Nëse dëshironi të joshni partnerin, më mirë mos e provoni pa truk. Bukuria “ujë e sapun” nuk është më e pëlqyer nga meshkujt. Dikur tregues i rinisë, fytyra natyrale duket se tashmë nuk tërheq më. Në të kundërt, makiazhi, edhe nëse është i lehtë e bën fytyrën më tërheqëse. Ky është rezultati i studimit të kryer nga instituti Proderm për kërkimet dermatologjinë në Hamburg, Gjermani.
Studiuesit kanë mbajtur nën vëzhgim efektet e fytyrës së trukuar dhe asaj ujë e sapun të 27 grave nga 35-50 vjeç, fotot e të cilave iu dhanë 35 meshkujve dhe 35 femrave për të dhënë mendimin e tyre.
Fytyrat e femrave ishin fotografuar fillimisht pa makiazh, më pas pasi kishin pastruar fytyrën me një tonik dhe në fund me një fondatintë të lehtë.
Fytyrat e trukuara kanë marrë më shumë vlerësime në krahasim me ato ujë e sapun. Ndërsa fytyrat e pastruara me tonik janë cilësuar më pak tërheqëse, madje edhe në krahasim me fytyrat natyrale.
Studimet e mëparshme kanë treguar efektet pozitive që kanë tek meshkujt i kuqi i buzëve dhe sytë e trukuar, ndërsa studimi i fundit sugjeron edhe përdorimin e fondatintës.
“Shumë studime kanë treguar se produktet kozmetike influencojnë në perceptimin e tërheqjes, duke ndikuar edhe në sjelljen mes partnerëve. Benefitet janë akoma më të mëdha te gratë në moshë, pasi me një truk të bukur përmirësojnë edhe vetëvlerësimin”, thonë studiuesit.
Përfundimet e studimit të mësipërm vërtetohen më së miri në Itali, ku sipas të dhënave të vitit 2012, janë shpenzuar më shumë se 381 milionë euro vetëm për fondatintë dhe fard (pluhuri që përdoret për mollëzat), një rritje 3,5% në krahasim me 2011-n.