Grafiku i ndarjes së shpërblimit të pensionistëve

Ornela

Pranvera Kola

Sikundër ishte premtuar, edhe për këtë fundvit të gjithë pensionistët në vend do të marrin shpërblim në masën prej 3,000 lekësh, ndarja e të cilit nis përgjatë ditës së sotme sipas grafikut të përcaktuar tashmë nga organet e sigurimeve shoqërore. Konfirmimi është bërë dje  në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku dhe është miratuar vendimi për kalimin e fondit që do të mbulojë bonusin për qindra mijëra pensionistët në të gjithë vendin. Ndarja e shpërblimeve do të bëhet në qendrat e tërheqjes së pensioneve, si dhe në llogaritë bankare të pensionistëve, sipas grafikut të përcaktuar.

Kategoritë përfituese

Sipas vendimit të kaluar nga Qeveria, shpërblimin e Vitit të Ri e përfitojnë mbi 663 mijë pensionistë, prej të cilëve, 530.364 janë përfitues të pensionit të pleqërisë, 67.754 janë përfitues të pensionit të invaliditetit, 49.849 janë përfitues të pensioneve familjare, 13.260 pensionistë në pension social, përfitues të trajtimeve të veçanta financiare, si: minatorë, punonjës të ish ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarake në pension të parakohshëm.

Ndarja e shpërblimit

Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, organet e sigurimeve shoqërore edhe për këtë vit kanë gati grafikun që do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të shpërblimit deri në fund të dhjetorit, si dhe përgjatë muajit janar për pensionistët që nuk arrijnë ta marrin atë gjatë këtij muaji. Ndërsa pensionistëve që e marrin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, shpërblimi i fundvitit do t’u kalohet në llogarinë bankare të çelur për kreditimin e pensionit mujor sipas datës së përcaktuar që do të bëjë publike Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas grafikut të detajuar në vijim të shkrimit. “Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor, ato do të paguhen gjatë vitit të ardhshëm. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, si dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore”, saktësohet në vendim.

Llogaritja e pensionit

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve. Në asnjë rast, shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Ndërsa personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, dhe nuk duhet të jenë duke kryer veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6  për qind në muaj.

Tërheqja e përfitimeve nga skema

Po sipas skemës së sigurimeve, pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Gjithashtu, pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

 Shpërblimin në masën 3,000 lekë e përfitojnë:

  • 530.364 përfitues të pensioneve të pleqërisë.
  • 67.754 përfitues të pensioneve të invaliditetit.
  • 49.849 përfitues të pensionit familjar.
  • 13.260 përfitues të pensioneve sociale, dhe trajtimeve të financiare, si: minatorë, punonjës të ish ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm.

 

ISSH: Ja grafiku i ndarjes së shpërblimeve!

  • Në datën 25 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 1-5 dhjetor.
  • Në datën 26 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 6-9 dhjetor.
  • Në datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 10-13 dhjetor.
  • Në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 14-16 dhjetor.
  • Në datën 30 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 17-20 dhjetor.
  • Në datën 31 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 21-24 dhjetor, si dhe raste që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara.
Share This Article
1 Comment
  • Po i shkelni me kembe cdo vit qe kalon pensionistet . Shuma e pensionit duhet te ritet me perqindjen sa % inflacion ka qene gjate vitit qe kalon , keshtu vepron perendimi por edhe ato ne Afrikee ne zambja ?? dhe kjo quhet qe pensioni , ri ne vend numuro ,, (,% e inflacionit ),pra njelloj . Zoti marte hak mbi ju bandite shejtan budallenj ,qe cdo vit qe kalon behet me keq ..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *