Gratë e burgosura, heroinat e vërteta të Kosovës!

redaktor

Islam Mulaka ka lindur në 1959, në Komunën e Vushtrrisë, në Kosovë. Ka ndjekur Akademinë Policore në vitet 1974-1978 dhe në vitin 1979 punësohet si Polic i Rendit dhe rregjistrohet të ndjekë me korrespondencë studimet pranë Fakultetit Juridik. Gjatë demonstratave të viteve ’80 dhe kërkesave të rinisë për një Republikë Kosovare, së bashku me shokë të tjerë, burgoset nga UDB në periudhën 1982-1987 për propagandë. Pas daljes nga burgu vazhdon veprimtarinë revolucionare duke iu bashkangjitur Grupit Komunist në Kosovë. Gjatë vitit 1992 merr pjesë në riorganizimin e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (më vonë e quajtur LPK).Në vitin 1993, përsëri burgoset nga UDB (për 2 vjet) për veprimtari armiqësore sipas Ligjit Penal Jugosllav.Prej vitit 1995, emigron në Gjermani gjatë luftës së Kosovës mobilizohet në Fondin Vendlindja Thërret, për të mledhur fonde për UÇK.

 

Gjatë viteve ‘80, ndërsa zhvillimi ekonomik i ish-Jugosllavisë shënonte kulmin e tij, pse u organizuan demonstratat e studentëve në1981?

Në lidhje me ekonominë në ato vite, mund t’ju them që borxhi i ish-Jugosllavisë kish arritur 22 miliard dollarë, dhe kjo për atë kohë ishte një shumë marramendëse. Demonstratat e studentëve të viteve ’68 ashtu sikurse edhe ato të viteve ’80 kërkonin të drejta të barabarta me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, aq më shumë duke qenë të tretët në numër popullsie pas Serbisë e Kroacisë.

 

Mbështetja e Shqipërisë së Enver Hoxhës, për demonstratat e 1981-it, ka qenë mbështetje vetëm ideologjike, apo edhe ekonomike?

Mbështetje ekonomike nuk kemi patur kurrsesi. Krijuam shumë organizata ilegale me pikëpamje marksiste leniniste, pasi kjo ishte ideologjia e shtetit amë dhe ishte mëse normale të mbështeteshim te Shqipëria. Pra ishim detyruar të mbështeteshim te Shqipëria, çfarëdo sistemi të kishte këtu.

Nga viti ‘81 pasi kaluan 10 vite, ish-Jugosllavia filloi të ndahej me luftë në të cilën pati shumë humbje jetë njerëzish të pafajshëm.A mendoni se në aspektin human keni një lloj përgjegjësie për këto humbje?

Jo, arsyeja e vërtetë e ndarjes dhe e luftrave në ish-Jugosllavi është se popujt e kuptuan çfarë po ndodhte. U zgjuan,  sepse po shfrytëzoheshin nga Serbia dhe ata,si ne, nuk u pajtuan që kishte një komb jugosllav.

Pse mendon që pavarësia e Kosovës erdhi me kaq vonesë, pra nga ‘81 deri në‘98?

Sepse u mendua që pavarësia do të vinte paqësisht, ndërkohë që veçse me Serbinë nuk mund të flitej në një platformë paqësore. Veçse me luftë erdhi liria, atë që kemi thënë edhe në’81, por edhe më parë.

Në të vërtetë, sot Serbia çfarë kërkon nga Kosova pasi si në atë kohë edhe sot, ekonominë e Kosovës e dominon tregu serb?

Sot volumi tregtar i Kosovës me Serbinëështë mbi një miliard dollarë, pra është në vendin e parë dhe kjo fuqi ndikon edhe në politikat e Kosovës.Por më e keqja është se mallrat serbe nuk janë të kontrolluara dhe shpesh ndikojnë në shëndetin e popullatës.

 

Ndërkohë që ishe krah përkrah me policinë jugosllave duke qenë se edhe vetë ke pasur këtë detyrë, si ishte gjendja e policisë jugosllave gjatë demonstratave, si po i përjetonin ato?

Kur isha në shkollën e policisë, në teori ishte gjithçka në përputhje me të drejtat themelore të njeriut, por pas mbarimit kur nisa të punoj, ndryshimi ishte si nata me ditën, në drejtim të shqiptarëve. Në këtë moment vendosa të punoj në fshehtësi të plotë të regjimit, duke qenë brenda, por kundra regjimit jugosllav. Gjatë demostratave, policët kishin frikë, pasi turma ishte e madhe. Në të njëjtën kohë, kërkesat e studentëve u dukeshin absurde dhe nuk ua merrte mendja që shqiptarët të mund të protestonin.

Si e përjetove natën  e parë në burg?

Derisa vepron kundra pushtetit natyrisht, je i përgatitur që kjo gjë do të ndodhte një ditë. Edhe unë si shumë shokë dhe shoqe të tjerë, ishim të përgatitur si për torturat psikologjike ashtu edhe për ato fizike. Nuk ka pasur asnjë ndryshim mes grave të burgosura dhe burrave, ndërsa nata e parë ka qenë si gjithë netët që e pasuan.

 

Sot, a mendoni se vuajtja dhe sakrifica e grave që janë burgosur, gëzon respektin e merituar?

Ato janë heronjtë e vërtetë të lirisë sonë. Sot, fatkeqësisht nuk e gëzojnë respektin e merituar. Natyrisht ka nga ato që kontributi i tyre edhe sot përmendet, por ka shumë e shumë të tjera që janë lënë në harresë.

Çfarë mendon se mund të bëhet më shumë për to?

Duhet të ftohen për të dhënë nga përvoja e tyre e jashtëzakonshme pasi një shtet i ri si Kosova ka nevojë të mbajë gjallë kujtesën historike në çdo aspekt, e aq më shumë kur bëhet fjalë për gratë e burgosura.

Në burgosjen e dytë, a ka patur një trajtim ndryshe nga hera e parë?

Thjesht hendeku ishte thelluar më shumë, natyrisht nuk mund të prisja asgjë më të mirë, veç më keq. Në vitin ‘93 u kuptua dhe nga vetë serbët që nuk do të kishte më kthim. Atë vit u dënova me 2 vite heqje lirie dhe ata që u dënuan nën 3 vite burg, iu caktua një dënim detyrim paraqitjeje, ndërsa ata që u dënuan mbi 3 vite e bënë burgun ditë më ditë. Natyrisht që pasgjithë këtyre vuajtjeve dhe persekutimeve vendosa ta lëKosovën për të emigruar në Gjermani, pasi në të kundërtën rrezikoja shkatërrimin e familjes time.

A ka qenë e vështirë t’i mobilizosh të rinjtë në perëndim?

Ka pasur dy grupe në perëndim. Ata që ishin me Rrugovën dhe mendonin që pavarësia mund të vinte me paqe dhe grupimi i dytë, ata që krijuan më vonë UÇK, ata që e kishin provuar me të vërtetë thikën në asht. Historia e Kosovës, ashtu si ajo e shumë vendeve të tjera, na tregoi që partitë legale asnjëherë nuk arrijnë të sjellin lirinë. Edhe unë kam menduar që vetëm lufta mund të sillte pavarësinë. Në fakt, nuk ishte shumë e vështirë për t’i mobilizuar për në luftë, por duhet kuptuar diçka që më shumë se të rinjtë që mund të shkonin nga perëndimi për luftë (Kosova i dispononte të rinjtë për luftë), kishte nevojë për mjete financiare, veshmbathje, për ilaçe që të përballohej lufta. Ka patur dy fonde financiare: Fondi i Bukoshit edhe fondi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lufta e UÇK-së, a ka prodhuar edhe heronj të rremë?

Çdo luftë, në të gjithë botën prodhon heronj të rremë, është normale. P.sh. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka patur diku rreth 12 -15 mijë ushtarë, ndërsa sot figurojnë sikur të kenë qenë mbi 60 mijë, kur në fakt dihet që kurrë nuk kanë qenë aq.

Kush të ka bërë përshtypje nga gratë që janë vrarë në luftë, dmth të ka mërzitur dhe hidhëruar më shumë?

Padyshim Xheva Lladrovci, e shoqja e Femi Lladrovci-t e cila ka luftuar bashkë me të shoqin dhe ka vdekur në të njëjtin vend, bashkë me të.

Sot, mungesa e një partie të mirëfilltë të majtë evropiane a është një pengesë edhe për përfshirjen e gruas kosovare në vendimarrje?

Deri më sot në Kosovë kemi pasur parti të djathta dhe kjo nuk i shkon për shtat gruas, pasi gruaja në vetvete në natyrën e saj është e majtë si për barazinë gjinore, ashtu edhe në aspektin ekonomik si dhe për të drejtat themelore të njeriut.  Një parti e majtë do të mund të frymëzonte më shumëpër një paqe mes nesh.

Share This Article
1 Comment
  • Te dy fondet vendlindja therret dhe e atij injorantit bukoshi jan vjedhur,,,,,!!!!???
    Vendlindja therret ka mledhur mbi 1 miliard dollar dhe te gjitha kane perfunduar ne xhepat e krimineleve te thacit&co dhe skan bere sgje per luften clirimtare.Ata verem se kane sipunuar per serbine dhe kane vrare shqiptare pas shpine

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *