Gjysmën e pushtetit, grave!

anazapta

Nëse ua zvogëlojmë pushtetin burrave, i bëjmë ata më njerëzorë, thotë Sonja Lokar. Personazhi ynë ka ndjekur studimet universitare dhe pasuniversitare në Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Sociale, në Universitetin e Lubjanës.  Prej vitit 1974 gazetare dhe analiste politike. Në vitet 1990-1992 parlamentare dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Punësimin, Politikat Sociale dhe Familjen në Parlamentin Slloven. 1992-1998 lidere e Forumit të Gruas Social Demokrate; prej vitit 1994 drejtore ekzekutive e CEE, eksperte për barazinë gjinore, anëtare e rrjetit të Komisionit Europian për gratë në politikë dhe ekonomi si dhe trajnuese për gratë gjatë fushatave zgjedhore në Slloveni, Shqipëri, Egjipt, Tunizi, Poloni, Ukrainë, Maqedoni. Ka publikuar mbi 300 artikuj të ndryshëm.

 

Gratë a duhet flasin më shumë rreth politikës?

Gratë gjithë kohën flasin për politikë, por nuk janë gjithmonë të vetëdijshme për këtë. Çdo ditë edhe ndërsa ankohen për diçka, ato flasin për politikë. Çështja nuk është nëse gratë duhet të flasin më shumë, por të futen në strukturat formale të politikës që të mund ta ndryshojnë atë.

 

Korrupsioni, premtimet utopike elektorale, paktet për hir të pushtetit mendoni se e tjetërsojnë një grua në politikë? A mund të jetojë një grua që merret me politikë në Ballkan, pa u ndikuar nga ky realitet kaq i prekshëm?

Mendoj që politika është një ambient shumë i vështirë, i rrezikshëm dhe jo i këndshëm. Pyetja nuk është nëse gratë janë shumë të forta, apo të guximshme për të hyrë në politikë, por çfarë duhet të bëjnë që ta ndryshojnë, pasi ato nuk janë të interesuara të mësojnë se si funksionon, cilat janë truket e mafias politike, por janë të interesuara ta ndryshojnë atë. Dhe unë mendoj që kjo është sfida kryesore.

Mbi të gjitha, gratë nuk janë vetëm numra në politikë. Ekziston një shprehje e vjetër “që nëse ka pak gra në politikë, ato do të ndryshojnë. Nëse ka shumë gra në politikë, ato do ta ndryshojnë politikën”. Dhe çështja është si duhet të arrijmë të kemi shumë gra në politikë, shumë gra të motivuara dhe eksperte të fushës. Si mund të bëhen pjesë e politikës dhe si mund ta ndryshojnë politikën. Unë mendoj që është një proçes dhe ky proces ka filluar tashmë. Ndoshta në Shqipëri akoma nuk shikohet kjo gjë, por në shumë vende të tjera mund të shikohet se si  ky proçes po ecën përpara, veçanërisht, në ato vende ku gratë janë pothuajse 50% e parlamenteve ose e qeverisë, shoqëria dhe qeveria është ndryshe. Nuk është e përsosur në asnjë vend, por niveli i korrupsionit në Finlandë, apo në Suedi nuk mund të krahasohet me korrupsionin e vendeve të Evropës Lindore.

 

A ka patur shumë gra gazetare në ish-Jugosllavi? Si u pasqyruan vitet ‘68 në media?

Në fakt, ka patur dhe ka shumë gra gazetare.  Nuk më kujtohen numrat dhe emrat e gazetareve në vitet ‘68, ndoshta sepse isha shumë e re, por më kujtohen ato të fillimit të viteve ‘80-‘90 dhe në mënyrë të veçantë në Serbi, të cilat qëndruan në vijën e parë të opozitës kundër Milosheviçit.

 

Shpërbërja e Jugosllavisë a ka përfunduar? A ka më vend për copëtim?

Është e vështirë të thuhet. Nuk pres që të ketë ndryshime kufijsh, por në të njëjtën kohë nuk mendoj që do të stabilizohet shpejt. Në çdo vend të pjesës jugore të ish-Jugosllavisë ka probleme. P.sh. në Bosnjë problemet nuk u zgjidhën, thjesht u futën poshtë tapetit dhe qëndrojnë aty. Nuk ka vullnet politik për ta zgjidhur këtë situatë dhe ky është një rrezik shumë i madh. Nuk mendoj që do të ketë përsëri luftë mes Kosovës dhe Serbisë.

