Grabitet me armë një argjendari në Fier. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Kongresi i Përmetit”, kur tre persona kanë grabitur duke kërcënuar me armë argjendarinë e Vladimir Zogajt, duke e lënë të plagosur këtë të fundit.
Ata janë larguar menjëherë nga argjendaria me automjetin e tyre, të cilin e kanë braktisur më vonë dhe i kanë vënë edhe zjarrin.
Sipas vlerësimeve të kryera, sasia e gjërave të grabitura arrin në 3 kg ar. Kjo është hera e tretë që argjendaria e zotit Zogaj bëhet pre e grabitësve. Policia tha se autorët e grabitjes janë në moshë të re dhe po punon për kapjen e tyre.