Grabitja e tokave në bregdet, hetimet zgjerohen drejt lagunës së Kune Vainit

Dita

Sipas një vendimi të gjykatës në Policinë e Lezhës mbahen të arrestuar shtatë persona, të cilët kryesisht janë punonjës të bashkisë, që nga juristë deri tek kryetari.

Disa protestues të cituar nga kanali TCH e konsiderojnë arrestimin e kreut të Bashkisë si një aksion politik.

“Përderisa është në krahun e djathtë, arrestimi është politikisht. Nuk e besojmë, s’e ka bërë kurrë sepse jam unë ajo që kam sjellë një njeriun tim nga Gjermania për të marrë një copë tokë në Shëngjin dhe më ka thënë jo sepse nuk lejohet. Ky është një puç i shtetit”, thotë një protestues.

Prokuroria ka prova se Fran Frrokaj është pjesë e një zinxhiri, ku janë përvetësuar mbi 234 mijë metra/katrorë tokë në zonën e plazhit të quajtur Mali i Rencit dhe Mali i Shëngjinit.

“Rana e Hedhun” në Shëngjin është një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në sezonin e verës, por zyrtarë të shtetit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur që nëpërmjet falsifikimit të tjetërsojnë tokën dhe ta regjistrojnë atë si tokë bujqësore dhe pemëtari.

Në dosjet e dorëzuara nga Bashkia dhe Këshilli i Qarkut konfirmohet se sipërfaqja e rrethuar me gardh, që është vijë bregdetare rërë, si dhe brinja e malit, që është pyll me shkurre është në të vërtetë hapësirë me ara dhe pemëtore.

Të hënën, krahas shtatë të arrestuarve që do të dalin për t’u njohur me masën, janë edhe pesë të tjerë që janë nën arrest shtëpie. Mes tyre gjendet edhe drejtoresha e Drejtorisë së Bujqësisë, ish-specialistë në këtë drejtori, topografë e përfitues toke që janë lënë të lirë për shkak të moshës.

Ndërkohë, për këtë dosje janë edhe 11 persona të tjerë në kërkim policor.

Kjo dosje nuk është e vetme, sipas një burimi të Top-Channel-it. Nën hetim për grabitjen e tokave në bregdet janë edhe zonat e Tales dhe të lagunës së Kune Vainit.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *