Nga të gjithë shqiptarët e Zvicrës, padiskutim që ai që do ta ketë shumë më të vështirë ndaj kuqezinjve në ndeshjen e parë në Europianin e Francës, do të jetë Granit Xhaka, lideri i Borusia Mënshengladabut.
Sepse, përballë, nëse s’ka ndonjë ndryshim program apo të papritur, do të ketë të vëllain, Taulant Xhaka.
Sigurisht, në fillim është objektivi fitore dhe kualifikim në grup, më pas përralla për t’u shkruar: trofeu i Euros. Ja se si e shpjegon mesfushori ndër më të kërkuarit në Europë. “Pse jo?” Kjo ishte përgjigjja e mesfushorit me origjinë shqiptare të Borusia M’Gladbahut, Granit Xhaka, kur u pyet nëse kombëtarja e Zvicrës mund të fitojë Kampionatin Evropian të Francës.
“Ka edhe skuadra të tjera favorite, të cilat nuk janë përfshirë në vazon e parë.
Sigurisht që nuk do ta bëj gati valixhen për vetëm 10 ditë, por për gjithë turneun. Me pak fat dhe performanca të mira, ne mund ta fitojmë titullin evropian”, – ka thënë ai për “Rheinische Post”-in.
Në turneun e Francës, Xhaka do të përballet me Shqipërinë, aty ku luan Taulant Xhaka, vëllai i tij.
“Kjo është një situatë e veçantë, e cila nuk mund të kuptohet nga të gjithë. Kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë apo Zvicrën, por thjesht për faktin se luan kundër gjakut tënd.
Por ne po e presim me padurim sfidën”, – ka shtuar Xhaka.
Në fund, ai theksoi se nuk ka shans të largohet nga ‘Gladbahu, por pranoi: “Nëse skuadrat angleze apo Bajerni kanë interes për mua, për mua është një provë për arritjet e mia në vitet e fundit.”
