Goditja në tru mund të parandalohet, 10 hapat që duhet të ndiqni

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Pasojat e rënda të infarkteve të trurit mund të parandalohen nëse tregohemi të kujdesshëm në njohjen dhe monitorimin e dhjetë faktorëve të riskut, që kanë të bëjnë kryesisht me ndjekjen e një stili të shëndetshëm jetese.

Në prag të “Ditës Botërore të Goditjes në Tru” (29 tetor), ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se rreth 90 për qind e këtyre infarkteve janë të lidhura ngushtësisht me dhjetë rreziqe që janë të shmangshme.

Kujdes maksimal në këto raste duhet të tregojnë të gjithë personat që kanë probleme me diabetin, ndërlikime të zemrës, predispozitë gjenetike për të zhvilluar goditje të trurit. Këto kategori duhet që të flasin detyrimisht me mjekun specialist rreth masave parandaluese që duhet të ndjekin për reduktuar rrezikun e ndodhjes së infarkteve të trurit, të cilat konsiderohen si emergjenca mjekësore.

Sa i takon përhapjes së kësaj patologjie rezulton se 1 në 6 njerëz janë të rrezikuar për t’u prekur nga një goditje në tru gjatë jetës.

Goditja në tru (ose infarkti i trurit) ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë, qelizat e trurit në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e infarktit. Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur infarkti i trurit është i patrajtuar”, sqarojnë bluzat e bardha të shëndetit publik, kundrejt kujdesit që duhet të tregohet ndaj kësaj sëmundjeje.

Kategoritë më të rrezikuara

Rreziku është më i lartë tek personat që vuajnë edhe nga sëmundjet kronike, veçanërisht atyre kardiovaskulare. Sipas mjekëve, Fibrilacioni atrial (FA) është një patologji e zemrës e diagnostikuar më pak dhe jo e trajtuar plotësisht, e cila përbën një rrezik madhor për goditjen në tru.

Konkretisht, kjo patologji bën që dy dhomat e sipërme të zemrës (atriumet) të shpeshtojnë rrahjet në vend që të rrahin normalisht, duke bërë që gjaku të mos pompohet jashtë atriumeve plotësisht, dhe më pas kjo situatë krijon premisat e formimit të mpiksjes sё gjakut.

Copëzat e mpiksura të gjakut mund të qarkullojnë në tru dhe të shkaktojnë infarkt të trurit me pasoja fatale për pacientin. “Goditja në tru, shkaktuar nga Fibrilacioni atrial, është në të shumtën e rasteve e parandalueshme me marrjen e barnave antikoagulantë.

Rekomandohet që personat të cilët kanë kaluar një atak zemre, kanë qenë diagnostikuar me çrregullime në zemër, apo kanë pasur çrregullime të ritmit, të bëjnë kontrolle të rregullta shëndetësore te mjeku me qëllim parandalimin e një goditjeje të mundshme”, sqarohet nga ISHP.

Testi i shpejtë për njohjen e shenjave nëse rrezikoni për infarkt të trurit

Sipas mjekëve, testi i shpejtë është një mënyrë e mirë për gjithsecilin për të njohur shenjat dalluese tё goditjes në tru. Ky test përfshin vëzhgimin njëherësh të fytyrës, krahëve, të folurёs, si dhe kohës së veprimit për ndërhyrjen e shpejtë që duhet të bëni.

Në mënyrë të detajuar, për fytyrën saktësohet se duhet të bëni një ekzaminim të tillë, ku të vëreni se a dalloni deformim në pjesën e gojës? A duket pjesa e gojës si e varur? Gjatë buzëqeshjes dalloni rënie të njërës anë të fytyrës?

Më tej duhet të vëreni se a jeni në gjendje që të ngrini të dy krahët. Në rastet kur krahët i keni të ngritura, a e ndjeni njërën anë më të pafuqishme se tjetrën? Po ashtu një shenjë dalluese e sëmundjes është edhe e folura e paqartë, ngatërrimi dhe ngrënia e fjalëve, si dhe pamundësia për të folur.

Koha është kritike. Nëse ju dalloni njërën prej këtyre shenjave duhet të veproni shpejt me thirrjen e shërbimit të urgjencës, ose të shkoni në spitalin më të afërt. Humbja e kohës do të thotë humbje e funksionit të trurit, ndaj duhet të veproni sa më shpejt në marrjen e ndihmës mjekësore të specializuar.

Masat që duhet të merrni

Sa i takon hapave që duhet të merren kundrejt zvogëlimit të mundësive për goditjet në tru, fillimisht duhet që të kontrolloni dhe të monitoroni vazhdimisht presionin e lartë të gjakut, i cili shihet si një ndër armiqtë që favorizon zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

Nuk duhet të lini pas dore edhe ndjekjen e aktiviteteve fizike për mbajtjen nën kontroll të peshës trupore, e cila parandalon rreziqe të shumta jo vetëm sa i takon mbajtjes larg të goditjeve në tru, por edhe sëmundjeve të tjera kronike, të zemrës, diabetit, ndërlikimeve në veshka, etj.

Rol vendimtar në reduktimin e rrezikut për infarkte të trurit ka edhe kujdesi për ushqimin. Këshillohet që të mbani një dietë të shëndetshme, të pasur me fruta dhe perime, dhe me sa më pak kripё, çka ndikon në mbajtjen e një shëndeti të mirë, duke siguruar edhe edhe mbajtjen në normë të presionit të gjakut.