Por në të njëjtën kohë, problemet minoritare mes shteteve janë të hapura gjithandej dhe nuk është e qartë se di do të ndryshojnë gjërat. Ka shanse të mira, por nuk mendoj që gjërat do të shkojnë shumë afër zgjidhjes.

Edhe situata në Maqedoni është e vështirë. Përgjithësisht, sepse situata ekonomike është shumë e keqe dhe nuk ka hapësira të mjaftueshme për një jetë normale dhe konflikti mbetet i hapur.

 

Çdo shtet i krijuar në ish-Jugosllavi mendon se u është bërë padrejtësi në përcaktimin e kufijve të sotëm. Secili pretendon se i është grabitur një pjesë e tokës së tyre, ndërkohë që nuk ia dolën të jetojnë edhe me tokat shumë më të gjëra në ish- Jugosllavi. Gratë a po bëjnë përpekje për ri-bashkim?

Problemi i kufijve mendoj që është një çështje e zgjidhur. Politikanët e të gjitha partive kanë arritur në konkluzionin që kufijtë e ish-Jugosllavisë, duan apo nuk duan ata nuk do të ndryshojnë. Gratë janë sigurisht duke bërë shumë dhe janë aktive. Ishin të parat që e filluan ripajtimin, madje edhe gjatë luftës kanë punuar përtej dhe përgjate kufijve. Kur burrat vrisnin njëri tjetrin, gratë ndihmonin njëra tjetrën, natyrisht jo në grupe të organizuara dhe kur lufta mbaroi gratë ishin të parat që thanë mjaft.

Psh. në Serbi dhe Kosovë, gratë parlamentare -unë jam mediatore në takimet e tyre- kanë filluar të ndërtojnë strategji të përbashkëta, jo për të zgjidhur problemet e luftës, por për të zgjidhur problemet e tyre të përditshme. Edhe në Bosnjë, Serbi fqinjët ndihmojnë njëri-tjetrin pavarësisht kombësisë apo fesë. Sllovenët nuk pritën që shteti të ndihmonte bosnjakët apo serbët. Mendoj që njërëzit mund të afrohen shumë më shpejt me njëri tjetrin, nëse politika nuk do ishte kaq e helmuar sa është.

 

Në vitet ‘80, të ardhurat për frymë në ish-Jugosllavi kishin arritur sa gjysma në SHBA. Po “drejtësia për frymë”, sa ka qenë?

Unë mendoj që Jugosllavia socialiste, ishte në shumë kuptime një shoqëri në të cilën drejtësia ishte më pranë njerëzve, sesa tani në demokraci. Njerëzit nuk kishin lirinë të kritikonin lidershipin, apo qeverinë publikisht, por në të njëjtën kohë punëtori në një fabrikë kishte të drejtë t’i drejtohej drejtorit me ide të ndryshme se si duheshin investuar përfitimet që krijoheshin nga puna në fabrikë, në të mirë të komunitetit.

Mendoj që është me të vërtetë tragjike që ne e paguam lirinë e fjalës, përfshirjen e fesë në sferën publike, lirinë e iniciativës ekonomike kaq shumë dhe ne të vërtetë njerëzit e zakonshëm më shumë humbën se fituan.

 

Çfarë ndjesie është të zgjohesh një mëngjes dhe ta gjesh vendin në të cilin ke lindur, të ndarë dhe ata me të cilët ke ndarë fëmijërinë, rininë dhe idealet t’i quash armiq?

Dy janë rastet që kam menduar se e kam humbur vendin tim.  Herën e parë, isha në Beograd kur partia komuniste ra. Isha në një tavolinë me një delegacion slloven, kur dëgjova “Ky është fillimi i luftës dhe fundi i Jugosllavisë” dhe e dija që në atë moment e humba Jugosllavinë.   

Hera e dytë, ishte kur një mëngjes të bukur, në orën 7, kryetari i Partisë sime, më telefonoi dhe më pyeti si fjeta. Është çmendur, mendova, që më pyet në orën 7 të mëngjesit si fjeta. Kur e pyeta përse, m’u përgjigj: “Nuk i dëgjove tanket që kalonin pranë rrugës tënde?!”. E kuptova që ishim në mes të luftës. Mendimi im i parë, ishte si t’i dërgoja jashtë fëmijët e mi. Kam dy djem dhe ishin në moshën që mund të shkonin në ushtri. Si t’i shpëtoja nga lufta?! Por në të njëjtën kohë mendoja se çfarë duhet të bëja të mbroja vendin. Ndjeva nevojën të mbroja vendin tim, por nuk e ndjeva të dërgoja fëmijët e mi të vdisnin për vendin, të cilin politikanët e çuan në luftë. Dhe jo, nuk kam humbur asnjë nga miqtë e mi në secilin shtet të ish Jugosllavisë. Nuk mendoj kurrë që kam armiq. Armiqtë e mi janë politikanët budallenj, jo njerëzit.

 

Gratë shqiptare të politikës që ju trajnoni, a janë të kompletuara në gjërat thelbësore, apo mendojnë “të hyjmë njëherë në politikë dhe rrugës përmirësohemi”?

Në Shqipëri, gratë parlamentare janë 10 herë më të mira se burrat parlamentarë. Me të vërtetë, mendoj janë më të edukuara, më të civilizuara dhe trajtojnë të tjerët me respekt. Në fakt, në demokraci duhet të jesh e civilizuar, ndryshe jep mesazh të gabuar te publiku, që çdo gjë është e lejuar dhe që nuk ka rregulla. Mënyra se si gratë arrijnë në parlament apo edhe në qeveri, sigurisht ndryshon nga rruga që ndjekin burrat. Gratë ftohen nga burrat e “fortë” kur ato kanë qenë të sukseshme në fushën e tyre. Ndërsa burrat bëhën pjesë e partisë në fillim dhe pasi fitojnë pushtet brenda partisë, bëhen pjesë e qeverisë. Pra, gratë nuk e njohin politikën partiake dhe nëqoftëse duan të ndryshojnë politikën, ato duhet të marrin 50% të pushtetit të partive. Ndryshe, gjithmonë do të ftohen nga të tjerët dhe lehtësisht mund edhe të largohen.

 

Ora 7.00 e fillimit të punës para viteve ‘90, a ishte një goditje e qëllimshme që gruan e zhveshi nga feminiliteti?

Modeli i feminizmit për mua është të jesh e pavarur ekonomikisht, të ecësh përpara në karrierë. Pse duhet të jetë e bukur gruaja? Ajo duhet të jetë e shëndetshme, duhet të jetë e lumtur. Këto e bëjnë atë të bukur. Jo flokët e prera, apo fustani i bukur. Nuk mendoj që ky është perceptimi i të gjithëve, pra nuk ka vetëm një model feminiliteti. Ka gra që kënaqen me faktin që janë të bukura, tërheqëse dhe edhe që mund të trajtohen si objekt seksi. Nuk mendoj që gjëja më e keqe për një grua, është të zgjohesh në orën 6 dhe të shkosh në punë. Më e keqja është kur nuk ke punë, pra kur të duhet të shkosh te Kryqi i Kuq për të ushqyer fëmijën.

 

Modeli i gruas që merret me politikë në Kosovë, është më i afërt me modelin jugosllav apo atë shqiptar?

Ka një ndryshim shumë të madh. Këtu ju patët një transformim të qetë, të paqtë, nga diktatura në demokraci dhe në një ekonomi tregu. Jeni përballur me shumë vështirësi dhe nuk ka qenë e lehtë, por nuk mund të krahasohet më Kosovën. Ata patën një presion dhe torturë të pashembullt nga regjimi i Milosheviçit dhe megjithatë krijuan një shtet brenda shtetit. Mblidhnin taksa për të çuar fëmijët në shkollë dhe të paguanin mësuesit. Kush e bëri këtë? Gratë shqiptare të Kosovës. Prandaj ato janë shumë të forta dhe janë ndryshe nga të gjitha gratë e Ballkanit. Dhe tani, fatkeqësisht, jo të gjitha dhe jo vetëm më të mirat, janë  në pushtet, por nëse mendoni për Flora Brovinën, apo gra si ajo, në të vërtetë janë shumë ndryshe nga të tjerat, pikërisht për shkak të këtij proçesi ndryshe të futjes në politikë.

 

 Gratë shqiptare a mund të ndërtojnë lëvizje feministe?

Pikë së pari, ato e kanë atë, edhe pse nuk e quajnë lëvizje feministe. Në çastin që janë bashkë, duke përfaqësuar nevojat e tyre, duke kërkuar më shumë hapësirë në politikë,  kjo është lëvizja feministe. Sa e fortë është kjo lëvizje, është çështje tjetër dhe unë mendoj që nuk është shumë e fortë, por ekziston.

 

Znj. Lokar, edhe djali im 5 vjeç gjithnjë më kërkon tre gjëra që unë t’i realizoj të paktën një. Kur gratë kërkojnë barazi, kjo nuk ju duket pak, pasi veçse po të  kërkojnë shumë më shumë mund ta arrijnë të barazia?  Jane naive, apo kane frikë se humbin edhe atë që kanë arritur?

Jo, nuk është kështu. Gratë nuk kërkojnë barazi për të qënë më të fuqishme se burrat, që të drejtojnë burrat. Unë si grua, dua të jem në politikë, sepse dua të jem unë, nuk dua të jenë të tjerët të bëjnë gjëra që mendojnë se duhen të bëhen. Barazi është të trajtohesh si çdo qenie njerëzore. Edhe për burrat nuk është mirë që kanë pushtet, sepse pushteti korrupton dhe pushteti absolut, korrupton në mënyrë absolute. Nëse ua zvogëlojmë pushtetin burrave, i bëjmë ata më njerëzore. Nësë i japim më shumë pushtet grave, i bëjmë edhe ato më njerëzore.

 

Ju punoni edhe në Tunizi. Pranvera arabe a ishte një stinë kaotike? A ia dolën ta shohin “diellin”?

Isha atje pasi kishte ikur Ben Aliu. Vendi ishte në shok. Njerëzit nuk e besonin që nuk ishte më dhe kishte ikur pa shumë luftë. Njerëzit mendonin se ishin të pasigurt, por kishin shumë shpresë. Megjithëse koha kaloi dhe situata nuk është përmirësuar, situata ekonomike është akoma më keq. Bënë zgjedhje shumë të mira, por fitoi partia islamike dhe asgjë nuk shkoi ashtu sikurse shpresohej.

Por gratë bënë më të mirën, shumë më mirë nga ne gratë këtu gjatë tranzicionit, sepse menjëherë negociuan barazi në listën për në Asamblenë Kushtetuese dhe ajo tani ka 27% gra. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, kur islamistët tentuan të kthenin ligjin e Sharia-s, ata ia dolën ta kthejnë atë mbrapsht. Por është një proçes dhe akoma nuk dihet si do shkojë dhe është e vështirë të parashikohet. Gratë tuniziane ishin të përsosura. Ato e njihnin historinë dhe gabimet tona. Unë i admiroj shumë.

 

Më shumë se Ben Aliun, a kishin frikë gruan e tij?

Nuk e di. Kjo historia e grave të diktatorëve më duket pak budallallëk. Thuhej që Milosheviçi ishte njeri i mirë, por kishte një grua shumë diktatore. Në një sistem diktatorial ajo është pjesë e tij, mund të ketë fuqi personale mbi të, por formalisht ajo nuk ekziston.

 

Kushtetuta në Tunizi, e cila po bëhet gati këtë vit, a do ta ruajë laicitetin?

Po. Në fakt për shkak të grave, për shkak të lëvizjes feministe, sepse kur donin të hiqnin shtetin laik, gratë dolën në rrugë dhe asembleja kushtetuese nuk pranoi nenet që e hiqnin atë. Fatkeqësisht, në Egjipt e Marok ishte ndryshe. Secili vend është ndryshe.  

 

Pas 10 vitesh, a do të jetë një interviste e vlefshme kjo që realizuam?  

Kaq gjatë! Në 10 vjet e gjithë bota mund të ndryshojë dhe shpresoj të ndryshojë për mirë.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *