Gjendet e vdekur në mal një grua nga Gramshi. Trupi i pajetë është pikasur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Burime nga policia pohuan se ajo është identifikuar dhe është shtetasja Barie D, 45 vjeçe.
Kufoma u zbulua rreth orës 04.00 të mëngjesit në një masiv shkëmbor në malin e fshatit Tërvol. Banorë të rastësishëm kanë njoftuar policinë e cila bashkë me një grup ekspertësh kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Ende mbeten mister shkaqet e kësaj ngjarje. Policia dhe Prokuroria e Elbasanit kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, raporton Shekulli.
Burime hetimore pohuan se janë ngritur dy pista: Ajo e vetëvrasjes ose vdekjes aksidentale dhe ajo e vrasjes së qëllimshme dhe dërgimi i kufomës në mal. Në trupin e së ndjerës janë konstatuar edhe dëmtime, por nuk dihet nëse ato janë shkaktuar aksidentalisht apo nga persona të tjerë. Çështja është nën hetim.