Rrjedhimisht, dieta e shëndetshme siguron edhe mbajtjen e kolesterolit në vlerat e duhura, çka gjithashtu është një tjetër faktor risku.

Po sipas mjekëve, për të ulur rrezikun e kësaj sëmundjeje duhet që të ruani një peshë konstante, të ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit, të konsumoni sa më pak alkool që të jetë e mundur, si dhe të mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru. Kujdes të veçantë duhet të tregojnë edhe personat që vuajnë nga diabeti, të cilët duhet të ndiqen rregullisht tek mjeku.

 Kujdes!

  • 1 në 6 njerëz është në rrezik për t’u prekur nga një goditje në tru gjatë jetës.
  • 90 për qind e të gjitha goditjeve në tru janë të lidhura me 10 faktorët kryesorë të rrezikut.

Si të reduktoni rrezikun për goditje në tru

  1. Kontrolloni presionin e lartë të gjakut.
  2. Bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht.
  3. Mbani një dietë të shëndetshme të pasur me fruta dhe perime, dhe me pak kripё, për të pasur një shëndet sa mё tё mirё dhe për tё mbajtur në normë presionin e gjakut.
  4. Ulni kolesterolin tuaj.
  5. Ruani një peshë konstante.
  6. Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit.
  7. Sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë është për shëndetin tuaj.
  8. Mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru.
  9. Zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun tuaj.
  10. Njihuni dhe mbani nën kontroll faktorët e rrezikut, si: presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë në gjak. 

Pse duhet të ndiqni një dietë të varfër në kripë

  • Rekomandohet që marrja e kripës të zvogëlohet në më pak se 5 gram në ditë për të zvogëluar rrezikun e goditjes në tru. Të rriturit duhet të konsumojnë më pak se 5 gram kripë në ditë, ndërsa fëmijët edhe më pak.
  • Kripa rrit presionin e gjakut në organizmin tonë.
  • Sa më i lartë presioni ynë i gjakut, aq më shumë shtohen mundësitë e një goditjeje në tru.
  • Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët të mos konsumojnë shumë kripë, pasi presioni i gjakut fillimisht nis të rritet qё në fëmijëri.
  • Pjesa më e madhe e kripës së konsumuar gjendet në ushqimet që ne konsumojmë përditë, si: buka, djathi, salcat e ndryshme, mishi i përpunuar, si dhe te kripa që përdorim në tavolinat tona. Ndaj këshillohet që të mësoheni me ushqimet me pak kripë.

Monitorimi i presionit të gjakut

Nëse keni presion të lartë të gjakut flisni me mjekun për ta kontrolluar atë. Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) është një nga shkaqet më të zakonshme që çon në goditje të trurit. Presioni i gjakut shprehet nëpërmjet dy numrave për shembull 120/80.

Numrat e parë njihen si presioni sistolik i gjakut. Është matës i forcës që gjaku juaj tendos muret e enëve të gjakut, ndërkohë që pompon zemra. Numri i dytë presioni diastolik i gjakut (ose i vogli) është një matje e forcës me të cilën gjaku shkon në enët e gjakut kur zemra është në pushimin midis rrahjeve. Për njerëz mbi moshën 18 vjeç presioni normal i gjakut konsiderohet në shifra më të ulëta se 120/80.

Megjithatë, kjo varion në disa raste për shkak të stresit ose të aktivitetit fizik. Një presion gjaku që vazhdimisht është më shumë se 120/80 deri në 139/89 është konsideruar si para-hipertension. Kur presioni i gjakut është 140/90 ose më i lartë, personi vuan nga hipertensioni.

Mateni presionin e gjakut të paktën një herë në vit. Në qoftë se keni ndonjë histori të presionit të lartë të gjakut, në qoftë se keni pasur ndonjë atak në zemër, në qoftë se jeni diabetik, në qoftë se keni kolesterol të lartë ose jeni mbi peshë , atëherë duhet ta matni më shpesh presionin e gjakut. Flisni me mjekun e familjes për ta kontrolluar presionin e gjaku.

Si duhet të  jenë vlerat e kolesterolit

Për të reduktuar rrezikun për infarkte të trurit, duhet të mbani nën monitorim të vazhdueshëm edhe nivelin e kolesterolit. Sipas mjekëve, shkalla e kolesterolit (yndyrave) nuk duhet të kalojë mbi 200. Ju jeni në risk për infarkte të trurit nëse testi për shkallën e kolesterolit tregon më tepër se 240. Një nivel kolesteroli midis 200 dhe 239 ju vendos ju në rrezik.

Ulja e kolesterolit mund të reduktojë rrezikun për këtë sëmundje. Disa herë kolesteroli mund të kontrollohet nëpërmjet një diete dhe aktivitetit fizik, disa herë kjo mund të kërkojë medikamente. Mbani nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll nëpërmjet rekomandimeve të mjekut tuaj.

Të qenit i sëmurë me diabet ju vë para një rreziku shumë të madh për të pasur edhe infarkte të trurit. Depozitat e yndyrave mund të bllokojnë arteriet të cilat transportojnë gjak nga zemra në tru. Ky lloj bllokimi nëse lihet i pa trajtuar mund të shkaktojë goditje në tru.

Mjeku juaj i familjes duhet t’ju përshkruajë një program ushqimi dhe ndryshime në stilin e jetës të shoqëruara me medikamente të cilat ndihmojnë në kontrollin e diabetit.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *