shkolla janë inspektuar, këto kontrolle kanë qenë inekzistente për nxjerrjen e të vërtetave rreth cilësisë. Ne jemi të vendosur që këto realitete t’i ndryshojmë”, shtoi më tej ministrja Nikolla. Për një prej këtyre shkollave tashmë është marrë vendimi i heqjes së licencës. Konkretisht bëhet fjalë për shkollën jopublike “Talenti” në Durrës. Heqja e licencës së kësaj shkolle erdhi për shkak të faktit se në provimet e maturës shtetërore asnjë nga nxënësit e saj nuk arriti të kalojë në provime. Me mbylljen e inspektimeve do të hartohet edhe një paketë këshilluese për nxënësit dhe prindërit, në të cilën do të evidentohen të mirat dhe të këqijat e çdo shkolle.

Share This Article
3 Comments
  • PO PERDERIA ATA JANE ME DIPLOMA FALSE TE UNIVERSITETE PRIVATE KJO DGJE DO TE NDODHE ……………………..

  • Dakort deri ketu .Kjo eshte njera ane dhe shume mire
    Mos harojme se egziston dhe ana tjeter . Mund te faktoj se mesues me rezultate te shkelqyera ne provimet e shtetit ka vite qe japin mesim ne shkolla te rendomta me 10 – 15 nxenes pas regjimi i 2005 – 2014 vazhdon ti trajtoje politiksht . Nese doni fakte , mund ti dergojme

  • Ska gje se nuk moren provimet e ministrise mesuesit kane marre ne kohe rekord teserat e PD-es.Pune e madhe sa inat qe ka ministria po lekat qe dhane per vendet e punes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *