Goditje për Shqipërinë, Meha operohet në menisk

anazapta

Alban Meha do të mungojë në ndeshjen kundër Norvegjisë, për shkak të dëmtimit të pësuar në ndeshjen e Paderbornit kundër Bohumit, luajtur të dielën. Mesfushori i Shqipërisë u detyrua të dilte nga loja që në minutën e 23-të të pjesës së parë, për shkak të dëmtimit, por fillimisht nga siti i Paderbornit u raportua se nuk kishte shqetësime për ndonjë dëmtim të rëndë. Gjithsesi, duheshin pritur rezultatet e rezonancës magnetike, të cilat kanë dalë dje, duke sjellë lajmin e keq për lojtarin dhe kombëtaren shqiptare. Rezonanca ka treguar një dëmtim të rëndë në meniskun e gjurit të majtë dhe për këtë arsye Meha do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Kjo bën që sezoni i tij të ketë marr fund, pasi nuk do të jetë në gjendje të luajë në takimin e fundit për ligën e dytë gjermane, si dhe me kombëtaren. Lajmi është dhënë nga siti zyrtar i Paderbornit në internet, i cili shkruan se “sezoni ka përfunduar për specialistin e goditjeve standard”, por duke shtuar se Meha do të jetë plotësisht gati kur të nisë faza përgatitore për sezonin e ardhshëm. Ndërsa për klubin gjerman mungesa e Mehës nuk është e rëndë, pasi nuk ka asnjë objektiv në javën e fundit, krejt e kundërta mund të thuhet për Shqipërinë. Kuqezinjtë do të luajnë me Norvegjinë më 7 qershor, një takim ku mund të përcaktohet fati i kualifikimit në botërorin e Brazilit. Meha, i rikthyer në formë, ishte kandidati kryesor për të luajtur në të djathtë të mesfushës dhe dëmtimi i tij e rrit numrin e mungesave për trajnerin Xhani De Biazi. Në ndeshjen e fundit të kombëtares, miqësoren me Lituaninë, Meha shkëlqeu me golin fantastik, shënuar me goditje të lirë nga rreth 40 metra. Deri tani, trajneri italian ka katër mungesa të sigurta, pasi Lorik Cana, Andi Lila dhe Odise Roshi janë të pezulluar, ndërsa Meha i dëmtuar. Veç tyre, janë edhe dy lojtarë që mungojnë prej kohësh po për arsye dëmtimi, Elis Bakaj e Burim Kukeli, ky i fundit i dëmtuar pas një ndërhyrjeje brutale në një ndeshje miqësore të Zyrihut në fazën përgatitore të dimrit. Gjashtë mungesa janë shumë për një skuadër si Shqipëria, megjithatë shpresohet që të kompensohen me prurjet e reja në kombëtares, mbi të gjitha me Valdet Ramën e Migjen Bashën.

 

 

Mungesat e Shqipërisë

Të pezulluar

Lorik Cana

Odise Roshi

Andi Lila

 

Të dëmtuar

Alban Meha

Burim Kukeli

Elis Bakaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *