Shorti është treguar përgjithësisht bujar me katër skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Kupa e Evropës, sidomos me ato që luajnë në Europa League. Më i vështirë shorti për kampionët, megjithatë asnjë prej skuadrave tona nuk ka kundërshtarë të pakalueshëm. Për Europa League është hedhur edhe shorti për raundin pasues, ku ofrohen disa përballje vërtet interesante. Nga katër kundërshtarët, tre janë nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik: Neftchi Baku, Flora Talin dhe Dacia Kishinjev.
Skënderbeu
Kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, në raundin e dytë kualifikues në Champions League do të ndeshet me Neftchi, skuadra e kryeqytetit të Azerbajxhanit. Një short jo dhe aq i mirë sa ç’mund të duket në pamje të parë, nisur thjesht nga emri i kundërshtarit, diçka e ngjashme me shortin e Dinamos tre vjet më parë kundër Sherifit të Moldavisë. Futbolli azer është tepër modest në nivel ndërkombëtar, por skuadra kampione e vendit është nga ato që ka bërë investime të fuqishme, e financuar me paratë e bosëve të naftës. Rezultati më i mirë u arriti pikërisht vitin e kaluar, kur Neftchi u bë skuadra e parë e Azerbajxhanit që u kualifikua në fazën e grupeve në Europa League. Në gjashtë ndeshje aty mori tri pikë, por bëri bujë duke barazuar me Interin në Milano, ndërkohë që dy pikët e tjera i mori në dy barazime me Partizanin e Beogradit. Në skuadër ka një koloni të fortë lojtarësh brazilianë, të cilët janë pikërisht ata që i japin forcën. Skënderbeu dhe Neftchi janë ndeshur njëherë në një miqësore, dy vjet më parë në Austri, gjatë fazës përgatitore, dhe kanë barazuar 1-1.
Laçi
Laçi, fitues i Kupës së Shqipërisë, ka shortin më të lehtë, në letër, nga tri skuadrat pjesëmarrëse në Europa League, ndonëse asnjë prej tyre nuk mund të ankohet nga goglat. Skuadra e Stavri Nicës do të luajë me Differdange të Luksemburgut. Një skuadër modeste, ndonëse në sezonin 2011-2012 luajti në raundin e tretë të Europa League, por jo plotësisht për meritë të saj. Diferdange eliminoi Levadia Talin të Estonisë në raundin e parë, me rezultat të përgjithshëm 1-0, duke shënuar një fitore historiek. Në raundin e dytë u eliminua nga Olimpiakos Volou e Greqisë, me dy humbje 0-3, por skuadra greke u përjashtua nga kompeticion, kështu që Differdange luajti në vend të saj përballë Paris SG në raundin e tretë, ku natyrshëm u eliminua. Laçi ka vetëm një pjesëmarrje në Evropë, të pasuksesshme, megjithatë këtë herë i ka të gjitha mundësitë. Në rast kualifikimi, përballë do të jetë Utreht i Holandës.
Kukësi
Skuadra nënkamëpione e Shqipërisë, Kukësi, do të ndeshet me Florën e Talinit, kryeqyteti i Estonisë. Kundërshtari i kuksianëve është pjesëmarrës i rregullt në Evropë, ku ka arritur të kalojë vetëm një herë turin e parë kualifikues. Më 2006, në Europa League, Flora eliminoi Lyn Oslo, pas barazimeve 1-1 e 0-0. Në pjesëmarrjet e rregullta që nga shkëputja e vendit nga Bashkimi Sovjetik, Flora ka arritur të marrë disa barazime përballë kundërshtarëve më të fortë, çka tregon se nuk duhet marrë kurrsesi lehtë nga Kukësi, që nga ana tjetër është debutues në Evropë. Megjithatë, kuksianët kanë mjaft lojtarë me përvojë evropiane, pasi kanë luajtur me skuadra të tjera në Champions dhe Europa League. Në rast kualifikimi, Kukësi do të ndeshet me fituesin e çiftit Libertas i San Marinos me Sarajevon e Bosnjës. Duke përjashtuar ndonjë befasi të madhe, pritet të jenë boshnjakët ata që do të ecin më tej. Avantazhi kryesor i estonezëve është se ata e zhvillojnë kampionatin e tyre në verë.
Teuta
Durrsakët janë skuadra me më tepër përvojë evropiane nga tri përfaqësueset e Shqipërisë në Europa League dhe përballë do të jetë një tjetër kundërshtar nga ish-Bashkimi Sovjetik, Dacia Kishinjev të Moldavisë. Duke një skuadër e kalueshme, megjithatë vlen të theksohet se në sezonin e kaluar, Dacia e kaloi raundin e parë, duke mundur dy herë 1-0 Celjen e Sllovenisë, për t’u eliminuar më pas nga Elfsborgu i Suedisë, të cilin e mundi 1-0 në Kishinjev.
