Gramshi, i ndodhur në pjesën qendrore e jugore të Shqipërisë, është rrethi më interesant në Shqipëri, pasi ndodhet në kufirin mes tri krahinave të mëdha natyrore, Krahinës Malore Qendrore, Krahinës Malore Jugore dhe Ultësirës Perëndimore, njëkohësisht është i vetmi rreth që kufizohet me shtatë rrethe të tjerë, me Skraparin, Beratin, Elbasanin, Librazhdin, Pogradecin, Devollin dhe Korçën. Një pozicion i tillë gjeografik dhe natyror e bën një zonë të veçantë dhe të pasur në jetën materiale dhe etnokulturore.
Është rreth malor me lumenj e ujëvara, burime natyrore me ujëra të kristalta që shkumëzojnë në grykat e maleve, liqene të bukur malorë, masive pyjesh dushku dhe halorë dhe kullota të pasura me livadhe e ushqim të bollshëm për blegtorinë. Ka një klimë që favorizon shumë bujqësinë dhe kullotat e blegtorisë.
Qyteti i Gramshit është qytet relativisht i ri, i vendosur në tokat e fshatit Gramsh-Fshat. Ky fshat ndodhet në lindje të qytetit të Gramshit, në krahun e djathtë të lumit Devoll. Qendra e këtij fshati ka qënë dikur në vendin ku është sot qyteti, po u shpërngul nga sulmet e djegiet e ushtrisë turke. Në tokat e tij, buzë Devollit, ka kaluar dega e rrugës “Egnatia”, që shkonte deri në Korçë. Emri i Gramsh-Fshatit përmendet që në shek. XV, por ka qënë i banuar shumë më herët.
Gjatë hapjes së themeleve të një pallati në qytet, u zbulua një majë heshte bronzi e datuar nga specialistët në shek. XII-XI p.e.sonë. Kjo majë heshtë bronzi është ndoshta, pjesë e inventarit të një varreze tumulare. Një e tillë ndodhet ende e pazbuluar në fshatin e Çekinit, buzë Devollit, në veri të Gramshit, jo më shumë se tre km larg.
Në vendin ku u vendosën banorët e fshatit, më në lindje të qytetit të sotëm, ndërtuan shtëpitë e banimit me mure guri, 2-3 katëshe, kalldrëmin e gurtë që lidhte lagjet e fshatit, puse për sigurimin e ujit të pijshëm për popullatën, kullën e Sahatit (ose Beut) dhe varrezat e fshatit. Kalldrëmi, rreth 5 km i gjatë dhe 2 km i gjërë, lidh burimin e ujit në Vinë, i quajtur Kroi i Mesëm, lagje e dikurshme e Gramsh-Fshatit me lagjet e tjera dhe përfundon në vendin e quajtur Te Ndahen Udhët, në perëndim të fshatit. Fragmente të tij ruhen edhe sot në fshat.
Në lagjen e qendrës së fshatit, krahas kalldrëmit dhe të tre puseve, ruhen ende në këmbë, muret e ndërtesave shekullore të këtij fshati, që i kanë shpëtuar shembjes në vite. Si në mbarë trevën e Gramshit dhe Gramsh-Fshati, ka pasur bijtë e vet që kanë luftuar për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit e huaj. Të moshuarit tregojnë për një luftëtar, Ali Koçin, banor i këtij fshati, që luftoi i vetëm, i rrethuar nga armiq të shumtë. Ai rezistoi deri në fishekun e fundit ndaj pushtuesve turq. Ishte burrë trim dhe i paepur. Populli e ka përjetësuar në këngë: Ditën e Bajramit, i prenë kokën përçorit/ Të vërçorit, të Aliut/ Kokën ia prenë, zemrën ia çanë/…Burr’i zoti ishte Ali Koçi/ I zbraz pushka porsi topi…
Është vërtetuar plotësisht se të afërmit e luftëtarit të madh antifashist, Antonio Gramshi, e kishin
prejardhjen e tyre, pikërisht nga Gramsh Fshati. Përpjekjet për të mësuar rrënjët e fisit të Tij të vendlindjes, janë bërë që herët, nga studiues dhe hulumtues nga Italia dhe që u kurorëzua përfundimisht në vitin 2012. Antonio Gramshit, nga Këshilli i Bashkisë Gramsh iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Gramshit (pas vdekjes). Ky vendim ishte kurorëzim i bashkëpunimit dhe binjakëzimit të Gramshit me komunën Pllatën (Plataci) në provincën e Kozencës, Itali.
Gjysmëshekulli qytet
- Qyteti i Gramshit është qytet i ri. Ai u shpall si i tillë më 18 shkurt 1960.
- U krijua si bashki më 26.07.1992.
- Që nga viti 2000, furnizohet me ujë të pijshëm nga burimi i ftohtë i Kërpicës, në malin e Tomorrit.
- Popullsia e tij është 14 326 banorë dhe është kryesisht e besimit mysliman dhe pak të atij ortodoks.
- Qyteti ka tri shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme, pallatin e kulturës, muzeun, bibliotekën, qendrën kulturore për fëmijë, xhaminë e kishën ortodokse, etj.
- Më 26 nëntor 1912, u ngrit flamuri i Pavarësisë në Gramsh. Gramshi, si rreth, u çlirua më 10 korrik 1944.
- Rrethi i Gramshit ka 16 monumente kulture dhe po kaq të pashpallura si të tillë, 13 gjeomonumente dhe 6 të tillë që s’janë shpallur, si dhe 7 biomonumente interesante, për të tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj.

Mirë e ka shkruar autori këtë reportazh pos çudisë që më la për… “kufizimin e Gramshit me Devollin”!? Tung!
Po pse e keni ilustruar me nje fotografi te mare naten?
Ky shkrusi i ketij reportazhi nuk na qenka vetem nje lokaliste por dhe nga menyra e te shkruarit duket qe dhe shkollen 8 vjecare e ka mbaruar naten.Tung
Shkruesi i këtij artikulli eshte njohes i mire i treves së Gramshit dhe studiues i zoti. Të përgëzoj Meçan per kete copëz histori.
qyteti i gramshit qenka vertet i vecante
e kam vizituar shume here ujvaren e sotires dhe eshte shume e bukur
Po fshatrat qe permban qyteti i gramshit
Dhe fiset ku jane mbippppp