Ahmet Dursun nga një ’rastësi historike’ u lind në qytetin e Adanasë në Turqi. Katragjyshi i tij nga Gjakova, në fund të shekullit 19, nëse do kish marrë rrugën për në perëndim e jo për në lindje, Ahmeti do të kish lindur ndoshta në Angli, Francë apo Gjermani. E kësisoj, për të njëjtin ‘vullnet historik’, fare mirë mund ta thërrisnin sot Hans, Jean Luis apo Ricard… Rastësisht erdhi në Shqipëri në 1991, shkruan për rastësirat që i bëjnë përshtypje dhe e vetmja gjë, aspak rastësore, është bindja e krijuar se VETEM LIRIA NUK VJEN RASTËSISHT. Nga e hëna në të premte shkrimtari Dursun (që e njeh shqipen më mirë se shumë nga ne shqipfolësit) do në sjellë në DITA një cikël intervistash me gratë e politikës. E ka nisur me një intervistë prezantuese mbi rubrikën dhe veten.
Intervistë me veten
1- Çfarë të bën më shumë përshtypje tek gruaja shqiptare?
-Këmbëngulja për të mashtruar vetveten!
2- Cila mund të jetë arsyeja?
– Unë nuk jam arsyeja! Gruaja shqiptare më ngjan se ‘perton’ të njohë veten në të gjitha skutat dhe rruginat që ka brenda saj. Duket sikur ‘preferon’ të qëndrojë nën “dritat e bulevardit” që ta shohin e admirojnë, të takojë njerëz, t’i komentojë… Të ‘përtosh’ të njohësh vetveten, është një mashtrim i madh!
3-Mos ndoshta janë shumë të lodhura, që përtojnë?
-Jo, nuk janë, aspak. Ato, gjithë vrungullin që i karakterizon, po e shpenzojnë për të njohur burrat. Kjo, është një fatkeqësi e madhe e shoqërisë!
4-Pra gruaja shqiptare nuk njeh mjaftueshëm veten. Po gratë e tjera, a i njeh?
-Nuk thashë mjaftueshëm, thashë nuk e njeh fare veten, por ama njeh dhëmbë e dhëmballë burrin shqiptar!
6-Po në vendet e zhvilluara, si është kjo punë?
-Unë nuk merrem me gratë e botës!
7-Po në Partitë Politike, çfarë ndodh?
-Në veçanti kryetarët e Partive, por edhe burrat në zë të politikës shqiptare, njohin në mënyrë perfekte njëri tjetrin, po aq mirë sa njohin edhe gruan në politikë!
8-Kryetarët e Partive, a nuk e pyesin një grua për një grua tjetër, thua ti?
-E pyesin përherë, por kurrë nuk ia marrin për bazë mendimin!
9-Çfarë admiron te gruaja shqiptare?
-Dashurinë e tyre për Shqipërinë! Po të ishte për burrat shqiptare, prej shekujsh nuk do të kish ekzistuar më ky vendi ynë. Një grua nuk shet aq kollaj sa një burrë…. sidomos ‘bulevardin’ e saj, kurrë!
10-Kjo të jetë arsyeja, që gjysma e Shqipërisë etnike është jashtë kufijve shqiptare? A ka faj gruaja për këtë?
-Asnjë pushtim nuk reziston dot, kur gruaja vendos të rimarrë pasurinë, nderin dhe ndërgjegjen e grabitur! Ka faj gruaja! Kane faj, gratë e atyre trevave që gabuan një shekull më parë, kur ua besuan gjithçka burrave! Vetëm pak vite më parë ‘erdhën në mend’, rikërkuan, rigjetën e rimorrën veçse ‘bulevardin’ e tyre të grabitur ama! Edhe gratë përkëtej kufirit vec ‘bulevardin’ kanë! Kjo është arsyeja që, gruaja për të mos patur veç dukjen, duhet t’i bashkëngjisë emrit edhe zërin e saj!
11-Përse historianët, apo politika nuk e përmendin këtë fakt, aq sa duhet?
-Kanë frikë, se po të fillojnë gratë të njohin uraganin që fle brenda tyre, politikanët nuk do të mund të fitonin asnjë kacidhe nga shitja e interesave të këtij vendi; si në një shtëpi, ku burri që ka një grua të vlerë e nuk guxon të shesë asnjë orendi në kokë të vet!
12- Po historianet?
-Edhe historiane gra ka pak, ose aspak në të gjitha trevat, ndaj historianët ‘livadhisin’ kësisoj!
13- A mund të flitet për barazi gjinore, në administratën shqiptare?
Barazi, jo vetëm numerike, por edhe të modelit të punës ka vetëm në Gjyqësor. Në Drejtësi dhe vetëm në Drejtësi, gratë janë po aq të padrejta sa dhe eburrat: Provo të ndahesh, të ndash pasurinë, apo të rimarrësh atë që të takon, nëse nuk do gjyqtarja/i. Le të kesh të drejtën, provat dhe ligjin me vete. “Maliqkat shpirtmira” ua kanë kaluar edhe vetë “Maliqërve” në marifete!
13-A ke një grua model në kokën tënde, që do t’ua sugjeroje grave e në veçanti grave në politikë?
-Shën Marinë! Një grua, që nuk di mjaftueshëm për të, është më pak se gjysmake! Nuk mjafton të lexosh Biblën apo Kuran-in për ta njohur. As edhe të lexosh një libërth jetëshkrimor. Abuzimi më i madh që bën njerëzimi, sipas mendimit tim, është se vlerëson Shën Marinë si figurë të shenjtë, sepse lindi Jezu Krishtin. Për mua, Shën Maria është figura më e lartë e një gruaje në politike. Nëse gruaja sot, do ta marrë brenda vetes politikanen Shën Mari, ta nxjerrë nga kishat dhe librat e shenjtë, ku mbahet e mbyllur sot e 2000 vjet, me miliona Nënë Tereza do të ketë bota!
16-Si mundi Nënë Tereza ta nxjerrë Shën Marinë nga Kisha, apo nga Librat e Shenjtë?
-Sepse nuk përtoi të njohë vetveten. Vendosi që dritat e ‘bulevardit’ të saj, t’i shpërndajë në çdo rruginë të mendjes, të shpirtit dhe të bindjes së saj!
17-Në 23 Qershor, çfarë pret të ndryshojë për ty, një grua?
Pres që politika shqiptare, të mbartë tipare gruaje, që gruaja shqiptare të përcjellë tipare gruaje!
18- Nëse fiton e majta?
-Nëse fiton, ‘pjellën’ e saj, nuk duhet t’ua lerë ta ‘kqyrin’ kujdestarët e rastësishëm!
19-Po nëse, fiton e djathta?
-Do të jete një rastësi!
20. Cila është vlera e kësaj rubrike intervistash?
Rubrika do quhet KUSH ËSHTË? Njësoj siç pyesim, kur dikush na troket në derë. Unë do të kem çdo ditë të ftuar një grua, që do të trokasë në mendjen dhe në ndërgjegjen politike të shqiptarëve përmes spontanitetit, origjinalitetit, formimit dhe bindjeve të veta për t’ju kërkuar kësisoj ta votoni. Në fund të intervistës, unë dhe ju, do të mësojmë se CILA ËSHTË?!

Nga cfare lexova duket ky ka vezhguar vajzat e bulevardit! Me vjen keq t’i ve ne dukje se vajzat a bulevardit nuk jane gra, ato jane cupera qe lyhen e ngjyhen e kuturisen ne bulevard duke treguar shalet me qellimin per te gjuajne per ndonje burre me pare apo te dashur. Gra jane ato qe tashme jane te martuara dhe me femije( dhe llogarit te lutem moshen mbi 35 vjec, se tere ato nen 35, rritur ne keto 20 vjete, se kane idene se cfare do te thote grua} Dhe nuk e them kete te perkufizoj qe nje femer quhet grua se eshte e martuar dhe me femije, por per pjekurine qe fiton gjate jetes bashkeshortore ne te tera aspektet dhe ku ajo fillon te njohe veten me te vertete vetveten( dhe kjo eshte e vertete dhe per burrat).
…..menyre interesante e te shkruarit…..
Flm Z.Dursun per kontributin qe jep per shoqerine shqiptare.