Gra deputete!

anazapta

Sipas njoftimit të datës 11 maj 2013, KQZ në zbatim të nenit 67, pika 6, të Kodit Zgjedhor, vendosi sanksione administrative për 3 parti politike: PS gjobitet me 6 milionë lekë, për 6 zona zgjedhore: Tiranë, Durrës, Elbasan, Kukës, Gjirokastër dhe Dibër.  PD gjobitet me 4 milionë lekë për 4 zona zgjedhore: Elbasan, Dibër, Berat dhe Kukës. LSI gjobitet me 4 milionë lekë për 4 zona zgjedhore: Berat, Kukës, Durrës dhe Gjirokastër.  Njoftimi i KQZ është “i thatë”, nuk jep shpjegime. Po përse bëhet fjalë konkretisht? Pika 6 e nenit 67 të Kodit Zgjedhor (i miratuar më 2008 dhe i ndryshuar më 2012) përcakton se për çdo zonë zgjedhore, të paktën 30 për qind e listës shumemërore dhe 1në 3 emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini.

Kurse neni 175 i Kodit, i jep të drejtë KQZ, që për mos realizim nga subjekti zgjedhor i detyrimit të parashikuar si më sipër ta dënojë me gjobë 1milion lekë në rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo pjesë e Kodit është bazuar në dispozitat e ligjit Nr. 9970, datë 24.7.2008 “Për barazinë gjinore në shoqëri”, e konkretisht nenit 15, sipas të cilit, përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe në institucionet e tjera publike arrihet “kur sigurohet përfshirja jo më pak se 30 për qind e secilës gjini në listën e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike për sistemin proporcional përzgjedhjet e Kuvendit të RSh.

Pra, këto parti nuk i kanë respektuar kërkesat e ligjit dhe të Kodit për barazinë ligjore, për të caktuar në listat e deputetëve të çdo zone në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit krahas 2burrave edhe 1grua. Meqënëse këto parti kapin gati të gjithë spektrin politik shqiptar del se aktet ligjore të miratuara prej tyre nuk gjejnë zbatim në praktikë. Madje, arrijnë deri aty sa ta “bëjnë veten” të paguajnë edhe gjobë, për të mos regjistruar gratë sipas rendit të përcaktuar me ligj.

Të shqetëson fakti se përparime nuk po bëhen krahasuar me të kaluarën e afërt, edhe pse tani kemi statute e programe partiake dhe ligje që mbështesin barazinë ligjore. Një qëndrim më inkurajues për pjesëmarrjen e grave në politikë pritej nga partitë e krahut të majtë PS dhe LSI, pasi PD, edhe pse ka qenë tetë vjet në qeverisje, ka mbajtur një qëndrim të dukshëm nënvleftësues. Mjafton të përmëndim se kabineti Berisha ka vetëm një grua ministër! Megjithatë, lidershipi i kësaj partie “i vlerësoi” gratë duke u kushtuar një manifestim të zjarrtë në Pallatin e Kongreseve!

Përvoja e para vitit 1990 paraqet dy tablo të kundërta: parlamentet e “kohës së Zogut” përbëheshin me 100 për qind deputetë burra! Kurse në legjislaturat e fundit të periudhës komuniste (vitet 1970-1990) përfaqësimi i gruas në Kuvende ka kaluar edhe nivelin prej 30 për qind.

Mirëpo, në vend që përfaqësimi i grave në Kuvend në “kohën e demokracisë” (nga viti 1991 e këtej) të rritej ka qenë më i ulët. Vemë në dukje që në legjislaturën e tanishme (2009-2013) në Kuvend ka vetëm 22 gra deputete nga 140 gjithsej, ose 15.7 përqind. Madje qarqet e Dibrës dhe Kukësit përfaqësohen vetëm me deputetë burra, kurse qarqet Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Lezhës dhe Vlorës kanë vetëm nga 1 deputete grua.

Këto shifra janë shumë të ulëta po të mbajmë parasysh që pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 kemi kaluar nga një sistem zgjedhor miks (mazhoritar-proporcional) në një sistem proporcional-rajonal, me lista të hartuara nga lidershipi i partisë.

Sipas listave të shpallura për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit del se raporti i deputeteve gra kundrejt numrit gjithsej nuk do të ketë ndonjë ndryshim të ndjeshëm. Në rastin më të mirë ndoshta mund të kemi një rritje prej 2-3 deputetesh apo rreth 2 për qind. Ky raport nuk reflekton mundësitë që ka vendi për nxitjen dhe promovimin e grave në funksione të larta publike.

Raporti është shumë i ulët krahasuar edhe me pjesëmarrjen e grave deputete në parlamentet e tjera, afër dhe larg vendit tonë.

Le të sjellim si shembull raportin e grave në parlamentin e shtetit më të ri të botës, Kosovës. Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, nga të cilët 40 ose 33 për qind janë gra, pra dyfish krahasuar me Kuvendin e Shqipërisë.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Unioni Ndërparlamentar për 189 vende të botës prej 1 prillit2013 (me burim parlamentet e shteteve përkatëse) del se Shqipëria zë vendin e 108-të për raportin e grave deputete kundrejt deputetëve gjithsej.

Në vendet ku gratë deputete zënë mbi 30 për qind të numrit të deputetëve gjithsej bëjnë pjesë: Ruanda  56.3 %,  Kuba 48.9 %, Suedia 44.7 %, Senegali 42.7 %, Finlanda 42.5 %, Afrika e Jugut 42.3 %, Nikaragua 40.2 %, Islanda 39.7 %, Norvegjia 39.6 %, Mozambiku 39.2 %, Danimarka 39.1 %, Hollanda 38.7 %, Kosta Rika 38.6 %,Timori-Lindor 38.5 %, Belgjika 38.0 %, Argjentina 37.4%, Meksika 36.8%, Spanja 36.0%, Tanzania 36.0%, Uganda 35.0%, Angola 34.1%, Nepali 33.2%, Serbia 33.2 %, Gjermania 32.9%, Maqedonia 32.5 %, Zelanda e Re 32.2 %, Sllovenia 32.2 %, Algjeria 31.6 %, etj. Pra, këtu bëjnë pjesë edhe dy vendet ballkanike:Serbia dhe Maqedonia.

Në vendet ku deputetet gra zenë nga nën 30 për qind deri në 15.8 për qind të deputetëve gjithsej bëjnë pjesë: Zvicra 29.0 %, Portugalia 28.7 %, Italia 28.4 %, Austria 27.9%, Etiopia 27.8%, Afganistani 27.7%, Franca 26.9 %, Tunizia 26.7%, Bjellorusia 26.6%, Bolivia 25.4%, Iraku 25.2%, Australia 24.7 %, Kanadaja 24.7 %, Lituania 24.5 %, Vietnami 24.4 %, Kazakistani 24.3%, Singapori 24.2%, Kroacia 23.8 %, Polonia 23.7 %, Kina 23.4 %, Letonia 23.0 %, Bullgaria 22.9 %, Filipinet 22.9 %, Pakistani 22.5%, Britania e Madhe 22.5 %, Republika Çeke 22.0 %, Izraeli 21.7 %, Luksemburgu 21.7 %, Bosnja dhe Hercegovina 21.4 %, Greqia 21.0 %, Estonia 20.8 %, Arabia Saudite 19.9 %, Moldavia 19.8 %, Bangladeshi 19.7 %, Sllovakia 18.7 %, Indonezia 18.6 %, Kenia 18.6 %, ShBA 17.8 %, Mali i Zi 17.3%, Venezuela 17.0 %, Libia 16.5 %, Azerbaixhani 16.0 %, Tailanda 15.8 %. Pra, në këtë grup bëjnë pjesë Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Në vendet ku deputetet gra zënë nën 15.7 % të deputetëve gjithsej bëjnë pjesë: Shqipëria 15.7 %, Burkina Faso 15.7 %, Korea e Jugut 15.7 %, Korea e Veriut 15.6 %, Irlanda 15.1 %, Zimbabve 15.0 %, Mongolia 14.9 %, Malta 14.3 %, Kili1 4.2 %, Turqia 14.2 %, Kameruni 13.9 %, Somalia 13.8 %, Federata Ruse 13.6 %, Guatemala 13.3 %, Nigeria 13.3 %, Rumania 13.3 %, Jordania 12.2 %, Kolumbia 12.1 %, Uruguaji 12.1%, Gjeorgjia 12.0 %, Siria 12.0 %, India 11.0 %, Armenia 10.7 %,  Malajzia 10.4 %, Ukraina 9.4 %, Hungaria 8.8 %, Brazili 8.6 %, Japonia 7.9 %, Kuvaiti 6.2% , Irani 3.1 %,etj.

Pra, Shqipëria vazhdon të mbetet në grupin e vendeve me përqindje të ulët përfaqësimi të grave në Parlament, shumë mbrapa edhe ndaj vendeve më pak të zhvilluara se ne.

Po si shpjegohet një fenomen i tillë, kur liderët partiakë nuk lenë rast pa theksuar (dhe me të drejtë) rolin dhe rëndësinë që kanë gratë në jetën politike, shoqërore, ekonomike dhe edukative të vendit, por nuk e reflektojnë këtë në praktikë? Përgjigje më bindëse për këtë fenomen mund të japin vetë ata, por ky fenomen negativ shpreh padyshim mungesë vullneti për t’u besuar grave detyra të rëndësishme politike. Duket se vazhdon të sundojë koncepti se funksioni i deputetit është punë burrash, se fushatat zgjedhore po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme, seancat parlamentare më të ashpra dhe më denigruese, si të tilla, të vështira për t’u përballuar nga gratë.

Prandaj, më pak fjalë e premtime për gratë, më shumë hapa konkrete për zbatimin e programeve partiake dhe akteve ligjore që sigurojnë barazinë gjinore në shoqërinë shqiptare.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *