Gratë dhe misteri i vulvodynisë

anazapta

Shumë miliona gra vuajnë nga dhembje në organet e tyre private, që shkaktohen nga një sëmundje që quhet vulvodynia. Kjo është një gjendje plot vuajtje, që arrin të sabotojë tërësisht jetën seksuale të grave. Le ta shikojmë më nga afër pse ndodh vulvodynia dhe si mund të shpëtojmë prej saj.

Vulvodynia shkakton dhimbje kronike në vulvën e gruas ose në zonën ngjitur saj, jashtë vaginës. Simptomat më të zakonshme janë djegie si shpim, irritim dhe dhimbje sikur të shpojnë me thikë.

Shkaqet e saj janë të paqarta edhe për doktorët. Dhimbjet nuk lidhen me ndonjë infeksion, që duhet të mjekohet. Ato nuk lidhen me çrregullime nervore dhe me sëmundje të lëkurës. Simptomat e saj janë shumë të mundimshme, sa nuk lejojnë kryerjen e marrëdhënieve seksuale, madje, gruaja nuk vesh dot as xhinse dhe nuk qëndron dot ulur për një kohë të gjatë.

 

Le ta zbërthejmë misterin e vulvodynisë

 Disa gra, që vuajnë nga vulvodynia, dhembjet i ndjejnë në një zonë të caktuar të perineumit (zona midis anusit dhe vulvës). Interkursa seksuale, vendosja e një tamponi në vaginë, madje, ekzaminimi gjinekologjik në zyrën e doktorit, bëjnë të shpërthejë vulvodynia. Gra të tjera, vulvodyninë e kanë të gjeneralizuar. Në këtë rast dhimbja përhapet tej perineumit. Qëndrimi i gjatë ulur, shalimi i kalit, hipja në biçikletë, madje, veshja e xhinseve të ngushta, bëjnë të shpërthejë dhimbja.

Doktorët më shumë dinë se çfarë nuk e shkakton sëmundjen, se sa çfarë e shkakton atë, ndonëse, shumë teori përpiqen ta shpjegojnë. Doktorët para një gruaje me vulvodyni, së pari, fillojnë të rregullojnë probleme të tjera të mundshme. Gjinekologët kërkojnë për shenja të infeksionit fungal (candidiazis), për infeksione virale (herpes ose HPV), për kancer të lëkurës, për inflamacione të lëkurës, për reaksione alergjike dhe për çrregullime neurologjike. Kur të gjitha këto hiqen si shkak i gjendjes, në fund mbetet si dyshim vulvodynia.

Disa doktorë mendojnë se kjo gjendje është me origjinë neuromuskulare dhe buron nga spazmat në muskujt e dyshemesë pelvike, që ndjehen në vulvë. Doktorë të tjerë e lidhin vulvodyninë me trauma të kaluara, sepse gratë e abuzuara seksualisht dhe fizikisht, janë më të prirura të vuajnë nga vulvodynia.

Shumë teori të reja kanë dalë vitet e fundit, që përpiqen ta shpjegojnë vulvodyninë me shkaqe gjenetike. Një studim i botuar në revistën American Journal of Obstetrics and Gynecology, konstaton se gratë me vulvodynia prodhojnë pak kimikate që shërbejnë për të bllokuar përgjigjen inflamatore të trupit, ndaj infeksioneve. Sapo fillon inflamacioni, trupat e këtyre grave e kanë të vështirë ta kufizojnë atë, gjë që çon në dhembje kronike, të cilat vazhdojnë edhe kur infeksioni ka kaluar.

Kërkuesit kanë gjetur edhe një anomali tjetër gjenetike, që i ekspozon këto gra ndaj një rreziku më të madh për infeksione kronike. Kështu edhe pse nuk ka shenja në indet sipërfaqësore, infeksioni kronik i padiagnostikuar nga myqet dhe bakteret, mund të qëndrojë në indet e thella të këtyre grave dhe të shkaktojë vulvodyninë.

 

Diagnosa e sëmundjes

Si e diagnostikojnë doktorët vulvodyninë dhe si e mjekojnë atë? Fatkeqësisht, diagnoza është e vështirë. Studimet tregojnë se, rreth dy të tretat e grave me dhembje gjenitale janë vizituar, më së paku, në tre doktorë, përpara se të jenë diagnostikuar me vulvodynia.

Historia e kujdesshme dhe ekzaminimi fizik, janë faktorë kyç për një diagnozë korrekte, ndërkohë, që nuk ka asnjë analizë që të tregojë se gruaja vuan nga një sëmundje. Doktori do ta pyesë gruan kur i filloi sëmundja, mjekimet e mëparshme, alergjitë, historitë e saj mjekësore, operacionet që ka bërë dhe shqetësimet seksuale që ka. Ai do ta pyesë për shkaqe të veçanta që e shpërthejnë gjendjen, siç është interkursa seksuale ose vendosja e tamponit.

Doktori do të bëjë ekzaminimin pelvik për të gjetur ndonjë infeksion, lezion lëkure, trauma dhe çrregullime të tjera serioze të brendshme, siç janë tumoret që mund të shkaktojnë dhimbje pelvike. Doktori do të përdorë një tampon pambuku për të përcaktuar zonat e buta rreth vulvës dhe perineumit, që i japin gruas dhimbje. Me këtë mënyrë, doktori do të klasifikojë shkallën e dhimbjes si të lehtë, të moderuar ose të rënde. Doktori mund të bëjë një diagram të zonave që shkaktojnë më shumë dhembje, për t’i krahasuar me ekzaminimet që do të bëjë më vonë.

Kush është në rrezik? 

Kjo gjendje duket se prek në mënyrë të barabartë gratë e të gjitha racave. Ka një të dhënë interesante, që thotë se gratë hispanike vuajnë 80% më shpesh nga dhimbjet kronike të vulvës. Me këto dhimbje, më shumë, vuajnë ato gra që kanë provuar vështirësi dhe dhembje në herën e parë që kanë vendosur një tampon.

Kërkuesit në Harvard Medical School, anketuan 5000 gra për të mësuar më shumë për vulvodyninë. Rezultatet i publikuan në  Journal of the American Ëomen’s Medical Association, ku tregohet se rreth 5% e grave mbi 25 vjeç, e kanë provuar këtë gjendje. Pesë në njëqind gra nuk është pak. Por, kjo shifër, mendojnë kërkuesit, duhet të jetë shumë më e lartë. Ata mendojnë se ka shumë miliona gra në botë, që në jetën e tyre, vuajnë nga vulvodynia. Është shumë alarmues fakti, që rreth një e treta e këtyre grave, zgjedh të mos kërkojë mjekim, madje, edhe atëherë, kur simptomat e sëmundjes pengojnë plotësisht jetën e tyre seksuale.

 

Çfarë i ndihmon gratë me vulvodyni? 

Së pari, zona gjenitale duhet të mbahet pastër. Gruaja duhet të veshë të brendshme pambuku gjatë ditës dhe të mos veshë asgjë natën. Të evitojë irritantët si parfumet, shampot dhe dushet vaginale. Pas pastrimit të kujdesshëm dhe tharjes me peshqirë, gruaja duhet të përdorë një zbutës lëkure, si vaji vegjetal dhe xheli petroleum, veçanërisht, përpara interkursës.

 

Barnat që përdoren lokalisht

 Bari më i përdorshëm lokal është pomada me lidokainë, që vendoset 30 minuta përpara seksit, ose sipas nevojës. Studimet tregojnë se mjekimi me lidokainë për disa javë, në kohën që gruaja shtrihet në shtrat, e bën interkursën më komforte. Estrogjeni i përdorur lokalisht ka rezultate të mira. Përdorimi i një përzierje me anestetikë lokalë, në disa gra, ka patur rezultate të mira. Ndërkaq, vetë-mjekimet mund të shkaktojnë, ndonjëherë, shpime dhe shqetësime. Disa paciente bëhen më të ndjeshme ndaj barnave, gjë që i rëndon shenjat e sëmundjes.

 

Barna nga goja

Nga goja mund të merren antidepresantë SSRI. Antidepresantët amiltriptyline, nortriptilina dhe despiramina, mund të ndihmojnë gratë me vulvodyni të gjeneralizuar dhe lehtësojnë disa paciente me dhembje të lokalizuara. Një studim ka gjetur se antidepresantët triciklikë, janë të suksesshën në afërsisht 50% të grave që i kanë provuar. Antikonvulsantët, gjithashtu, janë përdorur për mjekimin e vulvodynisë. Antidepresantët e arrijnë rezultatin pas disa javëve dhe ato duhet të monitorohen për efektet e tyre anësore.

 

Biofeedback dhe Terapia fizike

Biofidbeku ndihmon gratë të rregullojnë teknikat vetë- rregulluese për të luftuar me dhembjen. Terapia fizike ndihmon për të tonifikuar strukturat muskulare në dyshemenë pelvike. Shumë studime kanë treguar se terapia fizike pakëson simptomat dhe përmirëson funksionimin seksual.

Mjekime më agresive

Përdoren injeksionet lokale dhe kirurgjia. Po qe se identifikohet një pikë nga fillon dhimbja, kjo zonë mund të jetë target për trajtim të kombinuar me steroide dhe anestetikët. Ekspertët e kursejnë kirurgjinë, vetëm, për rastet ku mjekimet e tjera dështojnë. Kirurgjia përdoret kur shqetësimi dhe paaftësia që krijon sëmundja, pengon aktivitetin ditor normal. Kirurgjia synon të heqë ind nga vulva, që përmban gjëndra përgjegjëse për sekretimin e mukusit për lubrifikimin e vaginës. Kirurgjia heq simptomat në dy të tretat e pacientëve që i nënshtrohen asaj. Kirurgjia, gjithnjë, duhet të jetë përpjekja e fundit.

Mund të përdoren gjithashtu, përmirësimi i dietës, lënia e duhanit, kufizim në përdorimin e alkoolit, teknika relaksuese, masazhi, trajtimi me ftohje të lokalizuar, banjat me ujë me kripë, ushtrimet fizike, antiseptikët, kremrat estetikë, akupunktura dhe suplemente bimore.

Vetë-diagnostikimi dhe vetë-mjekimet në shtëpi, mund të ngatërrojnë dhe prishin kushtet për mjekim. Doktori duhet të dijë për çdo dhembje që ndjen gruaja dhe për çdo metodë mjekimi që gruaja përdor për të luftuar dhimbjen.

 

 

Dr. Adem Harxhi – DITA

 

 

Share This Article
1 Comment
  • “Shumë miliona gra vuajnë nga dhembje në organet e tyre private”
    hahahahahah
    po kur organet bëhen kolektive nuk vuajnë më??
    organe private??
    o gallatë e trapucëve të quajtur gazekarë!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *