Ministria e Financave duket se është treguar “dorështrënguar” në shpenzimet buxhetore, po ashtu ka rritur ritmin e mbledhjes së të ardhurave në këta gjashtë muajt e parë të vitit. Të paktën këtë thonë statistikat gjashtë mujore të këtij dikasteri. Kështu totali i të ardhurave në buxhet ishte 175 miliardë lekë, me një rritje prej 11.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zërat që po shënojnë ecurinë më të mirë në buxhet janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) dhe Tatim Fitimi, zëra këta që kanë ndikuar gjatë gjithë kësaj periudhe në rritjen e të ardhurave. Sipas këtyre të dhënave të ardhurat nga TVSH u rritën me 20% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor, në 61.2 miliardë lekë, duke reflektuar si zgjerimin e importeve, ashtu dhe futjen në skemën e TVSh-së së kompanive të hidrokarbureve, pasi më parë ishin të përjashtuara për fazën e kërkimit dhe shfrytëzimit, e tani përjashtohen vetëm në fazën e kërkimit. Nga ana tjetër TVSH-ja e rimbursuar gjatë kësaj periudhe ka qenë rreth 1.7 miliardë lekë. Financat janë angazhuar në strategjinë e tyre të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, që të mos krijojnë detyrime të reja ndaj bizneseve. Të hyrat nga tatim fitimi, megjithëse kanë përshpejtuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 32% në rreth 11.2 miliardë lekë për gjashtëmujorin, sërish janë shtuar me ritme më të ulëta sesa niveli i ri i kësaj takse duke ditur fatktin që kjo taskë u rrit me 50% nga 10 në 15%, që nga 1 janari i këtij viti. Të ardhurat nga akciza kanë ngadalësuar ritmet e rënies, pasi importet e mallrave të akcizës po i rikthehen ritmeve të tyre normale. Nga ana tjetër të hyrat nga tatimet personale vijojnë tendencën rënëse, si rrjedhojë e vendosjes së taksës së përshkallëzuar, që ka sjellë rënie të të ardhurave nga tatimi mbi pagat e vogla. Ky zë ra me 6.5% në 13.1 miliardë lekë, për 6 mujorin, në raport me janar-qershor të një viti më parë. Të ardhurat nga fondet sociale, kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore, u rritën me 4.8%, në 30.9 miliard lekë. Zëri me ecurinë më negative në buxhet në 6 mujorin e parë 2014 është ai i të ardhurave jotatimore, që ra me 13% në 12 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e rënies së transferimit të fitimit nga banka e Shqipërisë.
Tkurren shpenzimet dhe deficiti
Financat kanë shpenzuar më pak në këta gjashtë muaj, por pjesa më e madhe e kursimeve ka ardhur nga frenimi i shpenzimeve kapitale, që janë përgjysmuar. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve buxhetore ishte 193.7 miliardë lekë për janar-qershor 2014, 3.7% më të ulëta në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Kujtojmë këtu që gjashtëmujori i parë i vitit 2013 u karakterizuara nga një shtim i shpenzimeve, sidomos atyre kapitale, në prag të zgjedhjeve. Shpenzimet korente ishin 5% më të ulëta, në 158.6 miliardë lekë. Edhe shpenzimet operative të mirëmbajtjes ishin 33% më të ulëta në 5.8 miliardë lekë. Buxhetit vazhdojnë t’i rëndojnë pagesat për subvencionimin e pensioneve, që u rritën me 10%, në rreth 66 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale shënuan rënien më drastike, me 50% në vetëm 21 miliardë lekë.
Paguhen 18 miliardë lekë detyrime të prapambetura
Financat kanë ecur me shpejtësi në pagimin detyrimeve të prapambetura. Sipas statistikave të buxhetit, janë paguar deri në fund të qershorit 18.6 miliardë lekë detyrime, nga të cilat 5.6 miliardë lekë të infrastrukturës, 9.1 miliardë lekë TVSh e prapambetur dhe 3.9 miliardë lekë detyrime të tjera. Rritja e të ardhurave me 11.7% dhe ulja e shpenzimeve me 3.7% kanë bërë që deficitit buxhetor të tkurret ndjeshëm, me rreth 54%, në raport me gjashtëmujorin e parë 2013.
